Këtë  libër ia kushtoj bashkëshortit tim me rastin e pesëdhjetë  vjetorit të njohjes.

Me respekt të pafundmë.

Me dashuri.

 

 

Titulli: Puthmë fort

Autore: Mimoza PULAJ

 

Korrektor: Çelik Petriti

Vizatimi në kopertinë: Mimoza Pulaj

 

Botimi i parë, 2020

ISBN: 978-9928-269-22-5

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, korrik 2020

 

PARATHËNIE

 

Poetët (natyisht e kam fjalën tek poetët  e  vërtetë  dhe jo te pseudopoetët) janë të  shumëllojshëm  si bimët dhe si yjet, ndonëse  secili në veçanësinë e vet është i papërsëritshëm.

Ka poetët që i ngjisin dalngadalë  shkallët e artit  nga  një vëllim tek  tjetri.

Ka të tjerë që shpërthejnë  me origjinalitetin e vet që  në vëllimin e parë  me të cilin  edhe shteron frymëzimi i tyre  i gjallë, ndërsa  në  vëllimet që pasojnë,  artisti, zanatçiu  zë  vendin e poetit.

Ka edhe poetë që e përtërijnë  vetveten në çdo  vëllim si lumenjtë dhe si deti.

Mimoza Pulaj  u takon  poetëve të fundit. Vëllimi i Mimozës që  po u paraqesim  tani  lexuesve  ndryshon  mjaft  nga vëllimet paraardhëse , është  më i gjerë  në  problematikën e vet dhe njëkohësisht  më konçiz, një  zhvillim ky disi  kontradiktor, po që mund  të krahasohet  me zhvillimin  e një peme e cila  shtrin  degët  dhe fundos  më thellë  rrënjët e veta.

Poetesha vazhdon  të jetë e errët në  poetikën e saj, po është  fjala  për një  errësi  të  ndritshme, e  ngjashme  me errësinë e një nate  me  hënë.

Është  një errësi  në të cilën  lexuesi  zhytet  ngadalë, i tërhequr nga magjia e fjalës.

Po  kritikut  i takon  detyra e vështirë për të shpjeguar, për të deshifruar kodin poetik të autores.

Dora d’Istria, gati  dy shekuj  më parë në veprën e vet “Shkrimtarët arbëreshë të Italisë së  Jugut” flet  për një errësi karakteristike për  shpirtin  shqiptar në letërsi. Në pohimin e saj  ndihet  intuita e një kritikeje të vërtetë.

Kjo  “errësi” në dukje, treguese e thellësisë, u shfaq  te poeti  i shquar  De Rada.

Po paradoksalisht do të kalonte  një kohë e gjatë  para se një veçori  e tillë të  shfaqej  dhe të përhapej në letërsinë shqiptare. Shfaqja e “errësisë” si  parim  krijues  për herë të parë  do të  afirmohej nga drejtimi  letrar i hermetizmit  në Itali.

Ajo do të  shfaqej  në letërsinë shqiptare, së pari në mënyrë  klandestine përmes veprës  së Fatos Arapit që sfidonte  kështu  rregullat  strikte  të realizmit socialist në diktaturë që reklamonin një “qartësi”,  gjoja  të lidhur me  karakterin  popullor të letërsisë.

Në vitet  90-të  hermetizmi  në letërsinë shqiptare  do të merrte  fytyrën e mjaft  poetëve të  rinj, të avangardës së tretë, pas atyre të viteve 30-të dhe 60-të.

Në vitet dymijë  ishte shndërruar  tashmë në një prirje  të qëndrueshme  tok me pas-hermetizmin.

Mimoza Pulaj  renditet midis autorëve bashkëkohorë të  kësaj  prirjeje që tek disa shfaqet si modë dhe jo rrallë fsheh një boshllëk të brendshëm frymëzimi dhe talenti  si dikur  retorika  buçitëse e poetëve  të viteve 50-të në Shqipëri.

