… Kur përfundon leximin e këtij vëllimi poetik kaq magjik të Florenc Allmuçës sikur të shoqëron jehona muzikore e ritmet e vargjeve, shkëlqimi i figurave artistike dhe gjetjet e befasishme me imazhet që vështirë se shlyhen lehtë.

 

Autori: Florenc Allmuça

Titulli i librit: Si ta bëj të flasë?…

Redaktor: Ahmet Mehmeti

Botimi i parë 2022

ISBN: 978-9928-326-48-3

Përgatiti për botim: Roland Lushi

©Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall 32. Ap. 7

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, 2022

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Allmuça, Florenc

Si ta bëj të flasë?… : poezi /

Florenc Allmuça ;

red. Ahmet Mehmeti.

– Tiranë : Ada, 2022

60 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-48-3

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

 

FLORENC ALLMUÇA:

“SI TA BËJ TË FLASË?…”

Nga Ahmet MEHMETI

Pas më se dhjetë vjetësh nga botimi i librit të parë me poezi “Tinguj dashurie” ( Tiranë, 2009) Florenc Allmuça vjen me vëllimin e ri poetik “Si ta bëj të flasë?…”.

Ajo që bie në sy menjëherë në këtë libër, në krahasim me të mëparëshmin, është guximi për të shkruar diçka ndryshe, një kuturisje artistike në formë, stil dhe figuracion.

Nëse në librin “Tinguj dashurie” zotërojnë poezitë e shkurtëra me stil telegrafik, në këtë vëllim të ri janë zotëruese poezi më të gjata.

Në qoftë se para dhjetë vjetësh ndjenjat e mendimet shpreheshin me stil të thukët, në librin e ri ka më shumë hapsirë dhe zhvillim “narracioni” duke u dendësuar me figura e ndjenja dhe duke ruajtur e çuar më tej pasurimin me mendime poetike plot larmi e freski figurative që jo vetëm të kënaqin emocionalisht dhe nga ana estetike por nxisin për një diskurs të gjithanshëm.

Edhe figuracioni poetik ka fituar një plazmim më kompleks dhe na jepet si në një tablo me ngarkesa të ndryshme ndjesore dhe që rrezaton emocione të shumta e të forta.

Të gjithë këtyre elementeve të artit poetik u shkojnë per shtat dhe i lidhin si një fije e artë ritmika dhe melodika dinamike, si në vëllimin e parë.

Figurat tingëllore si asonanca e konsonanca i japin vargut të Florencit një funksion të dyanshëm muzikor e kuptimor:

Stilolaps po bëhem unë,

bëhu ti, të lutem, letër,

nëse do bëhem dhe lumë

por do bëhesh urë patjetër.

Aliteracioni, në rastin konkret përsëritja e të njëjtave bashkëtingëllore “t” dhe “r” brenda të njëjtit varg dhe strofe, si edhe rima e asonanca, u jep atyre një harmoni të veçantë.

Një nga figurat tingëllore (të diksionit) të përdorura me mjeshtëri nga autori është anadiploza (epanostrofeja) ku shprehja ”më pëlqen” theksohet në fillim të strofës, në fund të vargut të dytë, në fillim te vargut të tretë si dhe në fund të strofës:

Më pëlqen t’i kaloj mëngjeset me ty

dhe mbrëmjet të ngrysen me ty më pëlqen,

më pëlqen të të puth si dikur përsëri,

t’i kujtoj të gjitha vërtet më pëlqen.

Ose një tjetër rast si në poezinë “Rajanit”:

I pari në festa, i pari gëzim,

i pari ndër vete, i pari ndër shokë.

Me figurën e anadiplozës poeti kërkon të tërheqë vëmendjen ndaj një çasti të veçantë të poezisë duke zgjatur një përjetim të këndshëm emocional.

Që në poezite e para të këtij vëllimi autori bën thirrje (esklamacion) me figura të fjalës (tropetë) si metafora, metonimia, epiteti, personifikimi, duke ngritur zërin plot vrull rinor dhe pyetje retorike: “Hiqe perden midis nesh / ik nga ndrojtja e mallkuar / deshi fati t’na bashkojë / a mos vallë ishte e shkruar?”

