… Kam në duar një thesar për studjuesit e muzikës, për etnomuzikologët, për njerzit e artit e kulturës për, dashamirësit e muzikës popullore përmetare. Aty janë kujtimet nga fëminia e Fanit, ndjesi e emocione,tinguj e melodi, rrefime të dëgjuara që vijnë nga thellësia e kohës së viteve 1920 e tutje. Të gjitha këto e shumë informacione të tjera, realitete e përjetime, veprimtari e përpjekje pata fatin ti lexoja e para, që në dorëshkrim…

 

 

Titulli: Përmeti dhe muzika

 

Autor: Fan Ponoçi, muzikant

 

 

Redaktor: Teuta Sadiku

 

Formati: 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

 

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, nëntor 2022

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Ponoçi, Fan

Përmeti dhe muzika : arti vokal dhe instrumental në vite /

Fan Ponoçi ; red. Teuta Sadiku.

– Tiranë : Ada, 2022

88 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-83-4

1.Etnomuzikologjia   2.Muzika popullore përmetare

3.Instrumenta muzikorë  4.Muzikantë  5.Këngëtarë popullorë

6.Përmet   7.Shqipëri

398.8(496.568) :78

784.4 .071.2(496.568)

788 .071.2(496.568)

 

Kujtime që rrëfejnë, kujtime që rrëfehen

 

 

U linda e u rrita me këngët, vallet, kabatë e sazet e qytetit tim, qytetit të luleve, të trëndafilave, të mikpritjes e pastërtisë. Ky është qyteti i Përmetit.

Kush i dëgjoi kabatë, sazet e vajet e nuk u përlot, nuk u ngazëllye, nuk kërceu e nuk këndoi nën ato tinguj muzike të klarinetës së usta Laverit, të zërit magjik të Mentor Xhemalit, cicërimave të violinës së vëllezërve Lela. Muzika popullore e qytetit tim më pëlqen ,më ka mbajtur gjallë shpirtin 30 vjet në mërgim, më ka shoqëruar në çdo festë, gëzim, ngjarje familjare para e mbas mërgimit.

Këto këngë, kaba, avaze përmetare këtë herë më vijnë mes kujtimesh, copëza kujtimesh, imazhe e përjetime të jetuara e të shkruara me dorë  në këtë libër nga muzikanti Fan Ponoçi.

Kam në duar një thesar për studjuesit e muzikës, për etnomuzikologët, për njerzit e artit e kulturës për, dashamirësit e muzikës popullore përmetare. Aty janë kujtimet nga fëminia e Fanit, ndjesi e emocione,tinguj e melodi, rrefime të dëgjuara që vijnë nga thellësia e kohës së viteve 1920 e tutje. Të gjitha këto e shumë informacione të tjera, realitete e përjetime, veprimtari e përpjekje pata fatin ti lexoja e para, që në dorëshkrim.

Ky libër përfshin një material të bollshëm ,të pasur burimor për një periudhë kohore gati 40 vjeçare, që nga Mehdi Përmeti, krijimi i formacionit të orkestrës tradicionale përmetare në vitet 1900, për Alit Asllani, Vangjel Leskovikun, formacionin e bandës, fanfarën e qytetit, për përfaqësimet e Përmetit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, për detaje të dasmës përmetare ,për regjistrimet e hershme të repertorit në Radio Tirana,për gjithë veprimtarinë kulturore artistike deri në fund të 90 –ës.

Instrumentistët popullorë nuk dinin të lexonin as shkruanin notat muzikore por ata dinin të luanin e të prodhonin nota e tinguj muzikorë me veshë. Ata kishin një ndjeshmëri të jashtëzakonshme ndaj tingullit,notave muzikore po aq sa edhe ndaj fjalës artistike. Ata ishin mjeshtra të muzikës e mjeshtra të fjalës, vetë këndonin, vetë shkruanin tekstin, vetë u binin veglave muzikore dhe vetë kompozonin muzikën pa nota të shkruara. Dhe ishin po ata që dinin ta kërcenin atë muzikë me patos.

Ky libër kujtimesh i muzikantit Fan Ponoçi është një ndihmesë e madhe për etnomuzikologjinë shqiptare. Këto kujtime sjellin mbi tavolinën e punës së etnomuzikologut dokumentimin historik, jo vetëm të këngëve si histori muzikore por edhe si një dëshmi e gjallë e jetës së krijuesve.

Për vetë faktin se këngët, kabatë, avazet përmetare i kanë rezistuar kohës dhe vazhdojnë të shoqërojnë festat familjare e kombëtare, gëzimet e dasmat, dëshmojnë për origjinalitetin e tyre, pavarësisht origjinës së krijuesve të tyre.

Këngët popullore përmetare nuk janë konsumuar si këngë rrugësh, si këngë jevgjish, apo këngë të tavolinës, nga një komunitet i përbuzur, i tejvarfër, i paarsimuar, përkundrazi këto këngë pasurojnë trashëgimininë vokale –instrumentale qytetare, kanë bashkuar qytetarinë, muzika u bë shpirti i tyre, u bë ndërgjegjia e tyre e vetvetishme. Nëpërmjet muzikës, notave muzikore krijuesit, ustallarët, mjeshtrat e llautës, violinës, klarinetës përpiqeshin t’i jepnin kuptim botës, muzika e tyre e gjallë përllogarit detaje të çuditshme, jo vetëm dëshmon egzistencë, por ndjen dhe siguron një element kreativ të amplitudës dhe befasisë. Muzika bashkon rrëfimin me mendimet e brendshme të protagonistëve.Muzika përmes notave muzikore përcjell ndjeshmërinë e botës me të cilën përballet nusja, dhëndri, shpreh larmi ndjenjash e thellësi mendimi.

Nuk është fusha ime etnomuzikologjia, por dua të theksoj rëndësinë e këtyre kujtimeve të hedhura në letër, një kthim pas ndër vite i punës, përpjekjeve, momente interesante, emra, ngjarje, veprimtar, një inventar i regjistrimeve muzikore, tingëllore të qytetit të Përmetit.

E ndjeja si detyrë të shkruaja këto kujtime në letër, thotë muzikanti Fan Ponoçi, për t`u lënë brezave të ardhshëm dashurinë për kabatë, avazet, për muzikën popullore përmetare.

A kanë ujë ato burime, më vjen ndër mend kënga dhe pyes veten. E kush nuk i ka kënduar këto këngë e nuk ndjeu freskinë e kënaqësinë e gurrës popullore përmetare, një burim i pashtershëm emocionesh, ndjenjash e vlerash.

 

                                           Teuta Sadiku