Po tek  disa poetë (poetë të  mirëfilltë) errësia është komponente  e qëndrueshme e botës  poetike individuale të tyre. Ky është  rasti i Mimozës. Mimoza erdhi tek poezia, duke  kaluar përmes  shtegut  të matematikës, (mësuese e së cilës ishte) që, me logjikën e vet racionale  dhe saktësinë e jashtëzakonshme të  saj, duket  si e  kundërta e poezisë, veçori  e së cilës  është fluiditeti, karakteri  ajror.

Megjithatë  ekziston  një poezi e fshehtë e  matematikës Po atë mund ta zbulojnë,  jo  shkencëtarët, po poetët. Poetët e lindur.

Numrat  janë  një nga  format përmes  të cilave  qenia  njerëzore i afrohet  pafundësisë. Në   fakt  ata zotërojnë një veti të çuditëshme: s’kanë  fund.

Ato zotërojnë  dy  kahe: atë pozitiv  dhe atë  negativ  që lejojnë  idenë paradoksale të dy pafundësive  paralele.

Ato mund  të jenë  imagjinarë si rrënja  katrore e një numri  negativ, pra, i lenë  shteg fantazisë. Poezia është e tillë, po pasqyron edhe  realitetin. Të  shndërruar, të sublimuar, kurrë të  fotografuar, po prapëseprapë si pikënisje. Si aeroporti për pilotët.

Tani  t’i  rikthehemi vëllimit të Mimozës, errësirës së  ndritshme të tij,  të gjejmë  në këtë  errësirë  yjet – e vegjël  dhe të mëdhenj – të fjalëve.

Mimoza  është  një lëvruese e lirikës së mendimit, ndjenja  në poezinë e saj  sublimohet, kristalizohet në mendim. Gjithashtu  kjo autore e çmon  vlerën e fjalës.

Në këtë vëllim  janë  shtuar  krijimet e shkurtra, çka  dëshmon  për  koncentrim të mendimit.

Konçiziteti i autores  shkon  deri te strofa  dyvargëshe, distiku. Ka  gjithashtu  shumë vjersha prej katër  a pesë  vargjesh.

Te ky vëllim  gjejmë  detaje çuditërisht konkrete.

Po edhe  metaforat elitare  dygjymtyrëshe të  dashura  për Mimozën.

Gjejmë një  Mimozë mendimtare, medituese që  synon të eksplorojë lartësitë, thellësitë.

Po edhe  një  heroinë  lirike  që  sublimon mikrokozmosin e familjes  ku gjenden ende  thellësi të  pazbuluara  të ndjenjës.

Në vëllimin e saj të mëparshëm Mimoza  na ishte  shfaqur kryesisht  si nënë. Si  nënë e një djali të rritur për të cilin është  njëkohësisht edhe shoqe. Po edhe  si  emigrante. Si emigrante  që lëkundet midis  dy vendeve, atij që e lindi dhe atij  që e priti. Duke  shtuar  edhe një vend të  tretë,  atij që  priti djalin e saj. Megjithatë poetesha  nuk shfaqet  si kozmopolite. Ajo  kalon  nëpër  përvojën  e kombit  ku ka  rrënjët  për t’u bërë  në mënyrë ideale qytetare  e botës. Ajo  nuk  e mohon asnjë  herë  vendin e vet të lindjes. Nuk e  idealizon  si nacionaliste, po s’ia  harron  kurrë vlerat. E tillë vazhdon të jetë te ky vëllim, duke  shkruar lirika malli dhe mungese, duke rikrijuar një copëz  Shqipërie në emigracion.

Mimoza  lëvron vargun e lirë, varg  me shtrirje   ndërkombëtare, çka  e lejon të shprehet  edhe italisht.

Nuk është e  lidhur,  si shumë  poetë të atdheut të vet, me poezinë popullore. Nuk  mbështetet te metrika e pasur  e letërsisë  shqiptare, as  në mundësitë  eufonike  që do t’i krijonte  rima  për efekte  ëmbëlsie  dhe ashpërsie.

Megjithatë ka një ritëm të vetin, ritmin e mendimit (dhe të  ndjenjës  që fshihet  prapa  velit  të mendimit). Leksiku i  saj është i pasur, shkon  nga  elitarizmi  tek  thjeshtësia  dhe e kundërta. Ajo  shfrytëzon edhe mundësitë  fjalëformuese të shqipes për  të krijuar  fjalë  kompozita.

