Herë pas here në këtë rubrikë do të përcjellim poetë qe kanë botuar te shtëpia botuese “ADA”
Një libër apo një histori mund të shihet në aq shumë versione, sa ka lexues… Kushdo merr atë çka do prej saj… thotë Xh. Stejnbek.Kështu ndodh edhe me një poezi a me një cikël poetik.Këtë herë vjen me poezinë e saj, një mike e shtëpisë botuese “ADA”

PERJETIME POETIKE 6

FLORA MEÇAJ

 

 

TROKIT LUMTURI 

 

Trokit lumturi,

trokit ashtu kot,

ndonjëherë kur rruga të të bjerë,

më mbaj në krahë,

më rrotullo sa të rrotullohet bota.

Dua të jemi ne:

jo unë, ti…

se vitet që ikën m’u lidhën me gogla,

s’i zgjidh më dot.

 

Po ti ngrihu e bjer si kjo ndjenjë,

herë në këmbë e herë në gjunjë.

Ik e hajde kjo dashuri përfund frymës sate

ditë-natë e dimër-verë,

herë si loti i dashurisë me ngjyrën

e ajkës së gjakut,

herë si humbje me tjetër ngjyrë,

si loti i dhembjes kripë e bardhë.

 

Dëgjoje tingullin e heshtjes:

është këmbanë.

Unë i përngjaj një lumi të qetë,

por dhe lumi tërbohet një herë në kaq.

Zullumin e godas me grusht,

po të bukurës s’ia gris fytyrën,

as të shëmtuarës s’ia nxjerr sytë.

Tani… shpendët e natës këndojnë si flaut

e s’më brejnë më djajtë.

 

Trokit, ashtu kot

ndonjëherë kur rruga të të bjerë,

më lumturo ashtu kot.

 

 

 

AS IMI, AS I QIELLIT

 

Dashurova një herë.

S’ish as krijesë, as njeri.

E lodha qiellin shkruar me sy.

Dashurova njëherë

një yll në bark të kaltër.

Eeeeh, sa vite mbërthyer pas tij!

E desha për vete yllin,

por ai harronte të zbriste në tokë.

Iku një ditë, s’la asnjë gjurmë,

u shkëput nga galaktika,

ra diku.

Për ku (kë)… s’e di!

 

RE GRI

 

Tani nuk më bëhesh shi,

jam aty me ty;

degë që lëkund mall,

heshtje që pjek harresë,

hijegrisura që dikur i qëndisja.

 

MOS MË HUMB

 

Ti më gjete?!

Mos më qëndro larg,

më pak se unë mos më duaj,

kujtohu për mua rrallë

a në mos fare,

si atëhere kur dashuria ime kish vetëm një krah.

Po ti më duaj me gjithë dhembje,

duamë me gjithë plagë.

 

Thamë se s’do të jemi të butë,

si mjellma në dashuri.

Të egër të jemi,

të uritur si ujku e ujkonja.

Ç’magji,

pa dhembje e plagë!

 

Gracka jote më mbërthen me lumturi

 

Eh, lumturi…

Ende s’e di,

ti je bijë e parajsës,

apo parajsa është bija jote?!

 

Kur të fillojnë stuhitë

do të mbështjell nën lëkurën time,

të të mbroj nga jugë e fortë.

Etjen shuan tek unë,

plagët mbyll me mua,

brenda qenies sime,

zjarrin ndez mbuluar me prush.

Mbi qepallat e hënës lumturisht rri zgjuar.

S’dua të fle

të shoh ëndrra që shkrihen në ag,

të kam ty ëndrrën e vërtetë që prek.

Kur humb mbi ty butësisht

s‘më dhemb asgjë,

më bien në gjunjë urrejtjet e mëritë.

Tani, jam paqe e qashtër e shpirtit tim.

Muzgjet e ftohtë luledele mbijnë mbi ngricë

si qumësht i ëmbël.

E ëmbël uria që shuaj te ti,

e ëmbël fjala jote,

imja mjalt i vjetër.

Pa altar do të jemi gjithmonë,

rrëfimtarë në dashuri.

 

NATA PLAKË

 

Ta ndiej frymëmarrjen,

veshët zgjat,

gjetheve drithmën ua ndiej.

Ti gërrhet si një plakë,

fle gjumë të thellë.

Të shkund me pagjumësinë time.

Përsëri gërrhet

gërrhet…

 

Në zemrën tënde

brazda të thella kam hapur.

Eci nëpër to e numëroj klithma.

Gërhimat dëgjoj,

shpirtin ma egërsojnë.

Era jeton mes gjethe fëshfërimash.

Trukun bëj me kristale malli harruar.

Kësaj nate dua t’ia copëtoj trupin,

eshtrat t’ia shkel

t’ia thyej krrak-krrak.

Ooooh, Zot!

Këto net të trazuara

mos qofshin me të nesërmen binjak!

 

MË THUA IK

 

Heshtja jote më thotë:

Ik, shpend i egër,

je i lirë!

Po krahët s’i kam më;

i lashë aty.

 

 

MAGJI E PURPURT

 

Dielli im

jam aty ku luan kukafshehti me malin.

Ta dëgjoj të qarën kur lind,

frymën e fundit kur ikën.

Perëndimi im mrekulli

ngjyrën ta vendos mbi lëkurë.

Me ty…, s’di  t’i numëroj ditët që ikin.

Jam feniks që lind dhe vdes përjetësisht.

 

TI JE ATY

 

Thashë se të kisha humbur,

por ti qenke aty,

shkëmb i gërryer pak e nga pak deri në copëtim.

Unë, e shkumëzuara dallgë,

s’jam zemëruar që largohem nga ti.

Zbatica ime të lë të frymosh,

të çlodh nga përplasjet,

myshqet rrit të të mbulojnë

gropëzat e plakura të plagëve,

që ti të mbetesh përjetësisht aty.

 

 

 

IMAZHI NËN SHI

 

Imazhi yt laget nën shi,

dritë rrufeje bie mbi të.

Të prek,

të djeg,

të pret,

të ndan në copa, si rizomë grami,

të thyejë heshtjen në kristale.

Një copë qielli gris me duar,

një grusht yjesh mbledh,

të të kthej në jetë.

 

***

 

Sytë s’i kam ruajtur,

përherë janë terur netëve errëti.

Sa herë që s’kish dritë,

unë bëja dritë me sytë e mi.

 

Marrë nga libri “NJË TJETËR DIELL” Tiranë 2018

Botim i shtëpisë botuese “ADA”