Titulli: Para syve të mi…

Autor: Rustem Canameti

Redaktor: Basir Bushkashi

Arti grafik: Artan Kurti

© Të gjitha të drejtat janë të autorit

 

ISBN: 978-9928-362-10-0

Tirazhi:200 kopje

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, nëntor 2021

 

Shtypur në shtypshkronjën

e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Canameti, Rustem

Para syve të mi… : poezi e mbresa /

Rustem Canameti ;

red. Basir Bushkashi. – Tiranë : Ada, 2021

128 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-10-0

1.Letërsia shqipe 2.Poezia 3.Proza

821.18 -1

821.18 -3

 

Një zë i shqetësuar

për kohën dhe njeriun…

 

Një zë njerëzor, një zë poetik, i autorit Rustem

Canameti, përmes vëllimit: “Para syve të mi…”, një

përmbledhje me poezi dhe mbresa. Autori troket

në portën e poezisë, në një moshë madhore, që një

pjesë e poetëve e lënë poezinë dhe merren me prozë

a diçka tjetër.. Por kjo do të thotë se ai e ka ruajtur

botën poetike brenda shpirtit të tij dhe vjen një kohë,

që do ta përcjellë te lexuesi, te miqtë dhe shokët, për

kënaqësi të tij dhe të tjerëve.

Vjen me një përvojë jetësore të larmishme, në

njohjen e jetës, që nga vendlindja, Shqipëria dhe

Europa, së cilës i ka parë disa shtete vezulluese, drejt së

cilës duam të shkojmë kulturalisht dhe ne shqiptarët.

E, doemos, i dhemb shpirti, njerëzisht, për ta parë

atdheun tonë sa më të bukur, sa më të lumtur.

Falë aftësisë së tij dhe të pjestarëve të familjes, ai

ndjehet i lumtur në plan personal, por s’është i qetë

për fatin e Shqipërisë dhe të bashkëkombësve të tij.

Këtu fillon Rustemi poet, për të cilin do të shfaqim ca

mendime, vërtetësinë e të cilëve do ta ndjejë e do ta

thotë, përfundimisht, lexuesi.

Ruaj një mendim prej vitesh, që pas mësuesve,

lexuesit më të pasionuar të letërsisë janë ushtarakët

dhe mjekët, veç të tjerash, ndoshta, si një shlodhje

shpirtërore…

Rustemi ka shërbyer ca vite dhe si ushtarak në

Gollobordë, zonë e Dibrës. E kam shok prej vitesh,

shok të mirë, që ndjej kënaqësi kur rri me ‘të e pimë

ndonjë kafe a kthejmë ndonjë raki. Është, vërtet, i

këndshëm në tavolinë, poetik dhe në bisedë e sipër

të fal çiltërsisht të dhëna të ndryshme për jetën, për

Botën, për njerëzit…

Antenat e tij të kureshtjes, ku nuk shpërndahen,

për të kapur sa më shumë valë nga fushat e dijes. Ai

jeton në provincë, por nuk është provincial, se jeton

me botën e madhe, skaj më skaj. Dhe, natyrisht, kjo

e bën poet, se poetët jetojnë shpirtërisht më shumë

për të tjerët se për vete…

Rustemi ka shumë shok e miq në rrjetet sociale,

të njohur e të panjohur, gjithandej ku ndodhen

shqiptarët. Paraqet mendime të lira për botën e jetën,

por dhe krijime të çastit, ashtu siç i vijnë…

Rrjetet sociale janë të mrekullueshme, është një botë

e lirë e të të shprehurit, ku secili shpreh vetveten pa

censurë, por, ama, ka dhe plot vulgaritete të ndryshme

nga njerëz vulgar, që në magjinë e këtyre rrjeteve

ndjehen të mëdhenj. Nuk mungojnë edhe shprehje të

tillë, si: “gjigand”, “i madh”, “legjendë” etj. Në fund të

fundit, le të kënaqen njerëzit brenda botës së tyre me

diçka kalimtare që lë gjurmë, gati pa vlerë, në botën ku

jetojmë. U zgjata pak për ta kuptuar autorin disi edhe

më mirë, ku ai është aktiv në këto rrjete, duke reaguar

për probleme aktuale, sociale e politike, të cilat prekin

mjedisin dhe shoqërinë shqiptare, duke reaguar në

emër të së mirës, në emër të së bukurës.

