Ai u vendos në Tiranë që kur ishte ende në vitet shkollore dhe, pas studimeve, filloi punë si redaktor në revistën prestigjioze “Ylli”, e cila, për koicidencë të një sensi supersticioz, i kishte zyrat e redaksisë në Rrugën e Elbasanit, pranë Urës së Tabakëve.
N’asnjë libër poetik, të cilët ai i krijoi dhe i botoi njeri pas tjetrit, nuk mungon Elbasani; Karadaku është ajo kumria që s’e tradhtoi kurrë…

Do të dal në rrugë
Të kap një makinë çfarëdo
Të hidhem në vendlindje
Që zemërohet kur s’më sheh…

Titulli: TORAKS
Poezi
Autori: Shefki Karadaku

Ilustrimet: Autori

© Të gjitha të drejtat janë të autorit

ISBN: 978-9928-296-29-0

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Tirazhi: 250 kopje

Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +3554 68 221 9016
Tiranë, nëntor 2019

Sa shumë është shkruar dhe është folur për letërsinë e përkufizuar si letërsia e viteve ’30 dhe, me gjasë, sa shumë do të shkruhet e do të flitet ende për të në t’ardhmen, duke vazhduar ta këndvështrojë gjithsecili përmes optikës së tij etiko – filozofike, të ndikuar fatkeqësisht shpeshherë nga ideologjia politike, zotëruese e ditës, që e kushtëzon partia, e cila ka radhën të konsumojë kalendarin e saj qeverisës…
Megjithatë, duhet të pranohet se, janë paraqitur mjaft studime të njëmendta, serioze dhe me nivel të dorës së parë, për këtë letërsi, më së paku, jo dogmatike dhe jo e politizuar, si letërsia që do të lëvrohej pas luftës…
Sa me kënaqësi i radhis emrat e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Migjenit, Kutelit, Spasses, Kokonës, Nexhat Hakiut, Lasgushit, të gjithë me vokacion të spikatur perëndimor, por njëherësh, me nuanca të dallueshme kulturore, në përputhje harmonike me vendet, në të cilat ishin shkolluar. Këta e hoqën fesin oriental nga koka dhe, vunë të gjithë pa përjashtim kapelen republike.
Mjerisht, disa prej këtyre vjershëtorëve atdhetarë, vdiqën herët, disa të tjerë e mbërritën komunizmin hoxhian dhe, u detyruan gjithsesi të bëjnë një letërsi të tjetërllojtë nga ajo që do të dëshironin të lëvronin, e prapë se prapë, për ironi, nuk i shpëtuan dot përsekutimeve, ndërsa dikush tjetër, Lasgushi, si rrallëkush, ndonëse jetoi gjysmë shekulli nën diktaturë, e ndërpreu ligjërimin e tij poetik dhe, i këndoi shpirti veçse së brendshmi…
Megjithëse realizmi socialist veçse realitetin nuk e pasqyroi asnjëherë, por iu shmang të vërtetave tronditëse dhe tragjike, me qëllim jetëzgjatjen e pushtetit të klikës që i shërbente, arriti paradoksalisht të sigurojë në fondin e vet vepra të mirëfillta me nivel të lartë artistik, madje poeti dhe prozatori Ismail Kadare, u përkthye dhe u botua edhe në Europë e më gjerë, duke korrur sukses dhe famë të padiskutueshme me krijimtarinë e tij.
Por brendapërbrenda vendit gjithçka shkonte në kahje të kundërt; veprat që e thyen klishenë e ngurtë të socrealizmit, klishenë me atë frontin e pozitives përballë negatives, me heronj të shpifur, të tipit Partia mbi gjithçka, e ca të tjera si këto, nuk patën thuajse asnjëherë fat të mbarë; këtyre veprave iu pezullohej shpërndarja dhe shitja pa filluar mirë dhe nuk përfshiheshin në tekstet letrare të shkollave, teksa autorëve përkatës, iu duhej të shkruanin me ngut n’intervale të rregullta kohore librin – haraç, apo librin – taksë të radhës, siç quheshin vesh më vesh, për të shlyer kështu njëfarsoj detyrimet, fajet dhe shqetësimet, që i kishin shkaktuar Partisë me prirjet e tyre dekadente…
Prapëseprapë, letërsia, krahas arteve të tjerë, shpërtheu e nuk u përmbajt, por këtë herë, modelet për gjinitë, qëndrimin estetik dhe moral dhe, vetë fryma propagandistike dhe agjitative e saj, erdhën nga Lindja, saktësisht nga vendet e kampit socialist.