Duke u ndalur tek tropetë , në poezitë e Florencit metafora është ndër figurat më zotëruese: “Nëse më gërrmoni në shpirt / thesaret e botës do gjeni”, “Kjo ndjenja jonë s’do zbehet kurrë”, “zemra shkrihet në pritje”, “kush tjetër dhimbjen do ta vrasi?”, “lart në qiell do ngrihem erë”, “shëtis në kujtimet verore”, “ngrohemi me puthje sërish” etj

Në poezinë e Florencit përveç pastërtisë dhe sinqeritetit të ndjenjës, të konceptuara kaq me delikatesë si në vargjet e sipërcituara, bien në sy edhe forca, vrulli dhe shkathtësia rinore si në vargjet metaforike: “Fshehtas puthjet t’i rrëmbeja / sa dhe ti s’ më shihje dot”.

Si figurë e përdorur me efekt të spikatur na vjen metonimia : “Hiqe perden midis nesh”, “më ler të jetoj qetësinë time”, “ethet nga shpirti mi shkule” etj.

Ndër figurat e fjalës nga më të përdorurat është epiteti, i cili e bën atë më të fortë dhe më të plotë: “Kish qenë vrastar shikimi që hodhe / sa plagë të rëndë më hape në shpirt”, “në sirtar të kyçur / do ruaj këto ndjenja”, “sytë shkëlqimtarë”.

Edhe figura e personifikimit në penën e Florencit bëhet vepruese ose mosvepruese sipas situatës:”kur më prangos pesimizmi”, “miqësinë kurrkush s’ta prek me dorë”, “kur nata merr rrugën në ngjitje”, “bulevardi ndali çdo hap përqark”, “heshtja kish kapluar vrik”.

Befasia është një tipar tjetër që e freskon dhe e pasuron poezine e Florencit si ky rast me figurën e personifikimit ku shfaqet thjesht e bukur intimiteti: “Nata sapo nxirrte këmbët / ti hop me vrap e përmbi gju”

Në poezinë e Florencit vend të veçantë zënë edhe figurat e kuptimit (mendimit) si antiteza, krahasimi, hiperbola, litota, shkallëzimi, ironia, paradoksi etj. Tensionet e fuqishme shpirtërore shpërfaqen me forcën e kontrasteve ( antiteza): “Pranverë gjithnjë në shpirtin tim / e tek ti dimër përherë”,

Krahasimet për dashurinë shpirtëzohen në përmasa të mëdha (similituda): “Nga zemra kurrë s’do mund të të fshijë / Zoti i madh e di ç’ je për mua, / si gjirin e nënës kur isha fëmijë / dhe ty aq fort do të dua”, “dielli s’është i fortë sa malli për ty”.

Motivi i dashurisë në poezinë e tij e tejkalon spektrin e dashurise si e tillë duke u shndrruar në dashuri universale që shtrihet kudo si në këtë varg hiperbolik nga më të bukurit në poezinë shqipe: “Nga malli me puthje dhe stolin pushtova” Hiperbola (stërzmadhimi) është një nga figurat më të dashura të poetit me të cilën realizon një qëndrim të caktuar emocional: “fundin dhimbjes kurrë s’ja panë”, “krejt habitur gjithë njerzia / gati sa s’i shtyp makina”etj.

Një hiperbolë e jashtzakonëshme është edhe kjo strofë, unike në magjinë e saj:

Të më falin gjith pushtetin

s’ do më hyj’ aspak në sy

jo veç kaq por gjith planetin

s’do ta ndrroja kurrë me ty.

Edhe litota (zvogëlimi), e kundërta e hiperbolës, jep një ngarkesë kuptimore emocionale të veçantë: “Përpëlitej buza të thoshte dy fjalë”, “Sonte zemra mu bë copë / copë mu bëre dhe ti. / Çdo gjë më duket e kotë / kur s’dëgjoj një fjalë nga ti”.

Edhe shkallëzimi si figurë që nxjerr në pah mendimin dhe qartëson kuptimin ka vend të veçantë në poezinë e Florencit si në këtë strofë: “Ah të të kisha pranë tani / me mallin që kaplon gjithë qenien time / si herën e parë që shtangëm të dy / pa akuza, pa fjalë, pa lëndime” ose si në këta dy vargje: “Grua, më s’jemi të etur si dikur / kur çaja kodra, shtigje, male”.

