Te pikturosh fjalen…
Te pikturosh driten…

Redaktor: Phd. Shpresa (Fundo) Gjergji
Korrektore: Phd. Shpresa (Fundo) Gjergji
Recensent: Prof. Dr. Begzad Baliu
Kopertina: Designer Ing. Ana Taushani
E-mail: gjata.arqile2@gmail.com
Tel. 0030.6947544199

Botimi i parë, qershor 2017
ISBN: 978-9928-223-82-1

Përgatiti për botim: Roland Lushi
©Të gjitha të drejtat i takojnë autorit
©Të drejtat e ketij botimi i takojne shtepise botuese ADA

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
www.botimetada.com
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2017

Në vend të hyrjes
Kur lexojmë letërsi, përveç kënaqësisë dhe argëtimit që ajo sjell, i kushtojmë gjithashtu vëmendje aftësive lexuese kritike, duke e analizuar me kujdes gjuhën e figurshme apo literale, e përdorur në vetë shkrimet letrare artistike. Me “eksplicit” gjuha literale ska nevojë për shpjegime, sepse vjen i kuptueshëm lehtësisht, imazhi që rrethon “fabulën” e asaj që thuhet. Me “implicit”, gjuha e figurshme sygjeron dhe shprehet nëpërmjet figurave letrare, (metafora, krahasime, antiteza, simbole, ironi etj.). Kjo gjuhë është abstrakte hera-herës, por më e koncentruar, e përmbledhur dhe pikërisht shpreh gjuhën që lidhet me letërsinë për t’i dhënë bukurinë ligjërimit në vargje, të pikturuarit të fjalës në vargun poetik.
Gjuha e figurshme prodhon imazhe të ndjera dhe e bënë abstrakten koncept konkret duke ilustruar më shpejtë se sa e shprehur literalisht. Duke lidhur njohuritë dhe eksperiencën me mesazhin e përcjellë tashmë tek lexuesi, e bënë atë më aktiv në leximin e materialit të servirur me kujdes dhe interes, për të marr pjesë në këtë proces komunikimi, që e mundëson letërsia si një aktivitet sintetik jo pasiv e shoqëror.
Kur lexojmë poezi, fokusohemi se si e sa vepron gjuha e përdorur kur ajo vjen e pasur dhe e larmishme tek lexuesi. Shumë njerëz përpiqen të përcaktojnë kuptimin e poezisë, nëse mesazhi fshihet ndër vargje…gjuha e figurshme e sjell atë në forma e mënyra të stërholluara, dhe krijimi i përfytyrimit në

poezi është përpjekje për të pikturuar çfarë poezia i delegon lexuesit të saj. Të fokusohesh tek fjala në poezi apo edhe në prozë a shkrime të tjera letrare, nënkupton të zbulosh dritën me të cilën ajo pikturohet…domosdoshmërisht do të të duhet ta ndjesh këtë rrezatim drite ndër sytë e memorjen e audiencës tënde.
Duhet të theksojmë, se poezia është laboratori ku ngjizen njësitë frazeologjike. Arsyeja është se figurshmëria është pjesë e pandarë e çdo ndërtimi apo krijimi poetik.
Lirikat e trajtuara në temat e këtij studimi të quajtur “Mozaik Letrar” të autorit A. Gjata, marrin karakterin e një buqete shumëngjyrëshe nëmërmjet strukturave dhe veçorive si shkurtësia e poezive, sidomos ato me ndikim popullor, (i referohem këtu prurjeve në vargje, të sjella me finesë nga autori, të poezive nga trevat e Labërisë dhe këngëve të M. Kokalarit etj.); denduria dhe thjeshtësia e shprehjeve, frazave, njësive frazeologjike, togfjalëshave etj., të përdorur e kuptimplota në to; theksi i veçantë afektiv sentimental e emocional; shprhësinë e një gjendje momentale shpirtërore; ngjyrime tonesh personale individuale, (kujtoj këtu individualitetet mjaftë të spikatura të autorve të përzgjedhur në këtë studim dhe “unin poetik individual” të tyre, stilin e veçantë etj.); e deri tek karakteri intim i tematikave e situatave specifike e artistike të gjetura në poezi a prozë etj.
Që në krye pohoj se lirika e përzgjedhur nga autori i këtij “Mozaiku Letrar”, A. Gjata, ndesh me të folurin e përzgjedhur ku mesazhet shpirtërore kërkojnë dhe realizojnë të gjitha rrafshet gjuhësore që kushtëzohen nga tematika e lloji i lirikës së lëvruar, nga personazhet, nga mjedisi, nga elemente të natyrës tejet shprehëse, ku vetë kjo lirikë është prezente dhe interpretohet. Shpirti i poetit zbulohet përmes një realizimi

