MIMOZA GRUDA – NJË ZË POETIK QË RIKTHEHET NE MOSHËN E PASIONIT.

Dikush duhet ta mbajë mend, kur një grua e bukur, elegante dhe e qeshur, duke u prezantuar ne GRILIATEN POETIKE të VERONËS, ngarkuar me nje mal emocionesh dhe ndrojtje, tha:
– Unë jam Mimoza Gruda prej Shkodret….!
Qeshëm dashamirësisht të gjithë, por kuptuam, se midis nesh, kishte ardhur një mike artiste.
E kam njohur rastësisht, siç kam njohur pjesën dërmuese të miqve në internet. Më bënte përshtypje, se nuk mungonte gati asnjëherë, në krijimet e mia modeste. Dikush që të ndjek, ose është një i apasionuar me shpirt pas poezisë, ose është vetë poet….Me këtë sensacion, u prezantova dhe zbulova se brenda shpirtit te Mimoza Grudës, rrinte një gacë e mbuluar me hirin e braktisjes, që nga mosha e artë e rinisë… Provova t’i fryj… Gaca shkëndijonte akoma….Nuk ishte shuar përfundimisht….. Në vazhdim folëm gjatë për poezinë, derisa, një ditë, ajo mori guximin dhe më dërgoi një lirikë, e cila më befasoi…. Nga ky moment, kemi bashkëpunuar dhe kam maturuar me gezim dhe lumturi rrugën e saj të rritjes.
Karakteristikë e krijimtarisë së saj, është spontaniteti i veçantë, me të cilin zgjedh subjektin lirik, mënyra BIO e të thënit, gërshetuar me gjetjet befasuese, me një leksik të thjeshtë, por depërtues, qe të ngjall kënaqësi estetike, emocion shpirtëror dhe meditim ndiesor.
Do vini re shpejt, mënyrën e të shprehurit. Gjate një redaktimi të lehtë, nuk kam cënuar larminë e gjuhës, si një veçori origjinale të Mimozës. Një gërshetim i mrekullueshëm i dialektit spontan, të origjinës së autores, me gjuhën zyrtare, shpeshherë edhe brenda një poezie…
Veçori tjetër është forca lirike e zbulimit “ nudo “ të shpirtit, në raportin ndërshpirtëror të njerzve.
Miq!
Mos pritni të lexoni KRYEVEPRA!
Por ju ftoj të lexoni LIBRIN SPONTAN, “ TA KISHA FALUR VIRGJRINË “, që poetja ua ofron me bujari dhe sinqeritet dhe shijoni shpirtin krijues te një poeteje, që po RIKTHEHET NE MOSHËN E PASIONIT TË DIKURSHËM, me pretendime modeste, por me dëshirë, vullnet dhe përkushtim të madh, për të bërë udhëtimin e saj në artin poetik. Mendoj se është në udhë të mbarë!