Në këtë  vëllim është  thelluar prirja  e Mimozës  drejt problematikës ekzistenciale: heroinën  lirike e shqetëson  kuptimi i  jetës, raporti  midis  së mirës dhe së keqes, jetës dhe vdekjes, ëndrrës dhe realitetit, së  kaluarës dhe së ardhmes. Atë e karakterizon  guximi, po edhe  frika (njerëzore). Ajo përjeton  mallin   për rininë, po  tek ajo  është e pranishme edhe  rinia e përjetshme e poetëve  si dëshmojnë poezitë “Ditëlindjes”, “Bijë pasioni”, “Kureshtare’, “Lind  në çdo  moment”.

Familja dhe  dashuritë familjare  përbëjnë  për heroinën lirike  një  spirancë tek e cila  ajo mund  të kapet  në  detin e jetës,  siç e shprehin poezitë që ajo i  kushton  bashkëshortit, motrës së madhe, të birit, vëllait  dhe nipçes. Tema  të përjetshme, po që  poetesha  mbruhen në mënyrë  të re.  E veçantë është vjersha për shokun e jetës “Puthmë  fort” e cila  nis  me një pyetje retorike që pikon ndjenjë “Sa kohë e mbaj  frymën/ kur më përkëdhel, i dashur?” Vazhdon  me  metaforën e “kështjellës”  së  krahëve (një  nga  metaforat dygjymtyrëshe të dashura për Mimozën, po që ngjan  në kontekst befasuese, meqenëse  zakonisht një simbol i tillë përdoret  për të  ashtuquajturat  tema  të mëdha, po  autorja  e ka  zgjeruar  dhe lartësuar  mikrokozmosin e dashurisë).

Fundi i vjershës është  gjithashtu  shumë  shprehës në thjeshtësinë  e vet (Në  se ndihem  e trishtuar, afromë një kafe … e në se jam e lumtur / PUTHMË FORT/ për të qëndruar e lumtur).

Gjërat e vogla të jetës së përditshme partizohen nga autorja: një  gjest i  thjeshtë  kujdesi, të bërit  e kafes,  si edhe  një puthje e  cila  ka qenë  kënduar shpesh  nga poetët, e shoqëruar me epitete, e  sublimuar në simbole e metafora nga më të çuditshmet, po tek e cila heroina  lirike  sheh  kryesisht një  moment  përjetimi të  ndjenjës së rrallë të lumturisë, nëpërmjet  afrimit  që shpreh  vazhdimësinë e dashurisë.

Duket se poetesha e sheh  lumturinë në thelb te  një  ndjenjë e madhe  siç është  dashuria e vërtetë dhe  përjetësimit të  saj  përmes  fëmijëve (që  përmenden në poezi), po  edhe te gjërat e vogla  të jetës së  përditshme  që fitojnë  kuptim të thellë.

Lirikat për dashurinë erotike nuk janë të shumta tek Mimoza, po janë të thella. Ajo është një nga poetët e rrallë që i këndon  dashurisë bashkëshortore si, dëshmon edhe vjersha tjetër plot me ngrohtësi lirike “Re e bardhë”.

Heroina lirike  ka gjithashtu  mënyrën  e vet të të  kënduarit edhe dashurive të tjera  familjare  siç ndodh  me lirikën që  ajo i kushton  motrës së madhe, që shihet  nga poetesha  edhe si nënë. Dashuria e tyre reciproke  prej motrash e ndihmon poeteshën të ndihet  përsëri  e re,  përsëri fëmijë (për të gjithë  botën  mosha  ime  ka thinja/ Për  të mbeti ÇUPËLINË).

Me vëllanë që e thërret  me llagap përkëdhelës “vëllaçko” ajo  ndihet  “si pjesë  të një trupi”. Paradoksalisht  autorja është “mamaja  vogëlushe” që  përqafon  “fëmijën  burrë”. Prindërit  përkufizohen  me një  metaforë të  goditur “Në tokë dhe në  flakë  DY PEMË/ Nga dielli  shënuar”.