të përsosur gjuhësor, shumë të pasur me mjete shprehëse e të figurshme, herë shumë thjeshtë e herë komplekse ku duken qartë se brenda saj gjen atë antitezë të kontrasteve jetësore, kur themi se bashkë me dritën ka edhe zymtësi, atje ku ka butësi gjen edhe të vrazhdën, atje ku takon dashurinë përballesh edhe me urrejtjen, ku lumturon gëzimi, gjen edhe dramën, ku mbizotëron respekti, ndjen edhe zhgënjimin etj., si pjesë e dialektikës shoqërore në zhvillim.
Gjuhëkrijuesi, në këtë “Mozaik Letrar” kurorë-fjalësh shpirt-shprehëse, gjen në botën që na rrethon dukuri natyrore, sende, objekte, bimë, kafshë, shpendë etj. dhe cilësi të tyre fizike me funksionet e tyre lehtësisht të dallueshme nëpërmjet fjalës së tyre identifikuese e të figurshme me të cilën vetë ky studim letrar shprehet dhe stoliset si një pikturë ngjyrash drite nëpërmjet kuptimit të brendshëm që mbetet padyshim mjeti më i efektshëm në letërsinë lirike shqiptare.
Metafora është tropi më i realizuar e domethënës. Ajo vjen e ndjerë dhe e lidhur me simbole të natyrës, të botës së njeriut, me dashurinë etj., imagjinata është e lirë si shprehje e lartë e mendimit në lirikën moderne. Shpesh shfaqet procesi i formimit të kompozitave. Në rrafshin leksikor dallohen kompozita të tilla is leshraverdha, kryepajën, pëlhur-çjerrë, lulemollës, pëllumbpostierit, kartmonedha, vizion-shkrirës etj.
Këtu frazeologjia merr vlera të fuqishme konotative dhe rrafshi i sintaksës poetike lirike tërheq vëmendje për prurjet ku spikasin fjali të thjeshta që shprehin shumë, kumte të drejtpërdrejta, përsëritje të vargut që krijojnë efekte ritmike të larmishme ngjyryese të përdorimit të fjalës si pjesë e leksikut të gjuhës sonë amtare.
I gjithë materiali letrar analitik është ndarë në katër kapituj, ku secili mbart peshën që autori ia delegon lexuesit të tij. Ai është

i hapur dhe i kuptueshëm në ç’ka analizon, por edhe filozofik, veçanrisht në shkrimin dhe prezantimin e eseve, sa enigmatik dhe filozofik, aq edhe real në ekzistencën e tij të përligjur, ku brendashkruan atë botë të madhe të psiqikës njerëzore, për të përcjellë mesazhin në mënyrën e vet individualiste, shumë ndryshe nga të tjerët, por që do ta krahasoja sado pak me atë të “Kamy-së” duke iu referuar “Trokthi i Kuajve”, ku heroi ynë është një hero absurd, i ngjashëm me “Merso-në” tek “I Huaji” i A. Kamy. E lidhur kjo me ekzistencën njerëzore e cila për të është e pakuptimtë… ajo merr forma të ndryshme si një risi në mënyrën e rrëfimit në vetën e parë…ku heroi nuk synon karrierë, nuk vuan nga ambicje të sëmura dhe paragjykime, nuk është zhurmëtar apo xheloz, i pranon ditët t’i jetojë si të vijnë…
Një vend të vacantë zë kapitulli i kumtesave, të cilat vijnë si analizë gjuhësore dhe letrare, me detaje me shembuj, ku poezia lirike shihet si pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe shprehje e botës së brendshme të autorëve. Tematikat dhe mjeteve artistike të përdorura, gjuha në ligjërimin poetik me specifikat narrative i implikon këta autorë (poetët Ali Asllani, Nexhat Hakiu dhe Fatos Arapi), të cilët Gjata i bënë bashkë në punimin mbi Labërishten. Leksiku i tyre shfaqet me ndikim të theksuar popullor dhe integrimi i tyre në kësi analizash ruan vlera të trashëgimisë kulturore e lidhur kjo me identitetin, krenarinë dhe pasurinë gjuhësore kombëtare. Ky interes duket se është i vazhdueshm nga analistë, kritikë e studiues në kontributin e fjalës shqipe, në fondin e letrave shqipe.
Për një sërë autorë, të njohur apo jo, bashkëkohës të poetit A. Gjata, jepen vlerësime të sinqerta dhe me profesionalizëm, si shpërblim i punës krijuese të tyre dhe i një respekti të ndërsjelltë për veprat dhe lëvrimin e fjalës letraro-artistike

