Nga  Përparim  Hysi

 

Sapo qeshë zgjedhur kryetar i pushtetit pluralist dhe,tek shihja në korridor  radhën e atyre që kishin halle, gati më zinte lemeria. Hallet- mal; mundësia për t’i zgjidhur këto halle,pothuajse zero, dhe ti ,si pushtetar,  ngjaje apo jetoje atë dramën e Tantalit: deri në brez me ujë dhe ujë nuk pije dot. Nga gjaku i prindërve, jam jo vetëm bujk, por edhe blegtor. Den  baba den, Skrapari,nga janë dhe prindërit e mi, ka jetuar me blegtori. Nga babai e kam dëgjuar  atë që thoshte i ndjeri imat për këmborët: ” Qajnë e qajnë sa ulëirjnë; venë për ujë dhe ujë nuk pijnë”. Ja si këto këmborët  e kam  dhe unë punën që po kryej. Jam kryetar që përfaqësoj PD dhe në zyrë me mua është dhe sekretarja ( kjo,nëse e lexon këtë tregim timin, dua të dijë një gjë: ka qenë me aq integritet se gjej rastin ta falnderoj,sado që përfaqësonte PS). Trokiti dera dhe u detyrova të thosha:- Hyr!  U rrëfye një xhaxha që ishte si ai fshati që duket dhe nuk do  kallaus.
Veshja karakteristike e fshatarëve të MYZEQESË që,ashtu siç ish, mund ta vendosje në muze për ta parë vizitorët.
I moshuar, me bastun dhe, tek pashë moshën e rënduar nga vitet, i zgjata një nga karriket  e zyrës dhe i thashë:- Urdhëro xhaxha dhe ulu!

Mirëpo xhaxhai,vërtet qe i rënduar nga mosha, por nga goja qe brisk dhe i priste goja hekur.
– Paç uratën e Zotit,- uroi, por para  se të ulem, kam një rixha una.
Për mos ia prishur, i thashë:- Pa, hë zbraze atë rixhanë që ke! Aha,- më tha,- më qenke  hazër-xhevap, tina, por kjo “meseleja” ime sikur ngjac ca dhe ha të hequr. Mirë,- i thashë,- por vetëm ulu, se  je dhe plak. Opo për plak shok kam veten una,se jam që nga “koha e BABAZOTIT”, por atë rixhanë time e kam vetëm me tyja dhe jo edhe me këtë “cucën”.
Cuca,-u mundova të shpjegohesha,- është e zgjedhur në pushtet dhe nuk kam se si e nxjerr jashtë. Ore,- m’u kthye,- una nuk  thashë gjë që këtë”cucëzën” ma ke këtu për salltanet, por janë ca “mesele” që bëhen në konak të burrave dhe një plaku si una nuk ka pse t’i zemërohet kjo,cucëza që është me moshë me mbesollen time të vogël. Them “rixhanë” una dhe merre prapë brenda ti. “Rixha” e rëndë,po për të mos ia prishur”ajkën” iu luta sekretares që të na linte vetëm.
Doli sekretarja dhe unë për t’ia bërë më të lehtë “meselenë” këtij plakut nga “koha e Babazotit”, i ofrova paketën që ta ndizte njëherë. Epo,- tha,- sado që vet e pi me të dredhur, xhixhai po e bën tym, se,- tha, nuk e pranon darovën që të zgjatet, më mirë ngreu dhe ik. Ja,i kam thënë asaj times (ishte fjala për të shoqen), ke,- ta zëmë sheqer aty në qilar. Epo, birinxhi! Por çapu në gjitoni dhe thuaj:- Moj,po mos ke një filxhan sheqer hua? Se ti kërkon  sheqerin sot, ajo,(t) jatra, nesër kërkon një lugë krypë dhe u hapti rruga e miqësisë. Kështu dhe kjo cigarja,sado që do më japë kollë, por pije,or më t’u bëftë mu  në grykë! E kuptova që kisha rënë në “usta”.Një “usta” të gojës që nga”koha e Babazotit”.