Metafora e pemës  është  njëra  nga fjalët  çelës të  këtij  vëllimi. Në vjershën “Popujt” gjejmë këtë pohim  në formë  aforizmi “E vërteta e pemës  është  brenda saj”. Ideja që buron  pashmangësisht  nga poezia  është kjo: vetëm dashuria  lind  krijesa  të  bukura (Nëse ndodh se duhet të ndodhë/ është  thjesht  një pemë. Që mbijeton. Pa  emocione … Nëse ndodh  me  dashuri është  një pemë e  bukur”). Edhe  lumi  kur “derdhet në det”,  sipas poeteshës, “Nuk  mund  të marrë me vete  pasqyrimet e pemeve”, pra, i  përket  tashmë  një kohe tjetër  që s’mund  ta fshijë  nga kujtesa të parën.

Te “Moment agu”  pas “ngjyrave”  që  “përgatit  qielli/ Piktor  i dehur” vjen çasti  kulmor: zgjimi i pemëve, që simbolizon përtëritjen e  amshuar të natyrës.

Në vjershën “Buzëqeshja e nipçes” shkrihen  e sotmja  dhe e ardhmja . Buzëqeshjen e fëmijës – simbol  të së  ardhmes  – heroina e “bën  të fluturojë”. Edhe ajo  është  një gjyshe  me shpirt të  ri që “nuk  rreth  kurrë  së ëndërruari” dhe  në “VARKËN E SAJ TË NOES”  strehon  “Universin”  që “xixëllon”. Këtu poetesha  përtërin  një simbol  biblik që i përshtatet  kohës sonë  kaotike  duke i  kundërvënë kaosit, përmbytjes simbolike të  vlerave,  shpresën. Pra përsëri  mikrokozmosi  njerëzor shkrihet  në  makrokozmosin.

Më e  ngrohtë dhe intime është “Puthjet  fluturuese”.

Poetesha  shkruan  vargje  të ndjera  për atdheun, pa shfrime  të papërmbajtura  ndjenje, po  edhe pa  retorikë, me një  koncentrim të  thellë mendimi (Frymon dritarja e lindjes/ është kaq  e goditur ky horizont …/ Kur  dua  ta përshëndes, pranvera  mbërrin …/ Jam foshnja  që gjiun  e nënës kërkoj)  te poezia “Vendit  ku u linda”.

Malli  thellohet, lirizmi  theksohet  te vjersha “Përveç meje”, përmes  gjetjes poetike  të rrezes “që  përshkon  retë”. Këtu  mund të  nënvizojmë  dy vargje të një bukurie  të rrallë “Solli  gjithçka nga vendlindja  kjo rreze/ Përveç  meje”.

Atdheu konkretizohet  edhe përmes “shtëpisë së  fëmijërisë” ku detajet konkrete si “kukullat prej lecke” shkojnë  krahas  “dritareve” “prej  librash”, “dyerve” të “diellta”.

Një tjetër fjalë çelës  në vëllim  është  fjala “shtëpi” krahas fjalëve “dritare” dhe “ag” (poetesha  e  thërret agimin  me fjalën e shkurtuar).

“Shtëpia” është strehë, simbol i familjes, i vendlindjes. “Dritaret” dhe “agimi” shprehin “etjen  për pafundësi” të poeteshës, etjen për dritë, besimin në jetë.

Shumë  vjersha  në këtë  vëllim  marrin  titullin  nga terma  abstrakte  si “Vetmia”, “Kurajo”, “Frika”,  nganjëherë  kanë  një titull prozaik, gati  shkencor  si “Natyra  dhe ligjet e saj” (!) (megjithatë vjersha  është  një lirikë  filozofike, aspak  prozaike).

Poetesha  manovron  me drejtshkrimin, përdor  germat  kapitale  për të nënvizuar  fjalë-çelësa, përdor kllapat.

Edhe  sintaksa e autores është e veçantë, e pasur  me fjali  mungesore.

