Titulli: Emigranti Fisnik

Autor: Setki Q. Jashari

 

Redaktor: Kujtim XHEBEXHIU

 

Botimi i parë: 2021

 

ISBN: 978-9928-362-18-6

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

 

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Jashari, Setki Q.

Emigranti fisnik : roman /  Setki Q. Jashari ; red. Kujtim Xhebexhiu.

– Tiranë : Ada, 2021

268 f. ; 20 cm.

ISBN 978-9928-362-18-6

1.Letërsia shqipe  2.Romane

821.18 -31

 

PARATHËNIE

 

Romani ” Emigranti ” i autorit Setki Q. Jashari, që i jepet në dorë lexuesit, është i llojit shoqëror. Ai trajton një temë me shumë vlera shoqërore, që përfshin një gjeografi të gjerë, me pëmasa gjigande, që kapërcen edhe kufijtë tanë shtetërorë.

Është një temë që nuk njeh hapësirë dhe kohë dhe kjo ia shton vlerat romanit dhe sigurisht autorit, që ka arritur ta konceptojë dhe ta realizojë saktë këtë problem madhor për gjithë popullin, për çdo familje shqiptare.

Setki Q. Jashari është unik në stilin e tij tërheqës, është origjinal dhe real në atë që servir para lexuesit. Ndoshta kjo vjen nga fakti që autori i ka provuar dhe përjetuar vetë peshën e rëndë dhe pasojat e emigracionit. Nuk është rastësi që edhe titulli i romanit lidhet direkt me temën që trajton, duke e sjellë me shumë vërtetësisi këtë temë madhore, para lexuesit.

Ky romancier, edhe pse jo shumë i njohur për shumë lexues, me dy libra të botuara, të befason me fantazinë e tij, inteligjencën, origjinalitetin me të cilin rendit dhe përcjellë ngjarjet në roman. S. Q. Jashari i kthehet asaj periudhe ku qëndrojnë të strukura të gjitha dramat e shoqërisë shqiptare, duke e parashtruar çmendurinë, skizofreninë e shumë shqiptarëve, në rang kolektiv dhe, në të njejtën kohë, duke e bërë dhembjen e personazheve të ndjeshme për të gjithë. Tema e romanit është aktuale dhe për ditët e sotme dhe çdo lexues i këtij romani bindet për vërtetësinë e ngjarjeve që romancieri Setki Q.  Jashari ka radhitur në këtë vepër. Është meritë e autorit që, bashkë me ‘të, edhe ne si lexues, të indinjohemi, deri në klithmë, nga mashtrimet e njërës palë dhe nga zhgënjimet e palës tjetër, Ky realitet, në roman merr përmasat e tragjikes, veçanërisht më vrasjen e Rudinës, personazhit më simpatik dhe më të dashur të romanit. Ajo është e destinuar të flijohet në emër të dashurisë për motrën dhe të humanizmit,  në emër të së mirës ndaj së keqes:mashtrimit, cinizmit, korrupsionit, ligësisë. . .

Në këtë vepër, gjithçka vjen e gjallë, reale, gati në natyrale dhe lexuesit i duket sikur i ka njohur me kohë personazhet e këtij romani, disa prej të cilëve, me shpirt mizor, i urren në kulm dhe ca të tjerë i simpatizon dhe i dashuron. Këta të fundit gdhenden në kujtesën e lexuesve, duke lënë mbresa të pashlyeshme.

Patjetër kjo është meritë e autorit që arrin të skalisë figura të tilla mbresëlënëse jo vetëm për rrethin miqësor e shoqëror, por edhe për shumë familje italiane, ku çifti Marino-Rudina, jetoi dhe punoi me devotshmëri. Lidhjen e fortë shqiptarë-italianë, autori e ka realizuar bukur dhe me realizëm përmes lidhjes martesore

Matilda-Antonio dhe Marjana-Serxhio.

Ngjarjet në roman shtjellohen në mënyrë lineare, një mjet stilistik ky, i preferuar nga shumë prozatorë. Ndodhitë, ku nuk mungojnë surprizat, jepen në vazhdimësi, duke i ndjekur personazhet me radhë, hap pas hapi, me alternime, për të mos i lënë ato në harresë dhe në hije.

Sigurisht që vendin kryesor autori ia lë rrëfimit, që e kombinon mjeshtërisht me dialogun, pa anashkaluar dhe përshkrimet që vijnë të gjalla te lexuesi. Ajo që bie në sy te ky shkrimtar, është edhe përdorimi i ëndrrës, si mjet stilisik apo dhe ritregimi i ngjarjes nga goja e vetë personazheve, edhe pse autori e ka rrëfyer vetë më parë këtë ndodhi. M’u duk shumë interesante kjo mënyrë rrëfimi, sepse ia rikujton shkurtimisht lexuesit atë që ky ka lexuar dhjetëra faqe më përpara.

Jashari, në gdhendjen e personazheve, vepron si një psikolog profesionist që di të depërtojë thellë në psikologjinë, ndërgjegjen dhe mentalitetin e personazheve të veta. Ai bashkëudhëton me personazhet, jeton me shqetësimet dhe hallet e tyre, vuan bashkë me ta, sepse nuk duron dot padrejtësitë, mediokritetin, mashtrimet, korrupsionin…

Ai, revoltohet, shfryn, pëballet me të keqen nëpërmjet personazheve të tij. Godet fuqishëm ndaj kësaj të keqeje, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, siç ndodh me trafikantin maroken, apo me shqiptarin , Indrit, të cilëve u vjen vdekja nga dora e Marinos. Setki Q. Jasharit i vjen keq që personazhet e tij, femra, janë të destinuara t’u nënshtrohen fatit, në të gjitha format që ai shfaqet. Autori nuk pajtohet me faktin që ato të gremisen në humnerë, u del në mbrojtje atyre, deri në vetësakrificë. Lexuesi njihet me sakrificat, peripecitë, vuajtjet stërmunduese të femrave shqiptare, viktima dhe pre e trafikanëve monstruozë që luajnë dhe majmen me nderin dhe personalitetin e këtyre viktimave që, edhe jetën e tyre nuk e kanë të garantuar, nën tutelën e këtyre përbindëshve. Janë vajza të reja naive, të padala, që nuk e njohin jetë dhe bien lehtë pre e mashtrimeve, me shpresën e realizimit të ëndrrave të tyre rinore, po që shpejt zhgënjehen nga realiteti i zymtë dhe i hidhur që bën të mendosh deri edhe vetëvrasjen.

Nuk marr përsipër të shtjelloj subjektin e këtij romani, qoftë edhe në mënyrë të përmbledhur, sepse dua që lexuesi ta lexojë me ëndje këtë roman tërheqës që mbart në vetvete plot vlera shoqërore dhe mesazhe që u rezistojnë kohërave.

U uroj lexuesve lexim të këndshëm dhe jam i bindur që në përfundim të leximit të kësaj vepre nuk do të zhgënjehen aspak, bile një pjesë e mirë mund të gjejnë veten në faqet e këtij romani.

 

KUJTIM XHEBEXHIU