E mendova më të lehtë shkrimin e kësaj përshëndetjë në këtë përvjetor të revistës por ja që s’qënka kështu. Sepse sapo u mundova të vë gishtat në tasierë, m’u desh të ndaloj e  të kujtoj tërë rrugën e përshkuar, në këta  vite.

Jeta e një reviste është si jeta e njeriut. Ka ditët e saj të bukura e ditët e mërzitshme. Brenda saj ka mijera faqe, që thonë mijëra gjëra, ngjarje që shpalosim ndjenja e mendime.

 

14 vjet revistë nuk janë shumë por nuk janë edhe pak. Filloi me atë entusiazmin siç fillojnë tërë punët e më pas rutina e përditshme veproi por nuk mundi të më mposhtë.

Ndër vite kam punuar me stafe të ndryshme ku padyshim secili ka sjellë frymën dhe nivelin e tij dhe kjo shihet po të shfletosh revistat ndër vite. Ajo që më jep kënaqësi  është se kjo krijesë e brishtë, u rrit u ripërtëri dhe vazhdon të jetë mes nesh e do të vazhdojë deri sa të ketë krijues që kanë diçka të bukur për të thënë.

E ndjej se do të bëja gabim nëse në këtë përvjetor do të veçoja emra, pasi të gjithë ato që kanë sjellë krijimet e tyre në faqet e kësaj reviste janë për mua miqtë e mi më të mirë.

Nuk jam këtu për të caktuar hierarki vlerash por pa modesti mund të them se niveli i revistës ka ardhur gjithnjë duke u rritur.

Vazhdimësia e revistës është padyshim njëra nga anët e forta të saj.

Në kushtet e krizës mbajtja e një reviste është një luks. Për këtë një ndihmesë ka Shtëpia Botuese “ADA” dhe shtypshkronja e saj.

Kaq vjet në tregun e botimeve pa asnjë abonim e  pa asnjë përkrahje financiare, vetëm me mendimin për t’i shërbyer njerëzve që kanë diçka për të thënë.

 

Aktivitete e zhvilluara, botimet e saj tashmë  cilësore kanë bërë që revista të vazhdojë të jetë një dritare informimi kulturor.

Projektet që ka për të ardhmen janë ambicioze dhe të mbështetura në përvojën e fituar.

Në përfundim dua të falenderoj të gjithë krijuesit, miqtë e revistës “Obelisk” dhe bashkëpunëtorët e saj.

Një  falenderim familjes sime të mrekullueshme për mbështetjen e gjithanëshme që më ka dhënë.

Dua që në rrugën e nisur të kem përkrah miq të mirë!

Mirutakofshim në përvjetorë të tjerë!

Me respekt BOTUESI