Shkuan radhë – radhë në Bashkimin Sovjetik poetët dhe prozatorët shqiptarë për t’u specializuar në Institutin Gorki, por mjerisht mjaft prej tyre, përveçse nuk e emancipuan dot veten, u kthyen të deformuar dhe konfuzë, në një rast si surrogatoja e Shollohovit, Ostrovskit, Paustovskit, apo veprimtarit Lunaçarskij, me atë afishen e tij për stilin e artit proletar.
Por Kadareja, me të ardhur në Shqipëri, botoi menjëherë vëllimin poetik “Shekulli Im”, vëllim që u përpi nga lexuesit mendjendritur dhe, u bë një gur i rëndë kilometrik në trasenë e historisë së re të letërsisë shqiptare. Kësaj poezie novatore iu kundërvunë tepër të indinjuar, madje të prekur në sedër, ca poetë të zbritur nga malet e luftës, të proklamuar si bartës e besnikë të traditës kombëtare, por që në fakt, nuk ishin gjë tjetër, përveçse ca të prapambetur agresivë që, duke huazuar nga folklori, deri edhe vargje të tërë ad litteram, e trazonin atë, e shëmtonin dhe e bënin edhe qesharak. Por, hajde të përballeshe me gjokset e tyre të koracuar me hekur medaljesh…
U ndërprenë poemat prolikse narrative, me asortimente të tilla si : letra e nënës dërguar vajzës së saj, që mësonte për tezgjahiste në Moskë, ku e porosiste më pari të mos e turpëronte atdheun, përgjigjja e së bijës që e siguronte se ishte e para e kursit e qindra e qindra vargje të tjerë epistolare dhe, filluan të parapëlqehen poemat sintetike, të derdhura në varg të lirë, përplot inversion e kadenca të zhdërvjellta, tematika përfshirëse e të cilave, ishte ndërtimi i vendit, heronjtë e ditës, lufta kundër fesë dhe zakoneve të prapambetura të shoqërisë, të trashëguara nga e kaluara feudale, ishte dashuria, dashuria e lirë, që përndizej në vendet e punës, në parqe e grunaja, n’auditore e ku jo…
E, pra, mos pandehni se poezia ishte pa lëng e klorofilë, pa libido erotike dhe, pa dritë perspektive në horizont; ajo po shkruhej sa kurrë më parë ndonjëherë dhe, vetë gjuha shqipe, për rrjedhojë, po lëvrohej e po përpunohej me një ritëm dinamik mbresëlënës, ndonëse i lypsej të përballej me një leksik të varfëruar dhe disa herë edhe me një sintaksë gjithashtu të varfëruar, që iu shkaktuan standardit zyrtar të saj nga prerja e krahut të gegnishtes…
Ka pasur antikonformistë, pranojnë shumica e studiuesve të letërsisë, por edhe ndonjë shkrimtar që hedh një artikull aty – këtu, ka pasur edhe të rebeluar spontanë, në çaste çmendurie artistike, por jo disidentë të njëmendtë e të qendrueshëm.
Unë, nga ana ime, them se ka pasur edhe disidentë të vërtetë, individë të spikatur, nga ata që u bënë dëshmorë të fjalës së lirë. Por le të vazhdojmë; tjetër drejtim ka ky shkrim…
Poetët e pambarimtë rusë, vëllimet e të cilëve shiteshin n’origjinal (atëherë shqiptarët mësonin të gjithë rusisht nëpër shkolla ) te libraria e Librit Sovjetik, pak metra më tutje Sahatit, u përkthyen furishëm dhe u bënë të njohur nga të gjithë kolegët e tyre shqiptarë, madje nisën të imitohen në frymë e tonus, duke i plaçkitur pa u vetëpërmbajtur.
Kështu, në faqet e shtypit letrar u shfaqën, eseninë, majakovskë, bagrickë, pushkinë, bllokë simonovë, gjersa, më të talentuarit shkëputeshin e përpunonin stilin, të nxitur së brendëshmi nga shpirti i tyre…
Atmosferën letrare në kryeqytet e gjallëronin dhe e pasuronin së tepërmi gjithë freski edhe të ashtuquajturit poetët e Qytetit Studenti, të cilët, në vëllimet e tyre kishin çdo herë edhe një cikël vjershash nga vendlindjet piktoreske, nga kishin ardhur. Nga ai qytet romantik njëzetvjeçarësh, doli edhe Shefki Karadaku, i cili, që me promovimin e librit të parë, e ngjiti yllin e tij në konstelacionin poetik shqiptar. Kritika e vëmendshme e asaj kohe, e quajti kraharori i lirikës, teksa libri i titulluar “Kënga e karrove të drithit”, u përhap e u bë i dashur për lexuesit apasionantë e të gjitha shtresave:

