Këtë fillimjave, një tjetër botim i shtëpisë botuese ADA

 

Titulli: ZENEL SADIKU I MURALIKAJVE

Autorë: Besnik Murati, Flutura Bushkashi

Redaktor: Basir Bushkashi

Recensent: Lulzim Barçi

Arti grafik dhe kopertina: Artan Kurti

 

© Të gjitha të drejtat janë të autorëve

 

ISBN: 978-9928-326-51-5

 

Tirazhi: 200 kopje

 

Shtëpia Botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap.7

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, janar 2021

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

Të gjithë librat e botuar te shtëpia botuese ADA,

gjenden në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Murati, Besnik

Zenel Sadiku i Muralikajve : mbresa e kujtime / Besnik

Murati, Flutura Bushkashi ; red. Basir Bushkashi.

– Tiranë : Ada, 2021

168 f. : me foto ; 20.5 cm.

ISBN 978-9928-326-51-5

I.Sadiku, Zenel për atë

II.Bushkashi, Flutura

1.Letërsia shqipe 2.Kujtime 3.Biografia

4.Sadiku, Zenel 5.Mat 6.Shqipëıri

821.18 -94

929(496.532) [Sadiku, Zenel]

 

Zenel Sadiku, në përjetësinë e një libri…

Çdo njeri, me jetën e vet, shkruan librin e jetës së tij nëpër kohë. Ka njerëz që lënë

gjurmë të ndritura, për vete dhe të tjerët, ka njerëz që largohen nga kjo botë, sikur të mos kenë qenë kurrë, e thuajse s’lënë asnjë gjurmë, por ka edhe njerëz të zinj që mallkimi dhe urrejtja i ndjek nga pas, edhe në botën tjetër.

Libri “Zenel Sadiku i Muralikajve” i autorëve Besnik Murati e Flutura Bushkashi, motër e vëlla, sjell para lexuesve portretin e një njeriu, që e deshi shumë vendin e tij, duke përfshirë edhe Kosovën martire, që vuri jetën në rrezik për lirinë e saj, që i deshi dhe i respektoi njerëzit e tij të afërm, miqtë dhe shokët e shumtë, që respektoi detyrat që iu dhanë dhe i kreu ato me ndërgjegje të lartë e me dinjitet, duke i dhënë nur e dritë çdo pune, që iu besua nëpër kohëra të vështira.

Nuk diti dhe nuk deshi, në jetë, që të zvarritej me servilizma, pas të mëdhenjve, për poste më të larta, që ai, në të vërtetë, i meritonte para shumë të tjerëve, por iu gëzua madhështisë së tij njerëzore, dinjitetit të rrallë dhe doli në pension me faqe të bardhë.

I rrallë, në llojin e vet, fal kulturës së tij, ai mbante shënime të ndryshme jetësore e familjare, deri te ditari që shkruante pas betejave, në luftën për çlirimin e Kosovës, mbrëmjeve në fletoren e tij apo dhe mbresa nga vitet e punës pas çlirimit.

Një pjesë e këtyre shënimeve, që përfshihen në libër, e bëjnë librin më të gjallë, më të vërtetë. Nëpër faqet e librit, frymon jeta, zjarri i luftës, malli djegës për ish-bashkëluftëtarët e tij, që falën jetën për lirinë, nderimi për shokët e betejave e për shokët dhe të afërmit me të cilët punoi pas Çlirimit.

Figura e tij vjen më e plotë, më njerëzore, përmes kujtimeve e mbresave të të afërmve të tij, por edhe shokëve, me të cilët e ka lidhur puna dhe jeta, që ndershmërisht i ngrenë një monument shpirtëror, pa tepruar asgjë.

Kur ime shoqe, Flutura, një nga vajzat e tij, e dhënë pas leximeve letrare, historike, duke përfituar, me të drejtë, nga profili im letrar, këmbëngulte që ta ndihmoja atë dhe Besnikun për librin që donin të nxirrnin.

I them njëherë: “Ai, edhe sikur të mos ishte vjehrri im, e meriton një libër, sepse ishte një matjan i rrallë, edhe pse jo, edhe një shqiptar i rrallë: i drejtë, origjinal, i pazhurmshëm, dinjitoz që i jepte hijeshi fjalës: njeri në çdo kuptim”…

Nuk dua të stërgjatem, por nuk mund të lë pa përmendur edhe nderimin që i bënin njerëzit e fisit dhe të fshatit në vendlindjen e tij, në Shëlli. Sa mirënjohje, sa çiltërsi, sa bujari tregojnë ata me shpirtin e tyre të bardhë si bora e bjeshkëve!

Unë, më tepër se vjehërr, ndjeja tek ai diçka atërore, diçka shoqërore, të ngrohtë e të çiltër. Ishte kënaqësi të rrije me të, se në çdo fjalë, në çdo gjest, mësoje diçka me vlerë për jetën.

Dua të ndaj me ju, lexues të dashur e të kulturuar, një mbresë, që më ka mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite.

Na kishte dhënë fjalën se do të vinte një Vit të Ri në Mallunxë, ta kalonim, së bashku, atë natë të gëzueshme, të ndërrimit të motmoteve. E prisnim me padurim. Po atë pasdite filloi të bjerë një dëborë me flokë të mëdha e të dendura. U shqetësuam për mosardhjen e tij, sepse do të vinte në këmbë, e domosdo, mosha bënte të veten…

Dal nga shtëpia, me ngut, për të parë rrugës së fshatit, nga e prisnim të vinte. Zemra më rrahu fort nga gëzimi, kur e pashë duke ardhur, i shoqëruar nga Besniku, djali i tij. Dhe ashtu më ka mbetur në mendje: në lëvizje, mes atyre flokëve të dendura dëbore, me pallton ngjyrë kafe si në të mjaltë, me kokoren aq të rrallë e të bukur, ku vallëzonin fluturat e dëborës, me fytyrën e tij burrërore e aq të ëmbël, me buzëqeshjen aq të çiltër, që sikur shkrinte flokët e dëborës poetike…

Kështu më ka mbetur në mendje: gjithnjë në lëvizje, i mbajtur, i fisëm. Ai tani lëviz drejt zemrave të njerëzve, që i deshi dhe e deshën aq shumë, i gdhendur me aq dashuri në përjetësinë e një libri; në një libër, në një ringjallje…

 

Basir Bushkashi

Burrel, dhjetor 2020