Dhe java fillon mbarë te Botimet ADA, me vëllimin poetik “Po më merr malli për dore” të autorit Gurali Spahillari

 

Redaktor letrar: Dr. Eris Rusi

 

Recezentë letrarë:  Petrika RIZA

Klaudeta RIZA

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati: 13.5x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

 

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, qershor 2023

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

Të gjitha librat e botuar te shtëpia botuese ADA gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë 

Spahillari, Gurali

Po më merr malli për dore : poezi / Gurali Spahillari ;

red. Eris Rusi. – Tiranë : Ada, 2023

144 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-398-27-7

1.Letërsia shqipe  2.Poezia

821.18 -1

 

 

Parathënie

 

Atje tutje, ku zgjatet hija e njeriut, nëse shihni me kujdes mund të dalloni një pellg të vogël, ku syprina e kristaltë e ujit formon imazhe të një kohe tjetër. Është e djeshmja që përkulet nga qielli dhe mbi ujin e jetës reflekton ditë të mira e të vështira, pamje njerëzish që ishin e s’janë më, ndjesi, gëzime, hidhërime, të një jetë tjetër, dikur, kur hija që lëshonim mbi dhe nuk ishte kaq e gjatë sa sot dhe e vetmja që kërkonim nga jeta ishte ngazëllimi.

E djeshmja që nuk kalon, është lidhja jonë me kujtimet, me atë që kemi qenë dikur, me një botë që më nuk është, por që gjurmët e saj i ka lënë të ngulitura thellë, në shpirt, brenda nesh. Kështu, ajo që na mbetet është të mbushemi thellë me frymë e t’i themi vetes: Kjo është jeta… por do të kalojë fare pak, e malli, si një vajzë çapkëne që fshihet pas shpinës sonë, do vijë dhe do pëshpëritë në veshin tonë një fjalë. Ne do të kërcejmë rrëmbimthi më këmbë, do shtrëngojmë dorën e mallit, e bashkë me të do fluturojmë në tjetër kohë, në tjetër botë, në tjetër jetë, atje ku ëndrrat përqafohen me natyrën dhe me njerëzit që nuk janë më.

E pra, lexues i dashur, ky është shtegu ku do të kaloni përmes leximit të librit të fundit të Gurali Spahillarit, “Po më merr malli për dore”. Në përmbledhjen e nëntë me poezi të këtij poeti, këtë herë do të mund të dëgjoni atë tingull intim e të pakrahasueshëm, që jehon nga zemra e poetit, e bashkohet me tingujt e zemrave të çdo njeriu. Ky libër hapet me poezinë që i jep titullin përmbledhjes poetike, e vargjet i ilustrojnë më mirë këto ndjesi:

 

Po më merr malli për dore

pa më pyetur në më flihet,

po më çon në ca bregore,

pranë meje ulet, s’ngrihet!

 

Po më çon në Mal të Thatë,

Tufa çaji për të mbledhur,

Ballit tim i shtohet rrudhat,

Për një mall që tretet fshehur!

 

Po më çon nëpër vendlindje

Dhe më ul në një sokak,

Pa gërhitur, pa bërë zhurmë,

Pranë çezmës sytë i hap!

 

Uji rrjedh me gurgullimë,

Mbi postafin përplot mall,

Si një plagë që shpirti fsheh

Për dy sy që sot nuk janë!

 

Po më çon nëpër Moravë,

Si një zog të fluturoj,

Ca kujtime që kam patur,

Nëpër ëndrra t’i shikoj!

 

 

Ngjan sikur fjalët janë shërim për çdo lodhje të shpirtit. të krijohet një hapësirë e qetë përjetimesh, e vetëm frymëmarrja dhe ulje-ngritjet e kraharorit, të bëjnë të mbahesh me të dyja duart pas realitetit. Kjo poezi, është fillimi i rrugëtimit shpirtëror në këtë libër, sepse fjala shëron, fjala krijon, fjala nxit, fjala dashuron.

Këtë pasion, përmes fjalës, poeti e filtron në ndjesitë e mallit, të rrëfimit për kohën e shkuar, kur gjërat ishin më të bukura, më intime, më të pastra, më të brishta, e për kontrast me kohën e sotme, ruanin një hijeshi që nuk përsëritet dot më. Fjala që i dha zanafillë botës, në duart e poetit është një mjet me të cilin ai ndërton botë të tjera. Fjala shërben për t’iu afruar natyrës, për të prekur kujtimet, për të përmendur ëndrrat, për të shëruar plagët. Në një kohë që sa vjen e bën të ftohtë e të huaj njerëzit me njëri-tjetrin, fjala është një urë e qelqtë, ku mund të kalohet nga një anë e zemrës në tjetrën:

 

PËR FJALËT

 

Fjalët janë porsi burimi,

Mbushin shpirtin buzë më buzë,

Gurgullojnë qetë-qetë

Gurgullojnë edhe me zhurmë!

