…Tek e lexoja atë fletore, vështroja se Eli kishte shkruan ashtu thjeshtë, sikur bisedonte me një shoqe e i tregonte udhën e jetës së saj. E mua më dukej sikur isha ulur me të panjohurën Eli diku në një lokal buzë detit në Sarandë e ajo me ton të paqtë më fliste për fëmijërinë e saj, për të parët e familjes, për farefisin e gjerë, për Piqerasin e bukur nga ka origjinën, për prindërit, hallat e xhaxhallarët, për shetitjet e saj nëpër Shqipëri e nëpër botë, për emigrimin, punën dhe jetën e saj e të bashkëshortit…

 

Titulli i librit: Udhët e jetës

Autore: Eli Kumbe

Redaktor: Ndue Lazri

© 2021 autorja

Botimi i parë, 2021.

 

ISBN: 978-9928-326-85-0

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati: 14x20cm

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, korrik 2021

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë 

Kumbe, Eli

Udhët e jetës : kujt​ime / Eli Kumbe ;

red. Ndue Lazri. – Tiranë : Ada, 2021

88 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-326-85-0

1.Letërsia shqipe     2.Kujtime

821.18 -94​

 

BUKURIA E KUJTIMEVE

TË NJË GRUAJE TË THJESHTË

 

Emrin e zonjës Eli Kumbe, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Atë ma bëri të njohur miku e kolegu im poet e gazetar Ndue Përlala, që për gati 30 vite ka punuar në emigracion në Athinë. Ai më tha që një grua e thjeshtë nga Saranda, emigrante në Greqi, që tërë jetën ka punuar punëtore e njëkohësisht ka qenë e është një amvisë e nënë shembullore, ka shkruar kujtimet e jetës së saj dhe ka dëshirë t’i botojë në një libër të vogël.

Gjatë jetës më ka qëlluar të lexoj kujtime, intervista apo monografi për gra të shquara, duke filluar që nga Nefertiti e Kleopatra në Egjiptin e lashtë, mbretëresha të të gjitha kohërave, first ledy të kohëve të sotme, gra të shquara të artit, kulturës e shkencës, artiste të Hollivudit etj. Ndaj në momentin e parë pyeta veten: E çfarë mund të ketë shkruar një grua e thjeshtë punëtore e shtëpijake? Pastaj thashë me vete: E pse jo? Secili ka udhën e tij të jetës, ka kujtimet e veta, mbresat e përshtypjet dhe natyrisht ka edhe të drejtën t’i botojë e t’ua shpalosë të tjerëve.

E pranova atë fletore të thjeshtë në dorëshkrim, ku herë-herë e kisha të vështirë të deshifroja shkrimin e detyrohesha të përdorja një lupë zmadhuese, sidomos për emrat e njerëzve e të vendeve. Më ktheu kjo gjë nja 40 vjet prapa, kur punoja redaktor në gazetë e isha i shtrënguar të deshifroja gjithfarë shkrimesh e kaligrafishë dhe t’i redaktoja për t’i botuar në faqet e gazetës. Një punë që kërkonte durim të veçantë, por që e bëra me kënaqësi e me njëfarë nostalgjie për ato kohë të punës në gazetë.

Tek e lexoja atë fletore, vështroja se Eli kishte shkruan ashtu thjeshtë, sikur bisedonte me një shoqe e i tregonte udhën e jetës së saj. E mua më dukej sikur isha ulur me të panjohurën Eli diku në një lokal buzë detit në Sarandë e ajo me ton të paqtë më fliste për fëmijërinë e saj, për të parët e familjes, për farefisin e gjerë, për Piqerasin e bukur nga ka origjinën, për prindërit, hallat e xhaxhallarët, për shetitjet e saj nëpër Shqipëri e nëpër botë, për emigrimin, punën dhe jetën e saj e të bashkëshortit, Mihalit, në Greqi etj. Herë-herë rrëfimi i saj kishte tone gazmore dhe e qeshura i qëndisej në buzë, herë-herë merrte tone të dhimbshme e dramatike e lotët i rridhnin nëpër faqe.

Pasi e lexova, iu futa hedhjes së saj në kompiuter dhe redaktimit të materialit, duke u munduar që ta lija bisedën të rridhte ashtu natyrshëm me gjuhën e saj e duke vënë dorë aty ku e shihja të nevojshme.

E në fund erdhi një libër i thjeshtë, i këndshëm, që sillte një jetë njerëzore të ndërthurur me jetën e fatin e sa e sa të tjerëve. Fundja, jeta e secilit është një libër më vete. Por jo të gjithë e shkruajnë.

 

Ndue Lazri

Gazetar, Itali