Titulli: Një dobësi fatale

Autore: Vita Blloshmi Kozeli

Redaktor: Ndue Lazri

Kopertina: Elona Marika

 

ISBN: 978-9928-362-65-0

Formati : 14x20cm

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, gusht 2022

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kozeli(Blloshmi), Vita

Një dobësi fatale : tregime / Vita Blloshmi Kozeli

red. Ndue Lazri. – Tiranë : Ada, 2022

128 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-65-0

1.Letërsia shqipe    2.Tregime dhe novela

821.18 -32

 

  TREGIMI ËSHTË DASHURIA IME

 

 

Pyetje:- Ky është libri juaj i tretë me tregime. Proza e shkurtër është gjinia juaj e preferuar në krijimtari? 

 

Përgjigje:- Po. Në prozën e shkurtër e gjej më shumë veten. Është gjinia ime e preferuar. Kur isha fëmijë prindërit më lexonin përralla, që më pëlqenin shumë dhe e shpinin larg fantazinë. Kjo besoj ndodh me të gjithë fëmijët. Pastaj më vonë, nëpër vitet e shkollës, lexoja shumë tregime nga autorë të ndryshëm. Gjatë jetës, natyrisht, kam lexuar edhe shumë novela, romane, vëllime me poezi e libra të tjera. Por proza e shkurtër, tregimi, mbeti preferenca ime e përhershme.

 

 Pyetje:- Në letërsinë shqipe kemi një traditë të mirë në fushën e tregimit. Cilët janë autorët që ju kanë tërhequr më shumë me tregimet e tyre?

 

Përgjigje:- Për mua Mitrush Kuteli qëndron në majat e tregimit shqiptar.Më pëlqen shumë. Librin e tij “Tregime të moçme shqiptare”, ku ai ritregon me mjeshtëri legjendat e baladat shqiptare, e kam lexuar disa herë. Ka një magji të veçantë në mënyrën e të shkruarit. Më pëlqejnë edhe tregimet e Dritëro Agollit tek vëllimi “Zhurma e erërave të dikurshme”, tregimet brilante të Naum Priftit, ato të Faik Balancës, Zija Çelës etj.

 

Pyetje:- Po nga letërsia botërore?

 

Përgjigje:- Ivan Bunin, shkrimtar rus,mjeshtër i tregimit sentimental. Por nga rusët është edhe i madhi Çehov, Maksim Gorki me “Përrallat e Italisë. Pastaj Stafan Cvajg, O’Henri me gjeninë e tij në zgjidhjet aq të papritura në tregime, Mopasani, Dino Buzzati e të tjerë.

 

Pyetje:- Në zgjedhjen e fabulës për tregimet tuaja, prireni nga ngjarje reale nga jeta, apo janë përgjithësisht frut i fantazisë suaj?

 

Përgjigje:- Sigurisht, në çdo tregim ka diçka të vërtetë. Unë jam vëzhguese e jetës, më mbeten në mendje ngjarje e episode nga ato çka më tregojnë shoqet, miqtë e të njohurit. Natyrisht, pastaj hyn fatntazia, për t’u dhënë ngjarjeve zhvillim artistik. Shpesh herrë marr vetëm nismën, pastaj logjika e tregimit dhe e të shkruarit bën diferencën dhe tregimi nuk del një kopje e realitetit, por një interpretim artistik i tij.

 

Pyetje:- Në tregimet tuaja teatri i veprimeve të personazheve është sa në Shqipëri, aq edhe në Itali, ku jetoni e punoni. Të tërheqin më shumë ngjarjet me temë nga vendlindja, apo nga emigrimi? Sa ndikon ambienti në krijimtarinë tuaj?

 

Përgjigje:- Përgjithësisht në tregimet e mia unë kërkoj të përcjell një mesazh. Kështu ngjarjet i vendos herë në Shqipëri e herë në Itali, por thelbi i gjërave nuk ndryshon. Unë jam e lidhur me vendlindjen e shpesh herë udhëtoj me imagjinatë rrugëve e ambienteve të qytetit tim, Durrësit, apo edhe nëpër vende të tjera që i kam shetitur dikur. Pastaj Italia ka tërheqjen e saj të veçantë me natyrën, njerëzit, jetën dinamike. Për cilindo që më lexon, dua që jo vetëm të zbavitet e kënaqet duke lexuar, por edhe të marrë një mesazh.  “Fajin” e ka mësuesi i letërsisë, që gjithmonë na thoshte: Çfarë mësuam nga ky tregim?

 

Pyetje:- Në pjesën më të madhe të tregimeve tuaja gjejmë motivin e dashurisë. Një temë që e trajtoni me mjaft lirizëm e variacion në tipizimin e personazheve. Është një preferencë, apo një rastësi?

 

Përgjigje:- Mendoj që dashuria është zanafillë e gjithçkaje. Një botë pa dashuri është një botë e vdekur. Për mua nuk eksiston asnjë raport pa dashuri, qoftë raport miqësie, familjare, dashurore.

Ajo që na mungon është pikërisht kjo, dashuria. Një njeri që dashuron mirë di të bëjë shumë gjëra mirë. Dikush ka thënë që njeriu pushon së jetuari kur pushon së dashuruari. Kam bindjen që vetëm dashuria mund ta bëjë më të mirë këtë botë që po shkon drejt shkatërrimit.

 

Pyetje:- Kam vënë re që ndonjëherë keni bërë ndonjë sprovëz edhe në poezi. Mendoni që në diapazonin e krijimtarisë suaj të hyjë në të ardhmen edhe poezia?

 

Përgjigje:- Kam provuar, por si duket ajo nuk është për mua.Poezia është e bukur e kënaqem shumë kur lexoj mjeshtra të vërtetë të poezisë shqiptare e botërore. Ndërsa për të shkruar…Mendoj se njeriu duhet të bëjë atë që di të bëjë më mirë.

 

 Pyetje:-Jeni bashkëshorte dhe nënë e tre djemve. Një impenjim jo i vogël për një amvisë. Aq më tepër që edhe punoni. Si ja arrini që midis shumë angazhimeve të përditshme të gjeni kohë edhe për krijimtari letrare?

 

Përgjigje:- Po, kam tre djem të mrekullueshëm, dhe bashkëshortin. Domethënë katër burra në shtëpi. Sigurisht, është një impenjim goxha i madh, por gjithësesi tani që djemtë janë rritur e janë berë të zotët e vetes, është disi më lehtë. Gjithësesi, edhe pse angazhimet familjare janë të shumta, mundohem të gjej pak kohë për ” dashurinë time”, tregimin.

 

Pyetje:- Ndonjë ëndërr ose projekt për të kaluar në prozën e gjatë?

 

Përgjigje:- Ëndrra kam shumë. Mos mbeçim pa ëndrra. Gjithsesi,”diçka po zien”.

Uroj që të më realizohet.

 

Intervistoi: Ndue Lazri