Udha e madhe e poezisë
Niska edhe nga rrugica e vogël
Me atë shelgun leshralëshuar
Para portës së shtëpisë…

do të drithëronte pena e Karadakut dhe libri i botuar në mijëra kopje, tirazh normativ n’ato vite, u kthye në një trend poetik, krahas dy – tre vëllimeve të tjerë më të arrirë të autorëve të brezit të tij. Atëherë, libraritë në Tiranë, të hapura ngado, i mbanin librat të ekspozuar për një kohë të gjatë në vitrinat e kursyera e nuk ua hiqnin nga sytë lexuesve, duke i zëvendësuar harbutërisht me të tjerë fill pas disa ditësh, si t’ishin mall konsumi ditor, perime e ca të tjera si këto…
Te Rruga e Barrikadave, më së shumti, ku rrotullohej xhiroja, që derdhej që nga Broduej ( Rruga e Dibrës ) kalimtarët do t’i këqyrnin çdo herë librat në vitrinë, do t’iu lexonin titullin dhe emrin e autorit me interes e kërshëri dhe, ndonjë letrar i ri do të ëndërronte hareshëm që, një ditë të shihte edhe ai librin e tij n’ato vitrina…
Në këto rrugë, deri edhe përpara Bibliotekës Kombëtare, e më tutje, përgjatë kolonadës së Pallatit të Kulturës, do të ndeshje edhe grupe poetësh, që ecnin e ndalnin herë pas here, tek bisedonin, gjersa lëshoheshin te kafenetë për të prishur honoraret, duke rrëkëllyer fërnet apo konjak, teksa recitonin të prekur ndonjë nga poezitë e shkruara së fundmi:

Eh, shiu pëshpëritës i vjeshtës
Të veçon e të përfshin n’intimitet
E dashur e dashur që më mungon
Si të çelet gonxhja e buzëve kur qesh…

Poeti Shefki Karadaku, që erdhi nga Elbasani i kumries, kësaj embleme n’ajër, nga Elbasani i Kalasë me çezmat te porta që rrjedhin e rrjedhin si mikpritja dhe shtëpitë përbrenda me lule dhe vajza të bukura, nga Elbasani i Ditës së Verës, i Ballokumeve të ëmbla si mikpritja, i Shkumbinit shkumëzues, përgjatë brigjeve të të cilit stinët ndërrohen si dekore; nga Elbasani i Kristoforidhit, Isuf Myzyrit, Dhaskal Todrit, Vëllezërve Shpataraku, Bezistanit, Rrapit të Vojvodës, me poezinë e tij me vlera kombëtare, i dhuroi këtij qyteti një identitet të ri, Elbasani i Shefki Karadakut.
Ai u vendos në Tiranë që kur ishte ende në vitet shkollore dhe, pas studimeve, filloi punë si redaktor në revistën prestigjioze “Ylli”, e cila, për koicidencë të një sensi supersticioz, i kishte zyrat e redaksisë në Rrugën e Elbasanit, pranë Urës së Tabakëve.
N’asnjë libër poetik, të cilët ai i krijoi dhe i botoi njeri pas tjetrit, nuk mungon Elbasani; Karadaku është ajo kumria që s’e tradhtoi kurrë…

Do të dal në rrugë
Të kap një makinë çfarëdo
Të hidhem në vendlindje
Që zemërohet kur s’më sheh…

