…Kjo është e veçanta e këtij libri, sepse përtej çdo përshkrimi ku realiteti mund të ngjajë dramatik, poeti priret të sfidojë mbrëmjen, dimrin, braktisjen, duke i mundësuar lexuesit edhe hapësirë meditimi dhe heshtjeje, që i përkasin asaj pjese të shpirtit ku mund të kumbojnë edhe tingujt më të ëmbël të dëshirave…

 

Titulli: Nëse troket në shpirtin tim

Autor: Gurali Spahillari

Redaktor letrar: Dr. Eris Rusi

 

 

Botimi i parë, 2021

Tirazhi: 200 kopje

ISBN: 978-9928-326-66-9

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 14cmx20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, mars 2021

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Spahillari, Gurali

Nëse troket në shpirtin tim : poezi / Gurali Spahillari ;

red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2021

120 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-66-9

1.Letërsia shqipe         2.Poezia

821.18 -1

 

NË VEND TË PARATHËNIES

 

Gjithnjë e më rrallë kërkojmë të shohim në shpirtin e njeriut, të trokasim e të hyjmë atje ku fle përjetësia, ku janë ëndrrat, sekretet, dashuritë dhe magjia e një ekzistence të tërë. Jetojmë me një lloj shkujdesjeje sikur asgjë nuk ka më vlerë përveç momentit, e bota që lëviz përkrah nesh na ngjan thuajse e papërfillshme, sepse rëndësi ka vetëm vetja jonë. E ndërsa jetojmë kështu, harrojmë që jeta fluturon sa hap e mbyll sytë e që ditët e lumtura janë veç një vetëtimë e shkëputur në qiellin e muzgët sipër nesh. Ndaj le të provojmë që përmes leximit të trokasim në shpirtin e Gurali Spahillarit, të kapemi pas përfytyrimit të tij, pas mendimeve, ndjesive, rebelimit, meditimit, dhimbjes, mallit e nostalgjisë.

Kjo përmbledhje me poezi pikërisht këtë kërkon nga çdo lexues: të trokasë në shpirtin e krijuesit e të shohë me kuriozitet çfarë ka aty brenda. Do të gjejë përpara vetes një njeri i cili ka mbetur përplot pasion dhe ëndërrim si në rininë e tij; një njeri që jeta nuk e ka trajtuar butë, por që ka arritur përherë të mos largojë prej vetes mirësinë, ndjeshmërinë ndaj miqve, familjes, por edhe ndaj të panjohurve që kanë nevojë t’iu dëgjohet fjala dhe dhimbja. Krijimet poetike ngjan të jenë pikërisht jehonë e shpirtit që kërkon ta bëjë më të mirë ditën dhe mbrëmjen e gjithsecilit. Në to e kemi jetën e sjellë në kulmin e saj, ku meditimi i krijuesit ngjan të jetë si meditim i një ëndërrimtari që e vesh me ëndrrat e tij botën.

 

Nëse troket pa fjalë

Në shpirtin tim

Troket ashtu nga larg,

Duhet të dish

Dhe çfarë kërkon,

Duhet të di

Dhe ç’do të jap!

Se porta e shpirtit

Si porta e ferrit është,

Po hyre brenda

S’del dot përsëri jashtë,

Po hyre brenda

Të djeg me zjarr,

Me flakadan!

Të shkrin si qiri!

Po hyre brenda të përvëlon;

Të bën shkrumb e hi!

Nëse troket në shpirtin tim,

Trokit me dashuri!

 

Duket sikur thelbi i poezisë është dashuria, nevoja për të ruajtur ato ndjenja që asnjëherë nuk mund të shuhen, të lihen mënjanë apo të kapërcehen. Duket sikur letërsia dhe horizonti shpirtëror i autorit në këtë libër puqen në një: poezia jep, të mbush me përfytyrime e një shpirt i ndjeshëm dhe i drejtë reagon menjëherë nga ajo që përcillet prej vargun poetik. Ndaj një pjesë e lirikave vijnë në formën e vetë-rrëfimit, është poeti ai që rrëmbehet nga rrjedha e jetës, përthith çdo detaj që e bën të ëmbël apo të trishtë refleksin e njerëzve mbi botë. Është poeti ai që e ka ekzistencën e trazuar, e ka ndërgjegjen e turbulluar nga gjërat që e shëmtojnë përditë e nga pak vendin ku jetojmë, ndërsa në sfond qëndron pafajësia e humbur, dashuria që nuk guxon të afrohet, mëngjesi me dritën e venitur që ngjan si të jetë muzg i lodhur vetmie. Kjo është e veçanta e këtë libri, sepse përtej çdo përshkrimi ku realiteti mund të ngjajë dramatik, poeti priret të sfidojë mbrëmjen, dimrin, braktisjen, duke i mundësuar lexuesit edhe hapësirë meditimi dhe heshtjeje, që i përkasin asaj pjese të shpirtit ku mund të kumbojnë edhe tingujt më të ëmbël të dëshirave. E ka a dëshirë më të ëmbël që ditën ta nisësh me shoqërinë e diellit, e të kërkosh që jo të vetëm të ndriçohesh prej tij, por ta sjellësh pranë vetes e të të shoqërojë për pak:

 

Kur akrepat e orës

Tek dymbëdhjeta të qëndrojnë

Dhe kur Dielli vetëm për pak çaste

Të ndalojë mbi filxhanin tim,

Unë dëshirë kam

Që kafen me të ta pi!