Po, le të kthehemi te vëllimi poetik i Rustemit, i cili

ka botë, ka jetë, personazhe konkretë, parë në kënde të

ndryshme vështrimi dhe përjetimi. Doemos, lexuesit

janë të niveleve të ndryshme dhe poezinë e gjykojnë

sipas kulturës së tyre: diçka pëlqejnë, diçka s’pëlqejnë,

diçka kuptojnë, diçka s’kuptojnë, se poezia është nazelie

e madhe, ka magjinë dhe misteret e saj dhe jo më kot

është quajtur: “Mbretëreshë e letërsisë”. Në mushkën

xanxare të poezisë, siç e ka quajtur i madhi Dritëro

Agolli, Rustemi, herë qëndron drejt dhe i sigurtë, herë

mënjanohet pak anash, por pa u rrëzuar…

Vëllimi poetik “Para syve të mi…” ka larmi tematike,

realizime të bukura poetike, që të emocionojnë e të

mbeten në mendje, por në relievin e tij shpirtëror

fryjnë dhe erëra të forta, shqetësimet për kohën dhe

njerëzit. Ai shkruan me aq çiltërsi dhe dhimbje për

vendlindjen, për të afërmit, për shokë e për miq, që

ka njohur në jetë, disa prej të cilëve nuk rrojnë më

fizikisht, por rrojnë shpirtërisht në vargjet e tij. Ka

poezi të brishta për bukuritë e natyrës dhe dhimbje për

shëmtimin e saj, nga njerëz të pakujdesshëm, apo të

pangopur, që mendojnë se bota fillon dhe mbaron me

‘ta. Të tërheqin vëmendjen edhe disa poezi filozofike

të realizuara mirë poetikisht dhe për mesazhet që

përcjellin. Jo pak poezi, në këtë vëllim, janë të lidhura

me jetën politike. Këtu ai shpërthen me revoltë, duke

përshkruar gjithë shëmtitë e saj, që reflektojnë në

jetën e vendit, në ëndërrat e rinisë, me sy nga Europa

dhe Amerika, se nuk shohin perspektivë në këtë vend.

Më vjen në mendje një thënie e të madhit Faik Konica,

intelektualit të dorës së parë, me katërmbëdhjetë

gjuhë të huaja (dinte një më shumë se Noli), që thotë:

“Shqipërinë e bekoi Perëndia, e shpëtoi rastësia dhe

do të shkatërrojnë politikanët”. Dhe, ku ndodh kjo?! Në

demokraci, ku politika shqiptare, me të gjitha ngjyrat e

saj, i ka një borxh të jashtëzakonshëm popullit të këtij

vendi. Siç duket, ata e mendojnë Shqipërinë si pronë

të veten, që u përket veç atyre. Jam i bindur, që autori

ka mijëra e mijëra aleatë shpirtërorë në revoltën e

tij njerëzore, poetike, që me dhimbje e guxim i çjerr

maskën kësaj palo politike, allashqiptarçe.

Këto poezi, herë-herë, autori i shkruan edhe me

konceptim popullor folklorik, ku nuk mungon dhe

ironia therëse. Janë shkruar çiltërsisht, me shpërthime

të guximshme poetike e dhembshurisht atdhetare…

Më kanë mbetur në mendje, prej kohësh, ca

vargje poetike, që s’më kujtohen saktësisht: janë të

poetit hungarez, Atila Jozhef, a të grekut të madh,

Kavatis, ku thuhet:

“Bota ndryshon çdo ditë,

Atë e ndryshojnë punëtorët dhe poetët…”

Kështu, Rustemi, me librin e tij poetik “Para syve

të mi…”, ku nuk mungojnë dhe ca mbresa jetësore,

që i falin librit edhe më shumë jetë e ndjenjë dhe,

ndoshta, ca prej tyre janë embrione të tregimeve të

ardhshme, do të thotë diçka, aq sa ia ndjen shpirti e

aq sa ja shpreh vargu…

Gjithnjë drejt së bukurës, drejt së mirës, drejt

shpirtit njerëzor…

 

Basir Bushkashi

Burrel, tetor 2021