Dhe, për poezinë e Shefki Karadakut u prononcuan me radhë të gjithë kritikët dhe shkrimtarët me emër që nga Kadareja, Sterio Spasse, Perikli Jorgoni, Llazar Siliqi, Dritëro Agolli, Adriatik Kallulli, Xhezair Abazi, Faslli Haliti, Roland Gjoza, Petraq Risto…

Ikën dallëndyshet nga toka ime
Era krahët e brishtë ua nder
Vesa q’iu mpik në sqep si rubin
N’Afrikë shpirtin tim poetik
Do ta mbjellë…

Të gjithë poetët i këndonin shtegtimit të zogjve në vitet gjashtëdhjetë e më tutje, të gjithë e kishin lajtmotiv arratisjen planetare të tyre, siç duket, ngaqë për vete, si qytetarë pa pasaportë, që ishin, ecnin e ngecnin në mjedise të ngushta si oborret e ajrimit nëpër burgje.

Mbi rrapet e lartë plot vjeshtë
Përgjatë Shkumbinit që nxiton
Patat e egra ndjek tek humbin
Në një shtegtim pasdite vonë…

Kështu do të shkruante poeti intimist Shefki Karadaku që në shkrepjet e tij të para poetike dhe, ky shtegtin qiellor i zogjve do të ravijëzonte përngaherë tërë lirikat rrëzëllitëse të mëpastajshme të tij.
Poeti me kaçurrelat bionde alla Esenin, i ndrojtur dhe sakaq edhe rebel, më pas do ta hapte tej e tej edhe shtëpinë e tij, i përfshirë prej një shpirti trillan si të bohemit që s’ndal.

U shemb shtëpia ime
në agun e një vjeshte
Lejlekët fluturuan
mbi gjerdhe si një brengë.

Gjithashtu po n’ato vite, Karadaku shkruan në heshtje dhe fshehtësisht edhe poezitë e librit, që do të botohej fill pas vitit të madh dhe përmbysës nëntëdhjetë. Shfaqja e rrufeshme e këtij vëllimi me horizonte të ndriçuar, ende pa i rënë tërë dhëmbët diktaturës, vërteton saktësisht dhe pa mëdyshje se, ai u shkrua dhe u ideua nën diktaturë, i mëkuar nga inpulse të pandërprerë aspiratash liridashëse. Duhet theksuar ky moment i botimit sepse, siç edhe mund ta dini, aty nga viti nëntëdhjetë e tre, e më pas, u bë e modës të botoje ndonjë vjershë të vetme, apo edhe një tufë syresh, që godiste në mënyrë aludive, por përse jo, edhe drejtpërdrejt diktaturën ! Dhe këtë marifet mashtrues e bënin më së shumti, ca ish poetucë komunistë, propagandistë e dogmatikë, që spiunuan kolegët e tyre edhe për një llaf të hedhur pa kujdes…
Ishin poezitë e librit, titulli i të cilit u përzgjodh dhe u fiksua që në fillesë “Feniks”, poezi që u shkrumbëzuan dhe u hirnosën të ndryra në sirtar njëlloj si edhe feniksi mitik, gjersa po ashtu si ai shpend, një ditë u flakëruan dhe, të ringjallura, fluturuan në dritë ! “Feniksi”, ky vëllim poetik i mrekullueshëm, i shkruar tërësisht n’ëndërrim të lirë, ishte ndoshta libri i parë i letërsisë shqipe të pasdiktaturës, i shkruar ndryshe. I shkruar ndryshe, jo vetëm përsa i përket stilit, apo manierave sintaksore e morfologjike, por, së pari, sepse ai libër dilte haptazi kundër mbylljes, censurës dhe, dhunimit të të drejtave të njeriut nga komunizmi: Feniksi pati ndikim të menjëhershëm në botën letrare shqiptare, kur e pa dritën e botimit, në nëntëdhjetenjëshin, por kritikët rudimentarë të diktaturës, kritikët pedantë dhe dogmatikë, që të bënin gjëmën gjer dje, ndonëse të konvertuar sakaq, me ngut në demokratë të përvuajtur dhe aktivistë, pa iu ardhur pikë zori e turpi, s’para e pritën mirë botimin e “Feniksit”, meqë ai përndizej fund e krye nga këngët e revoltës dhe, kësisoj përvolën buzët dhe, të vënë në rresht, zbatuan strategjinë e heshtjes, metodën ndoshta më vrasëse, më denigruese dhe më injoruese.
Por, ç’është e mirë, është e mirë dhe, pluskon mrekullisht, pa ia pasur frikën, në të gjithë detet, qofshin të thellë e fundosës, qofshin me tallaz dhe furtunë…
Ky libër i ribotuar për herë të tretë më 2012, u prit me entuziazëm të ringjallur nga lexuesit e shtuar prej radhëve të brezave të rinj, të atyre brezave, që ose e kanë cekur fare pak mynxyrën e diktaturës, ose nuk e kanë përjetuar fare, sepse janë lindur në vitet e para të nëntëdhjetës. E, megjithatë, pikërisht një student i njerit prej universiteteve prestigjioze të Europës, u shpreh për Feniksin:

