Titulli: Unë jam Era
Autor: Ruzhdi Keraj
Kopertina: Dr. Bora Keraj

Punoi në kompjuter dhe korrektoi: Bukurie Karameta

Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Botimi i parë, 2019
ISBN: 978-9928-296-33-7

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
www. botimetada.com
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2019

Të gjithë librat e botuar te shtëpia botuese “ADA” gjenden në Bibliotekeën Kombëtare Tiranë

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Keraj, Ruzhdi
Unë jam Era : roman / Ruzhdi Keraj.
– Tiranë : Ada, 2019
104 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-33-7
1.Letërsia shqipe 2.Romane
821.18 -31
PARATHËNIE

Autorin e romanit “Unë jam Era” e kam takuar gati dy dekada më parë, kur punonim së bashku në Radio Tirana. Megjithëse rrjedh nga një trung mjaft i fisëm nga qyteti i Shkodrës, qyteti ynë i lindjes, nuk kishte rastisur të kishim komunikim së bashku, pavarësisht se me Jakupin, Shemsiun dhe më pak me Fejziun kisha komunikim.
Të kulturuar, të hapur, ekspresivë, përfaqësues tipikë të pjesës më të civilizuar të Shkodrës, ata, secili në këndin e tij, arritën të formojnë jo vetëm personalitetin e tyre, por edhe të lënë gjurmë, që Shkodrës pak e nga pak po i mpaken.
Romani “Unë jam Era” më ritakoi me Ruzhdiun dhe, fatmirësisht, gjeta edhe një herë mikun tim me temperamentin e veçantë të anti-konformizmit, të njeriut që kërkon dhe përpiqet, ashtu si në muzikë, pikturë, edhe në letërsi të përvijojë pak nga shpirti i tij rebel.
Ndryshe nga se jemi mësuar, romani i Ruzhdiut vjen përmes veprimit të shpejt, rrjedhës interesante jo vetëm nga subjekti, por edhe nga konceptimi i ngjarjeve.
Periudha e rëndë e diktaturës është nën një këndvështrim në pamje të parë të njohur, por fabula e ndërtuar mbi bazën e një rrëfimi interesant e me një dinamikë veprimi, që të tërheq për ta ndjekur me shumë vëmendje deri në fund, bën që trajtesa e realizuar të jetë sa një gjetje e kujdesshme aq edhe intriguese.
Në vepër nuk ka përshkrime të gjata apo figura artistike, që shpesh herë kërkohen për t’i dhënë shtratit artistik të veprës një gjerësi romaneske. Ka situata logjike, të vërteta, të dhimbshme skajmërisht, që vizatojnë saktë egërsinë e një sistemi që ka shkaktuar dhimbje e tragjedi pafund.
Profili i personazheve realizohet përmes një veprimi të shpejt, që nuk e ndesh në ndonjë vepër tjetër të kësaj natyre dhe megjithëse mund të kërkosh më shumë, autori e ka menduar dhe realizuar ndryshe. Ai i ka kursyer stërgjatjet e panevojshme, duke të krijuar në fund të leximit dëshirën për të patur më shumë faqe e ngjarje.
Sigurisht për periudhën të cilës i referohet autori janë krijuar një sërë veprash dhe normalisht nevoja e thërret që të ketë përsëri. Këndvështrimi që e trajton Ruzhdi Keraj është i veçantë, interesant, i gjetur dhe realizuar artistikisht.
Edhe pse Keraj nuk e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai e nënvizon përmes reshtash që Shqipëria ka kaluar shumë kohë të vështira, por periudha e diktaturës ka qenë më e vështira dhe që na ka kushtuar shumë.
Në kolanën e veprave të veta të vendosura në sfondin e Shkodrës dhe Tiranës, Ruzhdi Keraj me romanin “Unë jam Era” plotëson një kënd tjetër nga jeta e trazuar e periudhës së para viteve 90-të, por kësaj radhe jo si nostalgji për miqtë e shokët e shumtë, por si një rrëfim i dhimbshëm dhe si një pjesëz nga shpirti që ka mbetur pa u thënë, por që duhet ta dëgjojmë.
Drama e një familjeje qytetare e sintetizuar në roman, në fakt është një dramë e shoqërisë shqiptare. Ruzhdi Keraj e sjell atë te lexuesi me bindjen se do të thotë diçka nga të pathënat e shumta për atë periudhë. Ka shumë të drejtë.

Gëzim Podgorica

une jam era - roman