Ky fillimmuaji nis me një botim të ri te shtëpia botuese ADA
Titulli: Perëndimi i dhimbjes
Autor: Floresha Zyberi (Qyra)
Redaktor: Eris Rusi
Përgatiti për botim: Roland Lushi
©Të gjitha të drejtat i përkasin autores
ISBN: 978-9928-326-05-8
Botimi i parë, 2020
Formati : 14x20cm
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr.Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2020
Parathënie
Stig Dagerman, një ndër autorët premtues suedezë të shek. XX, shkruante: “Mund të thuhet që të provuarit e keqardhjes është në vetvete një formë letërsie, që ka nevojë urgjente të shprehet në fjalë.” Pa dyshim që të trajtosh dinjitetin e dhimbjes, duhet së pari të kesh të bësh me personazhe që kanë dinjitet njerëzor brenda shpirtit të tyre. Kjo nënkupton të nisësh një lloj depërtimi të vendosur në botën e brendshme të tyre, por njëkohësisht të zhvendosësh kërkimin edhe përtej marrëdhënieve të përditshme njerëzore.
Romani “Perëndimi i dhimbjes” nga Floresha Zyberi (Qyra) na sjell një panoramë të jetës shqiptare në aktualitet, ku në thelb janë fatet e njerëzve që përndiqen nga dhimbja, megjithëse mundohen që t’i mbijetojnë dhe ta përballojnë me kurajë atë. Ngjarjet e rrëfyera kanë për protagoniste dy vajza të reja, Morena dhe Bora, të cilat kanë një botë ëndrrash dhe dëshirash e cila përballet me realitetin e hidhur dhe fatkeqësitë që vijnë njëra pas tjetrës. Sfondi i rrëfimit ka një bazë vërtetësie nga ngjarje të jetuara, e cila është e hidhur dhe dramatike: Bora, një nga protagonistet e veprës, krijon përfytyrimin e së ardhmes duke rënë në dashuri me një djalë të përsosur, Zhanin, por lidhja e tyre pwrballet me paragjykime qw sjellin dhe fatkeqwsi pwr vetw personazhet.
Kjo është një skemë klasike që pasqyron mënyrën se si një pjesë e shoqërisë sonë bashkëjeton me paragjykimet, e shtrati realist thellohet duke marrë detaje që Bora është e birësuar nga Shtëpia e Fëmijës, e në momentin kulmues zbulohet që nëna e Zhanit, djaloshit që ajo dashuron, është në fakt edhe nëna biologjike e saj që e kishte braktisur në lindje.
Nga ana tjetër Morena, protagonistja tjetër e veprës, përballet me një klimë familjare e cila është në çdo moment armiqësore me të dhe prapëseprapë nuk dorëzohet. Autorja në rrëfimin e saj shmang armikun kryesor që do të zbehte forcën e ngjarjeve të rrëfyera: patetizmin dhe retorikën e dhimbjes. Sapo nis të shkruajë e të tregojë dhimbjen, materiali që ka në duar i merr flakë dhe i përcëllon gishtërinjtë, duke lënë shenja të prekshme në historinë e treguar. Ndërkohë, ajo nuk heq dorë së treguari të vërtetën deri në damarët e tejdukshëm të dhimbjes. Dhimbja lartësohet dhe në marrëdhëniet familjare, në humbjen e jetës nga personazhe që i mbyllin sytë njëherë e përgjithmonë për të mos qenë më mbi botë. Kjo prozë është një rrëfim i dhimbjes dhe i mallit, i pafuqisë dhe i pamundësisë. Sinqeriteti që duket të shkrihet mbi çdo frazë të prozës, është një lloj ftese për të treguar plotësisht, deri në fund të vërtetën, atë dhimbje të egër e që të vendos përfund sa herë jeta tregohet e dobët dhe lejohet të kafshohet nga pabesia e kohës. Kështu ndodh kur Morena, fëmijë, përballet me vdekjen e nënës së saj dhe dhimbja nuk fashitet, por nxitet më tepër nga rimartesa e shpejtë e të atit:
“Të gjithë ato ngjarje kishin qenë si një rrufe në qiell të hapur për vogëlushen. Nuk mund të kuptonte dot këtë realitet që i merrte njeriun më të shtrenjtë të jetës dhe i sillte në vend të saj një të panjohur, q tashmë do të bëhej gruaja e re e babait të saj. Morena ishte bërë si dru, kishte zënë një vend atje tek cepi i dhomës dhe lloj-lloj skenash i kalonin para syve: -Si do mësohem me këtë të huaj? Si do sillem unë me të? Sa shpejt babi e zëvendësoi mamin!”
Është kujtesa, pasqyra e qartë ku shihen dhe zbukurohen ngjarjet e dikurshme, ato që e bëjnë reale dhe të prekshme botën e njerëzve mbi tokë. Duket sikur vogëlushja e cila shkon të bisedojë me mermerin e ftohtë ku prehet nëna e saj, dëshiron t’i thotë: “Unë e di se të tjerët thonë për ty: “Ti ke vdekur, – por e di se ty të ka vdekur vetëm emri, ndërsa ti je e gjallë dhe e fortë, prandaj unë me ty dua të takohem këtu, mbi tokë, kurrkund tjetër.”
Kjo dëshirë për të mbajtur hapur tunelin që lidh botën me përtej-botën, është sa naive, aq dhe shprehje e një besimi të patundur, që e fashit, e zbeh dhe e pakëson dhimbjen. Kjo e fundit nuk është më një gulçim që rëndon dhe merr poshtë vetes shpirtin, por një proces që me dinjitet mund të përballet si duhet.
Linja e rrëfimit gërshetohet me fatin tragjik të Borës dhe djaloshit që ajo dashuronte aq shumë, Zhanit. E parë nën këndvështrimin e personazheve të tjerë të librit, rrjedha tragjike e jetëve të tyre përmblidhet në këto rreshta:
“ Ti e di dhe më mirë nga unë se të gjithë jemi viktima të fatit apo jo? Duam apo nuk duam ne, jetojmë e dashur në dy botë të ndryshme! Tragjedia më e tmerrshme në jetë ndodh atëherë kur jeta ndërtohet mbi të fshehta. E pra…- dhe Skënderi nisi të rrëfejë fill e për pe gjithçka kishte ndodhur aty. E tronditur, e dëshpëruar, Morena derdhi lot si lumë, dhimbja iu rëndua mbi zemër dhe drobiti të gjithën. E padrejtë jeta, me të gjitha të papriturat e saj.”
Bëhet fjalë për një sekret, i cili nuk shuhet me kohën por kthehet në një dhimbje që bart fatkeqësi. Por dhimbja e ka një fund, duket sikur na thotë autorja, për të na nxitur të lexojmë deri në mbarim historinë e librit. Çdo dhimbje që ka diçka sublime, iu lejon njerëzve të mirë që në një moment të mbushen sërish me frymë, dhe të nisin të jetojnë nga e para, sepse edhe dhimbjet perëndojnë. Humbja atëherë, shndërrohet jo në një tërheqje të dorëzuar, por në një hapësirë ku pas rrebeshit të fatit, nën dhimbjen që sa vjen e zbehet, deri në perëndim, mund të lindin dhe të rriten dashuri nga e para.
Eris RUSI
Kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Bota e Re”
Korçë