Ndonëse përmban në faqet e tij mjaft vjersha
të mirëfillta lirike, prapëseprapë, ai mbetet
një trakt akuzues, i hedhur në fytyrën e diktaturës…

I shkruar në copa letrash, shpesh të grisura shtrembër dhe, me një shkrim pothuaj të palexueshëm nga të tjerët, i daktilografuar pastaj dora – dorës me dhembshuri e përkujdesje nga Nadi, çamja e ylltë, që do të bëhej edhe shoqja e jetës e Shefki Karadakut, “Feniksi”ishte vërtet një trakt i afishuar mbi fasadën false të propagandës komuniste, që u pasua shumë shpejt nga librat e të burgosurve politikë dhe, i të gjithë atyre që, në mendjet e kthjellta e kishin projektuar prej kohësh të ardhmen e demokracisë.
Sidoqoftë, krijimtaria e Shefki Karadakut, nuk do të mbyllej me këtë libër; pasi përshkoi gjithë Shqipërinë aqsa ç’e ka bërë Zoti, u kthye në shtëpi dhe krijoi librin e titulluar”Etnos”, i frymëzuar papërmbajtshëm nga Prizreni, Struga dhe Ulqini e më tej, ashtu siç shkroi edhe ciklin e plotë me vjersha për Çamërinë, kur pa me sytë e tij Igumenicën, Pargën, lumin Kalama, Paramithinë, tokën ku u lindën të parët e Nadit…
Po libri “Toraks”, që keni sot në dorë ?
Epo, Shefki Karadaku ka ende ç’t’iu thotë lexuesve të tij të përhershëm, kështu, pasi përmbylli kolanën e romaneve të tij, të përbërë prej dhjetë titujsh, si edhe atë të novelave dhe tregimeve, i përbërë edhe ajo prej më tepër se dhjetë titujsh, iu kthye dashurisë së parë, këtë herë me një diapazon antologjik, ku përfshihen vjershat nga më të hershmet, pra të krijuara që kur autori ishte gjashtëmbëdhjetëvjeçar, e deri, te poezitë e shkruara tani vonë, në moshën kur botën e sheh pashmangshmërisht përmes një doktrine filozofike të pranuar, por përse jo, edhe të pasuruar prej teje, i ndihmuar së tepërmi nga përvoja vetjake.

Eh nënë Adile Adile
Emrin tënd e këndoj çdo herë
Si pentagram muzikor do re mi
Fa sol la si Adile Adile
Tashmë që ti ike nga kopshti i luleve
Përreth shtëpisë
Shpirti të ndrit e të rrezaton së largu
Pandërprerë pandërprerë…

Ky libër, këtë herë, përveç teksit poetik, ngërthen midis faqesh edhe disa fotografi dhe vizatime, të hedhura gjithë fantazi fine nga vetë Shefki Karadaku. Këto vizatime së bashku me fotografitë, shpërfaqin jetën e tij midis shtëpisë së lindjes, brigjeve të Shkumbinit, tek kundron kumrien n’ajër, Bezistanin gumëzhitës, Kalanë, Sahatin, shelgun e pikëlluar që shkrehet mbi ujëra, dritaret pas pemëve të redaksisë së Revistës Ylli, Rrugën e Elbasani, e çnuk tjetër…

Konstandin DHAMO