 

Herë shëron me to dhe plagë,

Një plagë shpirti, domosdo,

Në çdo kohë që e ke marrë

Fjalë e ëmbël e shëron!

 

Poezitë e këtij libri e plotësojnë kuptimin e kësaj poezie. I lënë në dorë poetit që të çlirojë shpirtin nga brengat e tij, por njëherësh të na çlirojë edhe ne nga brengat tona. Fjalës nuk i shmangesh dot, fjala dënon, denoncon, vendos me shpatullash pas muri ata që mundohen orë e çast në këtë vend, t’i bëjnë të keqen këtij vendi. Kjo ngarkesë sociale, është padyshim një nga cilësitë më të arrira të poetit Gurali Spahillari. Lirikat e tij, edhe në këtë libër, nuk i shmangen trajtimit të padrejtësive që kthehen në fat tragjik për vendin tonë. I shohim në dritë të diellit qeveritarët, drejtuesit, ata që ndërtojnë pallate mashtrues me premtime të pambajtura, e që për vete strehohen në resorte madhështore bashkë me familjarët e tyre. Me këtë nerv të zbuluar, është poezia “Kokëboshët”:

 

Po e ha njeriu-njerinë,

Po e vret vëllai vëllanë,

Nëpër zyra grijnë sallatë,

Dhe s’po mbeten shqiptarë.

 

Shkallaisur dhe mësuesi,

Që ka humbur shenjtërinë,

Rri gatitu para nxënësit,

Duke prishur shqiptarinë!

 

Kjo po ndodh në çdo familje,

Kjo po ndodh në Shqipëri,

Kokëboshët dhe profanët,

Na kthyen në robëri!

 

 

Jemi përballë një drame të madhe, që ka shformuar çdo ëndërr të bukur në tokën tonë. Për fatin tonë të keq, drejtohemi nga njerëz që kanë mendjen e zbrazët, shpirtin bosh, e të tillë, mjerane, e duan edhe jetën dhe të armen tonë. Nuk ka robëri më të madhe, sesa të drejtohesh nga njerëz që verbërisht të çojnë drejt humnerës, duke të dhënë shpresë: Edhe pak, arritëm!

I gjithë ky paradoks, i jep poezisë së Gurali Spahillarit forcë dhe dinjitet. Sepse i tillë është poeti, një njeri me ndjeshmëri ndaj çdo lëkundjeje sociale në shoqëri, një individ që di të rebelohet dhe të kumbojë mërinë e tij ndaj çdo fenomeni që lartëson të keqen, në kurriz të së mirës. E tillë është përballja me dramës e ikjes, largimit të njerëzve nga vendi i tyre, nga shtëpitë, njerëzit, kujtimet, që i mbledhin shuk e i shtrëngojnë fort në shpirt. E ndërkohë që fasada e rreme e shkëlqimit propagandon shtegtimin e lirë, nga një vend në tjetrin, për poetin, ata që ikin janë të shkulur nga rrënjët, me fat të shënjuar, të mjerë, që lënë atdheun, pa shpresë, pa kthim:

 

TË MJERËT

 

Tragetet si lundra epohen,

nëpër dallgët që deti shkumon,

dhe fari dritën po ndez,

kur yjet në qiell po ndriçojnë!

 

Po klithin çafkat e vogla,

me flatra mes dallgësh fluturojnë,

shikimet e tyre shigjetë,

mbi dallgët e detit qëndrojnë!

 

Pulëbardhat kanë ikur prej ditësh,

dhe gjurmët mbi rërë kanë lënë,

por dallgët e detit po i fshijnë,

me fshesën e tyre të rëndë!

 

Lëpihet dallga pas bregut,

gjurmë pulëbardhash prish,

një nënë që priste të birin,

trishtuar po kthehet sërish!

 

 

Në përfundim, ajo që lexuesi merr në dorë nga ky libër i ri i poetit Gurali Spahillari, është një mundësi për të ndjekur pas ëndrrat, për t’i dorëzuar mallit, asaj pëshpërime të ëmbël që kthehet në dëshirë, në kujtesë, në përmallim. Kështu krijohen hojëzat e një jete ku gjërat e çmuara që bartin përbrenda e na bëjnë të ndriçojmë në shpirt, i rezistojnë kohës, na marrin për dore e na nxjerrin në shtigje të tjera, ku jeta ka tjetër ngjyrim.

 

Dr. Eris RUSI