shqipe.
Shkrimet lirike sjellin në këtë peisazh të fjalës së shkruar, vlera aktuale, pavarësisht kohës që ato evokojnë dhe lenë mbresa vlerash gjuhësore morfologjike, leksikore e semantike me tematikat e larmishme, me gjuhën e forcën bindëse të fjalës, ku komunikimi është jetësor, i gjallë dhe personazhet e tyre janë simpatikë. Kritika ka nota sinqeriteti, profesionalizmi, përmend këtu, sidomos kritikën e shumë të konsideruar ndryshe për poezinë e prozën shqiptare të Prof. Fatmir Terziut, që ashtu siç pohon edhe poeti Gjata në këtë studim të fjalës:
“Tani jemi shumë më të kamur pasi kemi me tepricë ‘’poetë‘’ se sa lexues. Kjo vjen nga mungesa e të vepruarit, të seleksionimit nga ana e kritikës dhe e studimeve të veçanta për poezinë. Një dilemë e tillë, do të thoja, se është një temë për të cilën duhet diskutuar me kurajë, dinjitet dhe në mënyrë shumë të ndershme në të ardhmen duke patur si pikë drejtpeshimi edhe studime të mirëfillta si studimi gjithëvlersues i Dr. F. Terziu me Kritika ndryshe.’’
Poezia si evidentim i vlerave krijuese të poetëve në këtë ligjërim, shpesh vjen si një shpërthim ndjenjash që shtresohen e sublimohen përmes metaforave, simboleve, krahasimeve, antitezave etj., dhe gjuha poetike rrezaton lirizmin, imazhin, perceptimin, etj., përmes dhimbjes, gëzimit, dashurisë, urrejtjes, dëshirës, durimit, mirëkuptimit, brengave e dilemave e sjellë me stilin unik të poetit që e dashuron pa fund atë, poezinë, artin e fjalës.
Poezia padyshim ka brumë nga gjuha e popullit dhe siç thekson studiuesi V. Memishaj “poezia si lloji i krijimtarisë artistike ka “kapriçot” e veta dhe krijuesi i saj gjendet në vështirësi në përzgjedhjen e përdorimin artistik të fjalës dhe jo më të njësisë frazeologjike, e cila, duke qenë e ndërtuar me

dy a më shumë fjalë shënuese “njxerr kleçka”, në rrafshin semantik, në rrafshin e realizimit metrik të vargut apo të realizimit të figurshmërisë, si tipar kryesor i saj.”1
Aftësia për të abstraguar, motivimi semantik i figurshëm, është i lidhur ngushtë me aftësinë që kanë folësit e një gjuhe, për të njohur elemente të veçanta të realitetit objektiv dhe për t’i ndërthurur ato në interesin e tyre në ligjërim, me përdorimin e njësive frazeologjike, në mënyrë që të arrijnë komunikimin e duhur, pavarësisht shkallës së motivimit që e bënë këtë komunikim me rezultativ. Edhe gjuha, në gojën e personazheve në letrat e A. Gjatës, dallohet për mendimin dhe filozofinë që shpreh, pa pretenduar se gjithshka është thënë në mënyrë përfekte. Jeta dhe ëndrrat janë energjia brenda harkut konceptor që dakortësimi të vijë natyrshëm. Mendimet e tij, përgjatë rrjedhës së vargjeve, janë të thella si në perceptim ashtu edhe nëse i sheh ato në lëvizje të pandalshme. Ato shprehin vërtet një lloj dimensioni që të bëjnë të mendohesh e të thellohesh në gjykimin ndaj tyre, (ka mendim, dinamikë, komunikim).
Figuracioni dhe veçoritë e stilit të të shkruarit japin tekste e nëntekste ku del qartë individualiteti i papërsëritshëm i gjuhës së përdorur, ku fraza si uji i kristaltë, rrjedh natyrshëm dhe për të studiuesi kosovar Zenun Gjocaj tek ’’ Struktura Leksiko- Semantike e Stilistike e Frazeologjisë Shqipe’’(Prishtin 2001), shprehet se ‘’frazeologjia e metaforizuar dhe metafora e frazeologjizuar janë bashkëshkrije, janë elementë semantik e stilistik’’,2 të cilët autori ynë i përdorë për të na dhënë një tablo sa më reale më vlerësimet e tij në këtë “Mozaik Letrar” që vjen
1 V. Memishaj, “Kërkime gjuhësore 4”, Tiranë 2016.
2 Gjoçaj, Z. (2001). Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe, Prishtinë.

drejt lexuesit i vërtet dhe dinjitoz.
Nuk dyshoj aspak kur them se kjo tërësi substanciale, kjo mënyrë e “të pikturuarit të fjalës” vjen si një mundësi e “të pikturuarit të dritës” brenda saj. Ajo dritë e cila është vetë komunikimi ndërkulturor e gjuhësor, ku fjala vetë, me pasurinë frazeologjike në tërësinë e përpunimit dhe performancës, formës dhe përmbajtjes, vjen e qëndisur në këtë mozaik të pasur gjuhësor e shpirtëror të poetit Gjata.
Phd Shpresa (Fundo) Gjergji