Autori: Pierfranco Bruni

Titulli: Nostalgjia ka krahë shqiponje

 

@ Të gjitha të drejtat e Autorit

Përktheu në shqip nga origjinali Arjan Th. Kallço

 

Botimi i parë, 2018

ISBN: 978-9928-244-89-5

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 13.5x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë mars 2018

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Bruni, Pierfranco

Nostalgjia ka krahë shqiponje / Pierfranco Bruno ;

përkth. nga origj. Arjan Th. Kallço. – Tiranë :

Ada, 2018

48 f. ; 13.5×20 cm.

ISBN 978-9928-244-89-5

1.Letërsia italiane  2.Letërsia arbëreshe   3.Poezia

821.131.1 -1

821.18 ‘282.4(450) -1

 

Duaje Atdhenë si shqiponja folenë

Nëse flasim për fluturimin, gjithnjë mendja na shkon në fluturimet qiellore, fluturime poetike dhe, pse jo, edhe në fluturime shqiponjash. Pikërisht këtë ka zgjedhur Pierfranco Bruni për t’i titulluar poezitë e veta që na i sjell nga origjinali në shqip poeti dhe përkthyesi Arjan Kallço.

Si një fluturim shqiponje është i sendërtuar në tre pjesë. Pjesa e parë është një himn kushtuar marrëdhënies at e bir, e trajtuar me sinqeritet poetik, origjinalitet dhe formë të veçantë ndërthurrjesh. Me një finesë të lartë krijuese poeti Bruni mediton për çdo çast që ka kaluar me atin e vet, të cilin, kujtimet tepër intime dhe të thella dhe një bashkëbisedim këmbëkryq, e kanë shndërruar në shqiponjë që përmes fluturimit sjell tek ai lojën e fundit të shahut, melankoninë e humbjeve të përditshme, ironinë e ndarjes, lehet me orkide dhe trëndafila, por që e pengon poetin të gjejë fjalë ngushëlluese për dhimbjen që i la mungesa e të atit. Shqiponja, mbretëresha e qiellit, është zogu me fluturimin më të fuqishëm, prandaj praninë e Atit të munguar, nevojën e pranisë së tij, për ta nxjerra nga heshtje epokash, zërin e lojës atërore, e ndjen si fluturim shqiponje që luan me hënën, si me copa shkëmbinjsh që kthehet në uragan, me qëllim që ta ngrejë dallgë e të tregojë se marrëdhëniet at e bir përbëjnë momente kyçe jete të veçanta e të përjetshme.

Pjesa e dytë është një këngë që na kthen pas, në historinë e largët, është kënga për Teutën, mbretëreshën ilire, ngjyra e syve të së cilës ishte ajo e grave të Shkodrës, duke e kthyer në simbol dhe legjendë përtej historisë. Të shkruash artistikisht për personazhe historike e aq më tepër për një figurë si Teuta, sunduese e cila u pa gjithmonë si prijëse vizionare nga populli i vet. Duket sikur poeti është i dashuruar me Teutën e Ilirëve, me fisnikërinë, krenarinë, bukurinë e heshtjes së saj, mjegullën që e ka zbehur historinë, qoftë ajo e shkruar edhe nga Polibi. Kjo poemë është legjenda e identitetit, e profecisë, e nderit të Atdheut, por edhe pjesë e qytetërimit që sot e ka në ecurinë e vet pjesë të emrit Teutë.

Pjesa e tretë i kushtohet pikërisht dashurisë, ndjenjës më të bukur të përjetuar nga njeriu, shqetësimit më të kërkuar, udhëtimit më të pafund të shpirtit. Po sikur të mos ishte dashuri, çfarë do të ishte tjetër lidhja e dy njerëzve që ndiejnë njëri-tjetrin, për shpirtin binjak? Po të mos ishte dashuri, do të ishte festë, do të ishte lundrim në shpirtra detesh, do të ishte ylber që do të prekej nga balozët në udhët e qiellit. Mirëpo a festohet pa njeriun që dëshiron ta kesh pranë? A mund nisë një lundrim pa puthjen e bregut? A mund fluturohet në qiej kaltërsie pa e pasur shpirtin plot? Prandaj, sido të ecësh në vargjet e poezive, e kupton se  e gjitha është një himn për dashurinë. Poezia e Brunit është filozofia e së bukurës, e dëshirës, e atdheut, e mitit, e dashurisë, është filozofia e ekzistencës së njeriut, e vdekjes që nuk e takojmë kurrë, veç në fluturime shqiponjash, e jetës së pasosur, por që përpiqemi që ta jetojmë  plotësisht. Poezia e Brunit kthehet në profeci, sepse ajo guxon t’i lidhë shpirtrat përmes forcës së fjalës, ta ndriçojë humanizmin dhe solidaritetin njerëzor e mbi të gjitha ta lartësojë dashurinë, ndjenjën që na lidh në një “grackë” me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen që ta plotësojmë historinë njerëzore dhe të tregojmë se gjërat e bukura dalin nga shpirtra fisnikë, siç është shpirti i poetit.