Të gjitha botimet e shtëpisë botuese ADA mund t’i gjeni në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

 

Poezia, si mundësi shprehje dhe ndjesi emocionale vjen shpesh si ornament i një mjedisi të tërë jetësor, por dhe çiltërsi për të nxjerrë në pah shpirtin e dlirë dhe për t’ a shndërruar në gjuhë komunikimi me botën referuese. Kështu ndodh dhe me poezinë e Enkeleda Pashaj Murataj, e cila edhe përbrenda thjeshtësisë mendim, arrin të operojë me fjalët dhe të sjellë ato tablo ngjyrash, të cilat deshifrojnë mendësinë shoqërore por dhe konceptin rreth saj. Kaq natyrshëm dhe kaq lirshëm rrjedhin vargjet, sa kupton përditësinë njerëzore të dhënur diku mes pasqyrimeve me vetë ndërgjegjien e tij, diku tjetër si dedikim për nënën dhe fëmijët, si botë rrethuse e gjithë dashurive, diku tjetër manifestohet humanizmi dhe përpjekja për të shpëtuar edhe një jetë, pa përjashtuar as lirizmin, e cila nuk vjen në ato kontekste të forta, por si ndjeshmëri dhe patetizëm shpirtëror. Në poezinë e kësaj autoreje mbizotëron fryma e lirë, spontanitetiti dhe dëshira e madhe për të shprehur mesazhet për një botë sa më të mirë, sa më të drejtë dhe sa më njerëzore. Poezitë e këtij vëllimi kanë tematikë dhe larmi idesh, të cilat variojnë dhe rrotullohen përbrenda boshtit qëndror, atë të psikologjisë dhe filozofisë jetë, gjithmonë në raport me vullnetin e mirë për të paraqitur përkryerjen e ndërgjegjies dhe arsyes së qenësisë tonë.

“Poeti fjalët i nanuris
i ledhaton,
i përkund timbrit të shpirtit
si të kenë frymë.”

Orientimi drejt misionit të poetit, drejt fuqisë dhe ideve që ai përshfaq, është kaq hyjnore, kaq e pasur dhe kaq e pëshpirtshme, sa fjala e tij zbret dhe vetë yjet në tokë, perëndon muzgjet dhe çel agimet, ndrit shpresën për të nesërmen dhe i jep frymë nga fryma e tij magjisë natyrë.

Në të tjerë poezi autorja ngre në ploltronet më të larta të qiellit figurën e nënës, si mishërimi i gjithë dashurive të kësaj bote, por dhe risisë jetë në përjetësi.

“Sakrifica
Tolerancë
Bekime
Dritëthënie
Thellë në shpirt”

Sigurisht që parafytyrimi i jetës dhe përballja me të kalojnë nëpërmjet kësaj sakrifice sublime, këtij bekimi, kësaj dritëthënie që nuk ka sinonim por ka vetëm nje emër, emrin nënë.

“Nga pema një gjethe
ra duke rënkuar
e grisur, e zverdhur
paskohëve trazuar”

Kjo poezi flet shumë më tepër, prek tjetër sëmbim në shpirt, mbetet tek ajo panormë stine, ku lotët shi stërgjatin gjymtyrët e tyre vjeshtë dhe futin në të tjera meditime, në të tjera drithërima, deri në detaj, gjer tek rrëzimi dhe rënkimi i fletës së fundit të gjethes, e cila sikurse thotë vetë autorja mbetet përjetë paskohës trazuar.

Ky vështrim është thjesht një përqasje dhe një mendim që ndihmon lexuesin për të hyrë në brendi të vëllimit poetik, vëllim i cili meriton një vëmendje shumë më të gjerë dhe një mirëpritje të ngrohtë në sofrën e poezisë shqiptare.