… Fjala e poetes përgjatë krijimeve fëshfërin lehtë, si gjethet në vjeshtë, mes habisë dhe psherëtimës në indet e mëndjes. Dëshiron të veshë trishtimin me shkëlqimin e hënës dhe të zbulojë shpirtin e njerëzores. Fjala e poetes feks në errësirë, ngjitur me jetën, rrugëton përmes ylbereve, përtej miteve, me guxim të pashoq, për të lënë rrezet e diellit brenda zemrave.

Me kryeveprën “Përtej Mitit” poeten Dava Nikolli personalisht, pa asnjë hije dyshimi e konsideroj dhe duhet të konsiderohet një MIT…

 

 

Titulli: PËRTEJ MITIT

(Poezi-Poemë-Satirë)

 

-Autore: Dava Nikolli

-Redaktore & korrektore: Vjollca Shurdha

-Kopertina: Helena Mehuka

-NB/.Redaktimi e korrektimi i këtij libri është bërë në bazë të liçencës poetike.

Botimi i parë: 2023

 

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, QERSHOR 2023

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

Të gjitha librat e botuar te shtëpia botuese ADA gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Nikolli, Dava

Përtej mitit : (poezi-poemë-satirë) /

Dava Nikolli ;

red.Vjollca Shurdha.

– Tiranë : Ada, 2023.

124 f. ; 20 cm

ISBN: 978-9928-398-36-9

1.Letërsia shqipe 2.Poezia satirike

3.Fabula

821.18 -17

821.18 -191

 

Parathënia

 

“Përtej Mitit”: Autorja Dava Nikolli në këtë vëllim të radhës bën një udhëtim poetik-historik  në kohë, në mitologji, në artin e lashtë, në rilindasit e deri në kohën e sotme! Paraqet qartësisht që: Koha ka progresuar jo vetëm në mënyrë lineare por edhe në formë toroidale. Vëllimi i ndarë në tre kapituj përpos krijimeve mitologjike përmban: Poezi-Poemë-Satirë…gjeografikisht -Shqipëri, Kosovë, Çamëri. Pikat kyçe të krijimeve janë; mit, ideologji, historiografi, epistemologji, kritikë letrare. Studimi kostant i poetes ka shtruar në temë përsosmërisht mekanikën Mitologjike duke iu shmangur vorbullës e duke krijuar kështu një vëllim të bazuar në materialet arkivore. Duke përdorur historicizimin integral kthen një shkencë në një krijim artistik.Autorja trajton mendimin e saj epistemologjik që fokusohet në kontributin origjinal nëpërmjet këtij koncepti të përpunuar artistikisht, ndaj dhe shkruan:

“Ky shekull i lodhur,/më lodhi kaq shumë dhe mua./Përditë nëpër rrathët e ferrit kaloi./Në kët’ shekull të lodhur fort,/i shoh Zeusin edhe Herën./Ulen nga mali IDA, të dy bashkë,/duke na bekuar pranverën e verën!/Në kët’ shekull të ftohtë akull,/Jezu Krishtin mbajta në zemër. /I lashë pas, krejt Zotat e Olimpit,/se ma lodhën shumë çdo ëndërr!/Në kët’ shekull aspak çudi,/ishte lidhja e Zeusit me Evropën./Lindën t’vdekshëm e t’pavdekshëm,/magjia e tyre e lëkundi tokën! /Në kët’ shekull të lodhur,/shoh Poseidonin n’karrocën e tij./detrave, oqeaneve, u bëri magji!” 

Shqyrtimi i mitologjisë e shtyn autoren të postuloje makinën mitologjike në formë arti! Konsideron këtë praktikë intelektuale si një lëvizje që ruan ndjenjën e lejon të kufizojë kompleksin e emocioneve, përvojave jetësore, konvencioneve e tjer. Për Orakullin e Delfit ku supozohet që ”i lejonte priftërinjtë të komunikonin me Zotat“ me dhimbje mërgimi shkruan:

“/Apoloni më dha leje të shkruaj./Muza ime filloi, nga Delfi./Renda me Orakuj në vend të huaj!/Në kët’ shekull të lodhur, /veç Zotat e Olimpit s’kanë kufinj./Ata janë dymbëdhjetë gjithmonë,/të pavdekshem në sytë mi!”

Ndihet e pikëlluar autorja për kritikalitetin që ka pushtuar mbarë  botën:

“ /Hermesi, ia shtoi hajdutat planetit./shekullit i dha fuqinë e termetit!//Demetra s’ka më fuqi, ka frikë./Hyjnesha e gjithçkaje, mbi kët’ tokë,/dorzohet para hyjneshes Afërditë. /Prandaj më pëlqen mitologjia,/lidhjet në mes Zotave i shoh mirë./Shpesh, sytë i kthej nga Perëndia,/të na dhuroje diell e jo errësirë!”