Ironia si figurë e kuptimit sjell domethënie në poezinë e tij me kontrastet e këndëshme: “Fajin mos ma hidh veç mua / se po të ishe ajo e para / s’ të pyesja fare dua s’dua”.

Nuk është i huaj as paradoksi si figurë e mendimit në krijimtarinë e Florencit. Me vargun “Sot kam frikë të të dua” ai ndërton poezinë “S’di pse?” duke filluar të tria strofat e saj me të, e duke i dhënë kuptim më të thellë tekstit pavarësisht se kemi dy kuptime të kundërta, për të na shpalosur rrjedha të pazakonëshme asociative.

Me një tingëllim të qartë e të pastër të diksionit, të organizuar aq mirë në gjithë strukturën fonike të tij, me anë të rimave të larmishme e ritmit të gjallë, autori na transmeton emocione të thella përmes kësaj loje të spikatur piktoreske erotike: “Më kujtohet kur shkarazi më puthe në faqe / a ndoshta në buzë fare s’e mbaj mend / më kujtohet kur syri na shkrepej pa dashje / e dora na shkiste vend e pa vend”.

Forca emocionuese e poezive të tij rritet shumë nga efektet e ligjeve të ritmit sidomos kur përdor harmonizimin me figurat artistike sintaksore (të ndërtimit) si në strofën në vijim:

I çmendur nuk jam e budalla aspak,

mos më quaj mëkatar. Përse

ti me hap drejt meje e unë me vrap

se aroma jote më deh.

Këtu kemi të bëjmë me figurën e bartjes që shërben për të thyer monotoninë e vargut klasik . Me figurën e bartjes vargu nuk mbaron në fund të rrjeshtit por kalon në rrjeshtin tjetër. Kjo figurë nënvizon me forcë emocionale shkakun përse, pra jep atë që do të nxjerrë në pah. Edhe pyetjet retorike që autori i përdor shpesh si figura sintaksore dhe që kanë në vetvete përgjigjen e mundëshme shërbejnë si fjali dëftore që theksojnë një qëndrim të caktuar emocional.

Autori përdor edhe një tjetër figurë të sintaksës siç është polisindeti që përmban një numër të madh lidhëzash të përsëritura, të cilat japin imazhin e shumësisë, ngadalësojnë ritmin dhe shtojnë dramaticitetin si në këtë poezi humoristike:

“Grua, më s’jemi të etur si dikur / kur çaja kodra, shtigje, male, / tani krevatin ngrohim bashkë, / më vjen të plas e ta pres fare”.

Në poezitë e Florencit ka një dendësi të madhe figurash artistike sa që në një strofë të vetëme gjenden të shkrira disa figura si personifikimi, metafora, hiperbola, litota e krahasimi:

Sonte shumë më mungon, ta dish,

malli e brenga po më tresin si shkumë,

një lajm i zbritur prej lart perëndish

më thotë se dhe ti po tretesh si unë.

Krahas motivit të dashurisë dhe atij erotik autori lëvron me shumë sukses edhe motivet patriotike, shoqërore, të miqësisë, etj etj deri edhe motivet çajupiane dhe eseninane.

Me frymëzim të veçantë dhe emocione të forta, plot optimizëm i këndon dashurisë për trojet tona amtare në poezitë me tituj “Çamërisë” dhe “Filatit” ku spikatin sinqeriteti artistik dhe përkushtimi atdhetar. Në poezinë “Çamërisë” zgjimin kombëtar për të drejtat e mohuara me dhune, genocid e spastrim etnik e jep figurativisht me shprehjen metaforike “Heshtjen fort nën dhe mbuluan” kurse optimizmin me krahasimin dhe metaforën “Si bletë do lëshohemi në trojet tona / të thithim nektarin që shumë kemi prit”. Në poezinë shumë të bukur kushtuar “Filatit” kemi një hiperbolë unike ne poezinë shqipe:

Marr tatpjetën nga Filati

për t’parë lumin Kalama,

gati sa s’doli nga shtrati

dhe Ai mua kur më pa.

Edhe kur përfundon leximin e këtij vëllimi poetik kaq magjik të Florenc Allmuçës sikur të shoqëron jehona muzikore e ritmet e vargjeve, shkëlqimi i figurave artistike dhe gjetjet e befasishme me imazhet që vështirë se shlyhen lehtë.