Është e natyrshme të dëgjosh mendime të ndryshme, të lexosh kundërthënie e debate, të përpiqesh të kuptosh çfarë fshihet dhe çfarë fitohet pas një polemike të drejtë dhe pa hile. Patjetër që fitohet shumë; fitojnë individët, fiton edhe shoqëria. Veç, asnjëherë nuk e kam kuptuar përse sot dhe dje, dje dhe sot, përplasjet dhe mohimet, frika dhe pasionet, ekstremizmi dhe revanshi, gjejnë përherë të çara në shoqërinë tonë, të çara që mandej i djallëzojnë edhe më tepër hijet e së pakuptueshmes. Nuk e di pse është kaq e vështirë të jesh i paanë, të mbash ekuilibër dhe drejtpeshim, të kontrollosh emocionet, urrejtjen po se po.

 

 

 

Titulli: Shqipëria në dy kohë

Autor: Vangjush Saro

Redaktor: Zamira Saro(Kaloshi)

Kopertina: Ilir Drizari, Eno Muho

 

 

Botimi i parë: 2022

 

ISBN: 978-9928-362-28-5

Formati: 13.5x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, prill 2022

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Saro, Vangjush

Shqipëria në dy kohë: fjalë për jetën, artin dhe “humorin” para dhe pas vitit ’90 / Vangjush Saro.

Tiranë : Ada, 2022

124 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-28-5

1.Letërsia shqipe  2.Kujtime  3.Ese  4.Kritika, interpretimi

821.18 -94

821.18-4

821.18 .09

 

Në vend të prologut

 

Kompromisi, një mision ende i pamundur për shqiptarët

 

Çfarë ndodhi me ne, me jetën, me kulturën, zakonet, letërsinë, gjithçka tjetër, në këto dy kohë, para dhe pas vitit ‘90? Pse kaq shumë zhurmë e prapë mjegull e dërdëllitje pa fund?… Është e njohur, madje shumë familjare për ne, ideja e pambështetur e nevojës për t’iu qasur së vërtetës; në cilëndo temë. Është e njohur gjithaq grishja (pa sukses) për më shumë ekuilibër, për drejtpeshim, kompromise, qetësi dhe maturi: në shprehjen e opinioneve dhe në përcaktimin e pozicionit intelektual e njerëzor në udhëkryqe a dyzime që nuk mungojnë tash sa kohë.

Duke i qëndruar përherë përballë kësaj çështjeje të rëndësishme, si dhe pikëpyetjeve që lidhen me të, kam menduar se më e pakta që mund të bëja, ishte trajtimi dhe sjellja e saj në publik me qetësi, por duke kërkuar pareshtur. Dhe kështu, vetvetiu edhe gjithë lënda e këtij libri, anipse nuk iu shmanget fakteve dhe hollësive, madje as elementit biografik, shkon kryesisht nëpër meditime, dilema, pyetje, pohime dhe reticensa, gjithsesi duke synuar një ndihmesë modeste në këtë temë.

Është e natyrshme të dëgjosh mendime të ndryshme, të lexosh kundërthënie e debate, të përpiqesh të kuptosh çfarë fshihet dhe çfarë fitohet pas një polemike të drejtë dhe pa hile. Patjetër që fitohet shumë; fitojnë individët, fiton edhe shoqëria. Veç, asnjëherë nuk e kam kuptuar përse sot dhe dje, dje dhe sot, përplasjet dhe mohimet, frika dhe pasionet, ekstremizmi dhe revanshi, gjejnë përherë të çara në shoqërinë tonë, të çara që mandej i djallëzojnë edhe më tepër hijet e së pakuptueshmes. Nuk e di pse është kaq e vështirë të jesh i paanë, të mbash ekuilibër dhe drejtpeshim, të kontrollosh emocionet, urrejtjen po se po.

Nga kudo që vjen, përvoja e kompromisit, asnjëherë nuk ka përbërë lajm të keq. Bie fjala, a ishte nderimi për Mit’hat Frashërin një kompromis? Patjetër; duke pasur parasysh kontributin e tij intelektual. Por a ishin të tilla të gjitha nderimet e kësaj periudhe, ndonjëherë dekorimet masive?… Vështirë të formulohet një përgjigje sadopak optimiste. Nuk është e nevojshme të përpiqemi të shpjegojmë kuptimin e fjalës kompromis dhe as t’i përgjërohemi termit; sepse nga sa kam parë gjer më sot, për ne shqiptarët, më duhet të them për një shumicë nga ne, kompromisi është ende një mision i pamundur. Ndoshta jo edhe për shumë kohë…

Këto radhë janë një përpjekje modeste për t’iu qasur sadopak të vërtetave; edhe kompromisit, pse jo.