…I mrekullueshëm është Perëndia ynë, edhe e mrekullueshme krijesa e tij. Kur Ungjilli, edhe Letrat e Apostujve, bëhen realiteti ynë i përditshëm, fillojmë të shikojmë më qartë sesa naive kanë qenë konceptimet tona të mëparshme për Perëndinë, edhe jetën në të…

 

 

Titulli: Udhëtoj me lutjen – Epigrame

 

Autor: Ded Luca

Redaktore: Oltjona Selamaj

 

Botimi i parë: 2023

ISBN: 978-9928-398-55-0

 

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

Tiranë, shtator 2023

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Udhëtoj me lutjen / Ded Luca. – Tiranë : Ada, 2023.

ISBN: 978-9928-398-55-0

1.Letërsia shqipe

2.Epigrame

821.18 -193.2

 

 

Parathënia

 

Ndihem e lumtur, që autori tashmë i njohur

Ded Luca, m’ a besoi përseri mua parathënien e librit të radhës me epigrame me titull: “Udhëtoj me lutjen”.

Nuk kam ndërmend të zgjatem me krijimtarinë e dikurshme te tij, me mbi tetëdhjetë libra të botuar, pasi vazhdimi i botimeve te Dedës edhe sot, tregon se autori ka çfarë të tregojë.

Mund të them se lutja, është kungim me qenien e përjetshme, edhe pa fillim. Nëse do t’ a thoshim ndryshe, lutja është jeta e Perëndisë, i vetmi, që është realisht, edhe që hyn tek ne, nëpërmjet kësaj udhe.

Lutja, është akti i urtësisë supreme, akti i një bukurie, e fisnikërie, që kapërcen gjithëçka. Kur lutemi, mendja jonë shijon ngazëllim të shenjtë, e të përkorë.

Ndonjëherë, n’ a duket se lutja vepron tepër ngadalë, në raport të zhdrejtë me ekzistencën tonë. Një britmë, del nga kraharori ynë: “Eja shpejt!”. Por jo gjithmonë Perëndia i përgjigjet menjëherë thirrjes sonë. Ka planet e veta. Punën e nisur nuk e len përgjysëm.

Ne, duhet të qëndrojmë në lutje sa më gjatë të jetë e mundur, që fuqia e pathyeshme e Krishtit, të depërtojë tek ne, e të n’a bëjë të aftë t’u rezistojmë gjithë ndikimeve shkatërrimtare. Edhe kur kjo forcë të rritet brenda nesh, shpresa për fitoren përfundimtare do të n’a mbushë me gëzim.

Sigurisht, që lutja e rivendos brenda nesh frymëmarrjen hyjnore, që “Perëndia fryu në vrimat e hundës së Adamit”, kështu që “Adami, u bë një shpirt i gjallë” (shih Gjen. 2.7). I ripërtërirë nga lutja, shpirti ynë fillon të mrekullohet përpara misterit të madh të qenies. Si përrua i vrullshëm, një entuziazëm i një lloji të veçantë, e përmbyt mendjen tonë: “Qenia…, sa mister i mrekullueshëm! Si është e mundur?…

I mrekullueshëm është Perëndia ynë, edhe e mrekullueshme krijesa e tij. Kur Ungjilli, edhe Letrat e Apostujve, bëhen realiteti ynë i përditshëm, fillojmë të shikojmë më qartë sesa naive kanë qenë konceptimet tona të mëparshme për Perëndinë, edhe jetën në të. E mistershme është urtësia e zbulesës, që n’a u dha. Kjo e tejkalon imagjinatën e njeriut: “Ato, që syri s’i pa, e veshi s’i dëgjoi, e në zemër njeriu nuk u ngjitën, këto Perëndia i bëri gati për ata, që e duan atë” (I Kor. 2.9). Prekja më e vogël nga Shpirti i shenjtë është lavdi, të cilën s’do mund t’ a krahasonim me përmbajtjen e një jete pa Perëndi.

 

Oltjona Selamaj