Poetja sytë i kthen jo vetëm nga Perendia por edhe nga e kaluara e ndritshme kulturore e kombit e Rilindasve tanë, ku u drejtohet:

“Kur më trëmbin mesnatat këmishëzeza./Krijoj imazhin e Rilindasve, kohën tuaj./Këndoj, recitoj, s’mendoj për varreza,/hyj nëpër legjenda e mite dheut t’huaj”

Aktualisht poetja nuk e gjen veten në formulimet negative, në presupozimet e në të treguarit e perspektivave teorike. Vëzhgimi i saj lind nga vetëdija sepse personalisht ndihet  e rrënjosur thellë edhe në historinë politike të kulturës sonë kombëtare. Njohuri që i ve në shërbim për të ruajtur e mbrojtur distancën ndaj Artit e Përçartit, ndaj në një poemë kushtuar At Gjergj Fishtes shkruan:

“Veç duke i parë me sy veprat e tua, o AT’ !/Them se koha ishte flori,ajo e hershme./Sot vlon kudo antivlera si kolla e thatë,/e plevitosur e sotmja, e mistershme!”

Ndërsa në një tjetër kushtuar Cajupit shprehet:

“Eh! Si shumëzohen për orë e çast, /shkuajnë flet-rrufe, prej mllefit t’u plas’./ Me lapsa e pena koti ndër duar, /Luloshat e sotëm janë mustaqe-nxirë./N’gojë fallxhorësh vargje duke recituar,/e vranë poezinë, e shuan letërsinë.”

Gjithsesi nuk rresht së qëni optimiste për përshtatjen strukturaliste të formave të kulturës dhe të jetës. Pena e saj bëhet debat bashkëkohor, ku shpesh vijimi përshkon mes rreziqeve të kundërta me të cilat përballet here pas here! E quan detyre civile e funksionale që poeti të ngrejë zërin me kuptimet përfundimtare, për reagimin politik që ushqen forma gnostike në të cilat fshehtësia bëhet vlerë. Me dhimbje në shpirt shkruan për imazhin e errët të së shkuarës greke me Çamërinë ku vë në dukje dallimin midis masës joautentike dhe atyre që janë të aftë për të vërtetën! Çamëria nëpër flakët e zjarrit të kohës:

Përseritet shpesh historia./thanë, është çmendur Greqia!/Dolën nga ferri njerëz të pashpirt, /duke pështyrë yjet përpjetë!/Hyri shekulli i vjetër në histori,/në shekullin e njëzet e një, prapë./Kundër shqipeve një Greqi,/përsërit incidente ditë e natë!

Edhe mbas shtatë shekujsh “denoncon” autorja me keqardhje, përsëritet historia e ringjallet i çmenduri Thanas. Irituese për të po aq sa Greqia janë disa shtete europiane që:

“…i mbajnë peng,/marrëdhënjet e dy popujve tanë./Deri më sot erdh’ kjo brengë,/gjë pa u bërë shqipeve s’u lanë!/Kështu dhe sot, prapë pabesisht./Kjo arrogante në tokën time./I

shtrin rrënjët, prapë tradhëtisht,”

E më pas vijon:

“Jo vetëm Çamërinë e donin copa,/po t’kishin fuqi krejt Shqipërinë./Lojtare fatesh ishte dhelpër Europa,/si për Kosovën, e për Çamërinë!”

Libri përmban poemtha edhe për të ndriturit e kohrave: Filip Shirokës:

Dashuria për Atdhe e ndoqi kudo trimin,/ “Zani i Zemrës” iu ngrit n’qiell si meteor./”Shko e Eja dallëndyshe” o perlë malli!/Edhe në emigrim, s’pushoi penë e tij./Atdheun e mbuloi me vargje prej zjarri,/digjej poeti për Shkodër, e për Arbëri.”

At Gjergj Fishtës:

Fishta, ishte shpirti i mendimit,/që m’i dha zemёr frymëzimit./Sa largpamës qe Homeri ynë!

Aktual ka për t’qenë sa t’jet jeta!/Sepse shkruajti vargje t’vërteta./

Me mallin e djegur të mërgimit poetja i drejtohet Ndre Mjedës:

Ndalova tek poema jote “Vaj i Bylbylit”/Edhe mua, këtu në dhé të huaj,/çdo mëngjes më zgjon bilbili në vaj./Epokën e mërgimit, unë sot përbluaj,/ndaj me vargun tënd prapë sot po qaj! /T’lexoj si teolog, gjuhëtar, shkrimtar i lirë, madje në muzikë, retorikë, e n’letërsi! /Hymn i shkruajte “Lirisë” të lexova, /sepse edhe sot, po abuzojnë me lirinë!”

