Autore: Bukurije Bushati
Titulli: Shshshshshteti vret!
Korrektore: Klaudia Malaj
Redaktore: Klaudia Malaj
Kopertina: Piktore Elona Marika

© 2016 Bukurije Bushati
Të gjitha të drejtat të rezervuara

Botimi i parë, 2017

ISBN 978-9928-244-17-8
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 13.5x20cm

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, gusht 2017

TE GJITHE LIBRAT E SHTEPISE BOTUESE “ADA” MUND TE GJENDEN NE BIBLIOTEKEN KOMBETARE

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Bushati, Bukurije
Shshshshshteti vret : roman / Bukurije Bushati ; red. Klaudia Malaj.
– Tiranë: Ada, 2017
316 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-244-17-8
1.Letërsia shqipe 2.Romane
821.18 -31

Dëgjoheshin rënkimet e fundit të një nate mbytur shiut e gjëmimeve. Perdet e trasha nuk kishin mundur t‘i pengonin dritat e rrufeve që natën kishin luajtur lojën e shtrigave. Nga jashtë lagështia ia shtonte ftohtësinë dhomës së vogël të gjumit. Zgjati dorën mbi llambadarin, i vetmi kujtim i Moskës ku kishte vazhduar pesë vite studimet për energjetik. Shtypi butonin e tij dhe priste që drita e llambushkës, duke u përplasur në kristalet e bardha në forma ovale e të rrumbullakëta, të imitonte strukturën e diamantit dhe të shpërndahej në dhomë e vakët.
Shtrëngata natën do të kishte këputur ndonjë tel elektriku që nuk kishte dritat. U ngrit me ngadalë, pa dashur t‘ia prishë gjumin së shoqes, që me kurriz të kthyer nga ai kishte mbështjellur në duar jastëkun e vogël. Buzëqeshi duke iu kujtuar kjo dhuratë që ia kishte bërë asaj një pasdite dimri, kur i duhej të ikte me shërbim në Kukës. Ajo i kishte thënë se do të ndjente të ftohtë. Ai kishte dalë të gjente ndonjë borsë uji dhe sytë i kishin shkuar tek një jastëk kuadrat, që gratë i vendosin divaneve. E kishte marrë dhe pasi kishte blerë edhe pak pëlhurë të kuqe, ia kishte sjellë në shtëpi duke i thënë se po të shtrëngonte jastëkun, kishte për ta ndjerë shtrëngimin e saj dhe do ta frymonte atë ngrohtë prej së largu. Kishin qeshur atë mbrëmje, kur ajo formën kuadrate të jastëkut e kishte kthyer në formë zemre.
– Mos e shtrëngo që sot, – i kishte thënë duke qeshur kur kishte parë atë ta shtrëngonte jastëkun rreth gjoksit. – unë jam akoma këtu. Shtrëngomë mua! …