Ta valoj me rrezet e nxehta,

Jo në xhezven e kafesë

Por direkt në filxhan!

Rrezet e tij buzën ta puthin

Me gëzim!

Ta puthin pa fjalë, pa zhurmë,

Të luajnë me të

Si një fllad që fryn në maj!

 

Metafora e diellit që vezullon brenda filxhanit të kafes, e bën lexuesit të meditojë dhe të ngazëllehet, të gjejë tek natyra përrotull apo lart në qiellin e paanë, shenjat e një ekzistence të përjetshme, ku shpirti as nuk plaket, as nuk humbet, por feks si një diell që s’do të perëndojë ndonjëherë. Pastaj vjen trokitja tjetër në shpirtin e poetit: e kur lexojmë më tej, gjejmë shenjtërinë e familjes dhe të miqve, që mbushin e plotësojnë harmoninë që e bën jetën të ngjajë e drejtë dhe e çmuar. Ndaj mund të themi që brenda kësaj klime, të gjithë mund te gjejmë diçka në jehonën e këtyre poezive, kur fillojmë të kuptojmë peshën e viteve, e me kokën pas kthehemi dhe shohim që kemi humbur diçka, shumëçka, një pjesë të kaltër të shpirtit që ka nevojë të rizgjohet dhe të kumbojë fort që ta dëgjojnë të gjithë. Duket sikur të gjithë kemi humbur një pjesë të vetes, ngjan të na thotë autori. E gjatë leximit, nuk mund të largojmë dot ndjesinë e humbjes, trishtimin që dikur kemi zotëruar një shpirt të brishtë, kristal, por që tani nuk është më i tillë, sepse këtë jetë dhe këtë vend po na e kthejnë në një kryq të heshtur pikëllimi, që duan ta mbajmë me zor mbi shpinë.

 

Kam shkuar deri tek Porta e Ferrit

Dhe jam ndalur një çast para saj!

Shpirtin tim ma kërkuan

T’ua fal të tjerëve,

T’ua bëj peshqesh,

Por unë me gjysmë shpirti

Kisha shkuar deri tek Porta e Ferrit,

Se gjysmën tjetër

Ma kishte marrë qielli!

Dhe rrija tulatur nëpër cepa rrugësh,

Nëpër shkurre dhe gurë,

Nëpër udhëkryqe resh,

Dhe gjatë kam fjetur

Me gjysmën e frymës që më ka mbetur!

Kam shkuar deri tek Porta e Ferrit,

Por s’hyra brenda në Ferr!

 

Me këtë frymë, autori nis e krijon një botë të bërë prej kujtimesh dhe keqardhjesh, me një ëmbëlsi dhe fantazi e aftë ta shtyjë lexuesin që të harrojë përkohësinë dhe pezullin e jetës, e të shtrëngohet fort pas çiltërsisë dhe natyrshmërisë së njeriut të mirë neë thelb. Ndaj poezia shndërrohet kështu në një simbiozë të jetës me përfytyrimin. Ritmi i vargjeve shoqërohet nga nostalgjia dhe melankolia, nga dëshirat dhe dashuria, nga pafajësia dhe njerëzorja e botës.  Ekzistenca jashtë kujtimeve tona është e mbushur me vrazhdësinë e jetës që nuk e njeh më fëmijërinë e saj, përplot dhimbje dhe zemërngushtësi.

Nëse troket, atëherë, në shpirtin e krijuesit, çdo të gjesh me këtë libër, i dashur lexues?

Pasion, ngjan sikur poeti nxjerr nga shpirti atë që është më e vërtetë, më e dhimbshme, që e bën të paduruar ekzistencën dhe vetëm drita e diellit mbetet të jetë shenjë e shkëlqimit në horizont.  Por asgjë nuk ndalon me kaq. Njeriu i beson trupit të tij, poeti i beson shpirtit. E zëri që kumbon është diçka më tepër sesa mall dhe nostalgji, i afrohet botës dhe i mërmërit ëmbël në vesh sekretin ëmbël që veç krijuesi e di: kjo botë ka lindur nga dashuria dhe dashuria është fryma e shpirtit të tij.

 

ERIS RUSI

Kryetar i klubit të shkrimtarëve “Bota e re”

Korçë