E më tej autorja e përlotur shkruan:

Emigranti i lan me lot udhët e botës, /Me lotin valë i vadit damarët tokës,/”

Përsa i përket politikës aktuale të vendit tonë, argoment që nuk mungon asnjëherë në tematikat e poetes Dava Nikolli, momentin ku po vriten vëlla me vëlla vijon me penë kritike:

Sot presin e përcjellin “vëllezërit” turq,/hanë drekat e armikut gjashtëqind vjeçar./I presin, i përcjellin mbi tapet të kuq,/është çoroditur politika e shteti shqiptar!”

Përsa i përket rilindasit Naim Frashëri poetja shkruan:

Dhe vjen Naim Frashëri, si një vetëtimë, /me penën e shpirtit, duke kënduar. Në hark të ylberit e pagëzoi Shqipërinë, /historinë e Skendërbeut duke ligjëruar!

Përgjatë poemës duke cituar “Bagëti e bujqësi” shprehet për mos mbarëvajtjen e gjendjes ku përshkruan si ujqër dykëmbëshit që po shqyejnë e shkallmojnë gjithçka duke okupuar  vendet kyçe në ministrira e dikastere. Qan hallet poetja me rilindasin sepse:

“Me ty i madhi Naim, vdiq Shqipëria. /Jo, jo! S’ka më asnjë djalë që i del zot. /Me çfarë shoh, e braktisi dhe perëndia, /me plehra është mbushur plot kjo tokë”!

Dhe përfundon poemën me premtimin:

Fjalët e tua t’urta i lexova, vazhdoj t’i mësoj,/me to po punoj për të shenjtin Atdhe”.

Ndërsa Pashko Vasës i shkruan:

“Atdhedashuria shpirtin ia kish zaptuar, /”Moj Shqypni, e mjera Shqypni!” /Me lot malli, vendlindjes i ka shkruar, /për t’i shporrur Osmanllinjtë shpirtzinj./O i madhi patriot i Rilindjes! Po sot?…/Shkombëtarizim, politika i bën Kombit,/s’jemi n’qiell as n’tokë, nga këta trutharë!/ Në njëqind parti, shqipet shpërndarë, /njëri mbush bankat e botës, tjetri n’garë

Me vëllimin “Përtej Mitit autorja Dava Nikolli na parqet një vepër sa hulumtuese aq edhe artistike ndërdisiplinore. Nxjerr në pah në të vërtetat e fshehura, karakteristikat, forcën  dhe praninë e përjetshme.

Gjithmonë artistikisht bën propozimin teorik të saj kundër çdo  përvetësimi e hipostatizimi të pahijshëm. Thirrja e saj konsiston që të mos ngelet një qasje negative ndaj mitit, që nuk duhet kuptuar si një objekt i pakapshëm, i largët dhe i varrosur në të kaluarën. Nëpërmjet vëllimit na afron në kërkim të gjurmëve të mungesës së tij. Libri merr kuptime të rëndësishme të natyrës ekzistenciale sepse është i pajisur përpos vlerës humane edhe me vlerë metafizike e fetare. Në fakt autorja tenton të vërtetojë përmbajtjet e temave si realitet përmes besimeve dhe veprimeve të atyre që e njohin e gjejnë veten në të! Shkruar në një nivel të lartë formon kështu universe mendore, rifreskime historike, artistike e mitologjike! Mbi të gjitha dëshiron një sensibilizim e rigjenerim ndjenjash që po shkojnë drejt rrugës së zhdukjes sepse përtej çdo miti të krijuar, ekzistuar a imagjinuar duhet të mbizotërojë –NJERËZORJA-! Për këtë arsye shkruan:

Perënditë e Olimpit /i kanë frikë njerëzit e vdekshëm. /janë fshehur!/Aty ku lindën janë rikthyer…i kanë frikë,/jo vetëm perënditë, por krejt bota./madje nga ata, tronditet vetë toka! /Perënditë e Olimpit ikën…/s’e mbajnë dot njeriun nën sundim. /Njeriu i sotëm është i komplikuar, /është i prirur veç për shkatërrim!

Fjala e poetes përgjatë krijimeve fëshfërin lehtë, si gjethet në vjeshtë, mes habisë dhe psherëtimës në indet e mëndjes. Dëshiron të veshë trishtimin me shkëlqimin e hënës dhe të zbulojë shpirtin e njerëzores. Fjala e poetes feks në errësirë, ngjitur me jetën, rrugëton përmes ylbereve, përtej miteve, me guxim të pashoq, për të lënë rrezet e diellit brenda zemrave.

Me kryeveprën “Përtej Mitit” poeten Dava Nikolli personalisht, pa asnjë hije dyshimi e konsideroj dhe duhet të konsiderohet një MIT.

 

        Vjollca Shurdha

Poete –Shkrimtare –Përkthyese

                 Itali

              20/10/2022