…Fëmijët mbajnë mend ato gjëra që ne të rriturit i kemi harruar: lojën dhe gëzimin e jetës, lumturinë e një çasti, të një ore, të një dite, e cila është e papërsëritshme dhe nuk kthehet asnjëherë pas. Ky është faji ynë: mendojmë gjithë kohës si të bëjmë gjërat për nesër dhe harrojmë që e sotmja është këtu, pranë fëmijëve tanë që na duan dhe kanë dëshirë të luajnë me ne…

 

PJESË E NJË BOTE IMAGJINARE

(tregime imagjinare)   

  

Autori: ARBEN (PETRI) TREBICKA

Redaktor:  FLONJA ANDRANJI, ERIS RUSI

Korrektor: Letizia Jani

Kopertina: ARBEN (PETRI) TREBICKA

 

ISBN: 978-9928-362-66-7

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 14×20 cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Trebicka, Arben P.

Pjesë e një bote imagjinare : (tregime imagjinare) /

Arben (Petri) Trebicka ; red. Flonja Andranji, Eris

Rusi. – Tiranë : Ada, 2022

132 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-66-7

1.Letërsia shqipe         2.Tregime dhe novela

821.18 -32

 

Në vend të parathënies

 

Dy fjalë për të rriturit dhe fëmijët

 

Një poet i madh italian, Dante Alighieri, shprehej se kishte vetëm tre gjëra të mbetura nga parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët! Këta të fundit jo vetëm na zbukurojnë jetën, por dinë të na jenë afër me mendimet e tyre, me dëshirat që thuhen me zë, me përkëdheljet dhe dashurinë që na e japin të pakufizuar.

Sa e vështirë është që të futesh në mendimet e fëmijëve, teksa ata na vështrojnë që jemi përherë duke vrapuar: në punë, në aktivitete, në gjëra të parëndësishme, të cilat në fund të ditës na hedhin një lodhje të madhe sipër dhe na bëjnë të ngjajmë të shëmtuar. Na shndërrojnë në ato figurat frikësuese të filmave që trembin, ndërsa fëmijët pranë nesh na vështrojnë seriozë, të menduar, me habi. Nuk e kuptojnë si nuk kemi edhe ne dëshirë që të luajmë dhe të vrapojmë gjithë kohës, duke i harruar telashet e çdo dite.

Do të ishte shumë e thjeshtë të ndodhte një gjë e tillë, sikur të mos kishim harruar fëmijërinë tonë. Fëmijët mbajnë mend ato gjëra që ne të rriturit i kemi harruar: lojën dhe gëzimin e jetës, lumturinë e një çasti, të një ore, të një dite, e cila është e papërsëritshme dhe nuk kthehet asnjëherë pas. Ky është faji ynë: mendojmë gjithë kohës si të bëjmë gjërat për nesër dhe harrojmë që e sotmja është këtu, pranë fëmijëve tanë që na duan dhe kanë dëshirë të luajnë me ne. Shqetësohemi aq shumë se si do të jenë kur të rriten këta fëmijë, sa heqim dorë së menduari se si ata janë pikërisht tani, në këtë moment…

Ndaj këto fjalë sot janë për librin e ri të shkrimtarit Arben Trebicka, i cili sjell një histori të mbushur plot frymëzim e imagjinatë, ku rrëfimi ka në qendër botën e një vajze të vogël e cila provon udhëtimin më të jashtëzakonshëm në jetë: fluturim drejt qiellit, në lartësinë e yjeve, ku nis aventura e saj e mbushur plot të papritura.

Rrëfimi ngjan të jetë një ftesë për lexuesin, edhe ai duhet ta shoqërojë këtë vajzë të vogël në botën e ëndrrave dhe imagjinatës së saj. Lexuesi duhet të përjetojë të njëjtat ndjenja si kjo vogëlushe, duhet të shohë të njëjtat mrekulli që vështron syri i saj, të përjetojë të njëjtat mendime, me të njëjtin ngazëllim.

Takimi i parë i vajzës me yllin kryesor në qiell, është hapja ndaj aventurës. Ky yll, mbreti i yjeve, i shpjegon nga gjithësia e Universit që çdo gjë mund të kuptohet, mund të jetë e lexueshme dhe e prekshme nga ne, nëse përqendrohemi dhe nuk e lëshojmë veten në mendimet e momentit.

Shkrimtari Arben Trebicka sjell në këtë mënyrë një ndërveprim pedagogjik me fëmijët: edukon dhe ndihmon që ata të krijojnë mjetet për ta interpretuar botën e madhe të mrekullueshme që shfaqet para syve të tyre.

Natyra është e brishtë, edhe kulet kanë jetë, nuk këputen dhe nuk shërbejnë vetëm si zbukurim i përkohshëm në shtëpitë tona. Përvoja e protagonistes së vogël, Elenës, me lule Margaritën që i drejtohet e frikësuar të mos e prekë, është sa e ëmbël, aq edhe frymëzuese. Duhet të tregojmë kujdes dhe dashuri për cdo krijesë që zbukuron botën tonë.

Nga kapërcimet qiellore, historitë zhvendosen edhe në jetën e përditshme, në marrëdhëniet që famëjët kanë me njëri-tjetirn në shkollë, ku ka shumë miqësi, por edhe grindje të vogla, mëri, mosmarrëveshje që duhet të zgjidhen në mënyrën më të mirë të mundshme. I tillë është kapitulli që tregon historinë e Marias, shoqes së Elenës në shkollë.

Në çdo rast, autori ndërhyn dhe jep këshilla të vlefshme për fëmijët. Këto këshilla kanë të bëjnë me sjelljen dhe edukatën që duhet të tregojnë ndaj njëri-tjetrit, si dhe ndaj gjithçkaje ku noton jeta jonë. Kujdesi dhe respekti për pemët, për detin, për tokën, për yjet, është mënyra më e mirë që fëmijët të rriten të lumtur dhe të bekuar.

Në përfundim, mund të themi që ky libër sjell botën e mrekullueshme të Elenës, e cila ndriçohet kur Elena buzëqesh, bëhet e ngrohtë kur ajo mbyll sytë dhe kthehet në një ëndërr të bukur kur ajo dëshiron. Nuk është aspak e vështirë të futesh në një botë të tillë, gjithçka përqark është e veshur me mure të bardha dhe aty ku shkel, parketi është i shtruar me një mirësi të brishtë, i mbushur me dashuri ashtu si zemra e saj.

Për të rriturit ka mjaft gjëra që duket të largëta dhe ndoshta pa shumë rëndësi kur bëhet fjalë se çfarë ndodh në imagjinatën e fëmijëve. Ne jemi mësuar që gjërat t’i shohim bardhë e zi, të sjellim lodhjen e ditës me vete në shtëpi dhe të kërkojmë të çlodhemi, të heqim dorë nga lojërat, të mos kemi dot kohë as për të qëndruar të përqafuar me familjen për të cilën përpiqemi fort.

Në këtë lloj distance, mes të rriturit dhe fëmijës, ata që humbasin jemi pikërisht ne që kemi harruar si është të dhurosh diçka pa kërkuar asgjë në këmbim; si është të mësosh të thuash fjalët e para, të hedhësh hapat e parë, të nisësh të lexosh, të mësosh përmendësh vjersha dhe t’i recitosh ato. E megjithatë gjërat më të rëndësishme nisin nga buzëqeshjet, nga rrahjet e zemrës dhe lumturia që çlirohet nga ëndrrat dhe imagjinata.

 

Eris Rusi

Kryetar i Klubit të shkrimtarëve

“Bota e Re” Korçë