Spikasin  metaforat  dygjymtyrëshe “penel dashurie”, “kështjellën  e krahëve”, “mantel zjarri”, “fytyra  drita – luksi”, “ethet e lakmisë”, “shkëlqim  fjale”, “qerpik  të rrugës”, “hark ngjyrash”, “mantel  zjarri”, “Vesë  shpirti”, “ulërima shpirti”, “vallëzim  resh”.

Mbi  të gjitha  sundon  kryemetafora  “vallzim  i  bukës” që  poetesha  ëndërron  t’ua  shpërndajë fëmijëve të gjithë botës  që të mos mbeten “të uritur “. Ajo  ëndërron  ta shndërrojë Tokën  në një “tavolinë dashurie” (“Gëzuar 2020!)

Po kjo mbetet thjesht  një ëndërr fisnike siç e  tregon  mënyra  kushtore (nuk  do të mbetej, do të  kishin  zbritur).

Heroina  lirike  përjeton  edhe vetminë, edhe  frikën  siç tregojnë  lirikat  plot  dhimbje (“Vetmia”, “Vetmia e madhe”, “Frika”).

Pra ajo nuk shtiret, është njerëzore  e megjithatë e ruan  si një  zjarr  të brendshëm optimizmin, madje  me një  guxim  të paparë  kërkon  si Napoleoni  dikur,  “të fshijë” “nga  fjalori”  “fjalën e pamundur”.

Poetesha  gërmon  në thesarin e fjalëve. Krahas  metaforave  gjen epitete që janë  edhe ato  befasuese (puthjet  fluturuese, shikimi i ngjyrosur, veshje  qumështore, shikim  të kaltër  – gjelbërosh).

Gjen  edhe  oksimore (shi  dielli), edhe  sinestezi (buzëqeshje e kuqe, parfumon dritë).

Po krahas  këtij  elitarizmi  figurash  gjejmë edhe ngritjen  në  lartësi  poetike  të sendeve  krejt të zakonshme dhe në dukje  prozaike të jetës. Të tilla  janë  fasulet e  vjershës  omonime (megjithatë, një  fëmijë si autorja vogëlushe e dikurshme mund të  tërhiqet  ndaj tyre, ngjyrave  të tyre  të shumëllojshme, ngjashmërisë së tyre  me syrin, me  rruazat, t’i  besojë  shpjegimet  poetike që i  jep mamaja  sikur “një  zog i vizaton” “me  sqep”). Dhe ato  janë  edhe  simbol  i gjellës së  varfër  të shqiptarëve të kohës së fëmijërisë së autores. Poetesha  zbulon poetiken edhe te autobuzi (“Autobuzit të rinisë  sime”) të cilin   e sheh si “shtëpi udhëtuese” duke  iu rikthyer  fjalës çelës “shtëpi” edhe  te biçikleta, duke  i parë këto si simbole të lëvizjes dhe të  komunikimit  midis  njerëzve.  Heroina lirike  nuk ngurron  të  huazojë nga matematika  fjalorin e saj të  ftohtë dhe  të përpiktë (“ekuacion”, “drejtkëndësh”, “segment”, “vëllim”) dhe me një alkimi  të çuditshme ta shndërrojë në poezi  ekuacion i bekuar (“Rrahjet”), “ekuacion  fluturimi” (“Kujtesë”), drejtkëndësh i errët (“Vizitë  mjekësore”).

Ajo madje ka arritur  të poetizojë edhe  rrënjën katrore (“Si mund të futet/ logjika në ETHET E LAKMISË?/ Aq sa  mund të  quash  racionale/ rrënjën  katrore të  dyshit?”. Poeteshës  i  duhet  iracionalja  e  numrave  për të  deshifruar iracionalen  e marrëdhënieve  njerëzore  nga buron  antiteza (sa  më i LARTË / qyteti vertikal,/ aq më  shumë  i sëmuri/ ilaçin  pret …). “Ethet”

Pranë patosit  lirik  të poezisë  dinamike  dhe rebele të Mimozës, ndeshim  edhe  patosin  humoristiko-satirik  me të cilin  ajo skicon  profile  midis vizatimit dhe  karikaturës  njerëzish  të çnjerëzuar si njeriu bosh  që “nuk  ndryshon  dot atë  që s’ka/ Por  ta fshehë mundet. Si segmenti pafundësinë” dhe “pulson  në detin  e jetës:  aisberg i pamatshëm./ Poshtë  ujit: ZBRAZËTIA  ose  “njeriu virtual”,  krijesë moderne që është “PA TINGULL FRYME”, që “me  një  dorë  jeton”, “një boshllëk” i veshur  me asgjë” ose “Kopraci”,  një koprac  modern  edhe ky, ndryshe  nga Harpagoni klasik që  ka  si “veti” të  “shpirtit të tij”, “frikën nga mjerimi” dhe  s’njeh  kurrë “kohën  e gëzimit”, ngaqë e shtyn  gjithnjë për të nesërmen, pafundësisht e largët siç është  e pafund  lakmia e tij, për të  përfunduar  në “udhëtimin  e fundit”  “pa bagazh. Pa  timon. I pasur. I vdekur” (të vihen  re fjalët e shkurtëra  që pasojnë  njëra tjetrën  si goditje  për të  arritur  kulmin  në epitetin e fundit që e shndërron në realitet një “vdekje  në  të  gjallë”).

Poezia e Mimozës  nuk është aq një poezi  auditive sa një poezi  vizive. Ndonëse  konkretja  dhe abstraktja  në këtë poezi  alternohen, botës  poetike të  autores i japin ngjyrë  metaforat me bazë zjarrin  që shprehen  në fjalët  zjarr, flakë, diell  dhe metaforat “e lëngëta” që lidhen  me ujin, burimet, rrjedhat e tij. Vetë poetesha  e sheh veten  ai “një pikë ujë”, një “pikë ujë”.

Në poezinë e kësaj  autorejeve   që “nuk ndryshon dot rrjedhën e lumit” po “nuk dorëzohet” ndërthuren  agimi “agu”  që është për të tepër i dashur si simbol jete dhe rilindjeje të përhershme, muzgu dhe nata, pranvera  dhe  vjeshta. Poezisë së Mimozës  nuk i  mungojnë  edhe aromat, “të  lumturat aroma, që ndeshim  te “Autobuzit të rinisë  sime”, “të bukës, vajit e qepës/ të  rakisë e  dashurisë/ të qumështit të nënës, luleve e djersës”, të “djersës magjike” të  punës  dhe lëvizjes  që takohet  te “Biçikleta ime”, të algave te “Endërruesja”, të “gjetheve të ullinjve” te “Erëmoj”.

Palitra e poeteshës  ka mjaft  ngjyra. Pranë “jo-ngjyrave”, së  bardhës, së zezës, ngjyra antitetike  që shkrijnë a thithin  të tjerat, gjejmë  të  gjelbrën, të kuqen, të  kaltrën, gështenjën, vjollcën.

Edhe  në  florën  e botës  poetike  të autores  ka  shumëllojshmëri  dhe përpikmëri (trëndafila, kumbull, mullaga, orkide,  hurmë, pjergull, luleshqerra,  qershi).

Kjo florë risjell me një konkretësi  piktori  kryesisht pejsazhin  e vendlindjes dhe kujtimet e fëmijërisë, të lidhura  me këtë  pejsazh. Nuk mungon  edhe  valenca simbolike.

Te  fauna  mbizotërojnë zogjtë (dallëndyshet, shqiponjat, bilbilat, mjellmat), shfaqen  në të  rrallë ujqit, një merimangë, një  peshk.

Mimoza e ka  pasuruar  poetikën  e saj duke i  qëndruar besnike  vetvetes. Ajo duhet  t’i ruhet vetëm  një  rreziku, dehjes nga figurat.

Si lexuese dhe  kritike  kam marrë në dorë me respekt  dhe dashuri  buqetën  e vargjeve  të saj  të lidhur  me një “fjongo mirënjohjeje”. Po ua  kaloj lexuesve të tjerë.

 

Prof. Dr. Klara KODRA