*     *    *
U vendosa përballë dhe,për t’ia bërë më të lehtë “audiencën”, i thashë:- Tani,edhe”meselenë”,por edhe “rixhanë”.
Pyeç, pyeç una, para se të vija. Më thanë:- Ai kryetari i ri ka qenë dhaskal. Bobo,- brrita me vete,- është marrë me”dema” dhe do jetë me nevra!
Xhaxha,- e ndërpreva,- nuk jam marrë me dema, por kam mësuar fëmijët. Epo,- tha me atë kutin tat mirë e ke,por una një palë dema mësova dhe theva dy zgjedha me ta.Mezalla,se duronin zgjedhë mbi qafë. Plugoja dhe ma bënin brazdën të shtrembër, i mbreja në qerre dhe ma përmbysën. Kisha bërë një goxha hosten me një majuckë dhe ua bëra vithet plagë që i prura në haslla, kurse ti, dhaskal, në”ngjacje” atë hostenin nga ata”demat” e tu, ta thyenin e ta bënin copë. Ndaj nuk gjen dhaskal në kut,në kalon nja 20-vjet. Ti, po siç më thanë, paske mbi  30-të  sene e ca, dhe hajde të merresh vesh.Ndaj, trapiç me natë që të isha i pari. Kur e pashë që e kisha të humbur”betejën” e lashë të fliste azat.

Digjo,- më tha. E di ti,dhaskal, pse  i ka të mbyllur sytë bullari? Nuk priti të  përgjigjesha,por vazhdoi ligjëratën e tij. Perëndia që rri lart e pa bullarin që ishte i rrezikshëm.Tha:- Bobo, qy do bëjë hatanë! Tak, një t’ia mbyllur sytë dhe i hap vetëm DITËN E SHËNGJERGJIT! Atë ditë mos i dil para, në do jetë. Tha kështu dhe, tek ndiqte shikimin tim, vazhdoi,po ta them këtë punën e bullarit,se edhe shteti, dhaskal, si puna e bullarit është. I mbyll sytë dhe bën sikur nuk shikon, ama kur i hap,hapu dhe e futu, se me ngjaca i shpëton atij bullari të SHËNGJERGJIT,por shtetit nuk i shpëton dot. Epo në MYZEQE ka dalë ajo shprehja:” Qeveria e zë leprin me qerre”, sos se do dilte në Skrapar ku qerres nuk i duket as nami dhe as nishani. As ia bëri syri tërr që shpotiti për nga origjina ime,por si”usta” dinte e i vendoste mirë tullat mbi murin që po ngrinte.
Që thuaj ti, dhaskal, që nuk ke  thënë gjë hiç deri tani, nga shteti unë kam frykë dhe ndaj ardhsh. E di që do thuash:- Por si ti xhixha ke frykë kur pushteti është demokratik. Aha, atë koqez ulliri nuk e ha una. Se ta marrësh vesh tina, në kohën  e jermënit, mu aty mbi urë të Mbrostarit qe një bina e madhe dhe e gjatë dingaz me hazine: brënda dhoga gjeje ti,  llamarina, gozhdë, litar e ç’të them? Iku jermëni e t’u lëshua, murtati, merr ç’të marrim  dhe krejt binaja u kthye në hiç.Birinxhi,kur thotë turku. Mirë, or mirë, një të ardhur qy shteti (edhe qy dmeokratik qe,de) dhe, sa hapi sytë aty nga seneja  ”  ’45-së” e më t’i thirri një nga një ata që vunë dorë mbi atë”binanë”. Filan, më ke marrë kaq dhoga për kaq, gërr paratë.Një nga një të tërë (m’atë kohë kish qenë symbyllur) dhe e paguan sa frëngu pulën.
*     *    *

Tani u ngjacçë shumë. Pse ardhç una? Aty para shtëpisë sime,kam një copë tokë të lirë. Me senet nuk është e imja. Por po shoh me sy gazepe: fermën e prishën, pyllin po e shkulin; lopët e fermës kush qe më i zoti mori dhe tri kokë dhe jam  i trembur që thuaj ti. Vjen dikush dhe jo vetëm  e zë,por kam frykën e çunit una. Dhe, pa treguar se ç’frikë kishte, u ngrit nga karrikja,zgjati dorën dhe kapi një fijefloku nga koka ime. Provoi sikur ta shkulte dhe,sikur të kish zbuluar një sekret të madh, tha:
– Ja, tohidho si ti është dhe qy çuni  i madh imi. Qimesertë si ti që nuk pranon krëhër.Or, të jetë floku gjemb ! Ju,qimesertët, merrni flakë si pushka  e jevgut. Në luftë jini të parët që vriteni.Punëtor të mëdhenj,por sherrin e kini mu në majë të hundës. Të mirët e botës dhe të keqët e votrës. E, që mos ngjac më, çuni më ka ca cuca si yje, më e vogla kaq sa  ajo “Cuca” që punon me tyja. Nëma xhixhait atë copëz tokë që mos më vijë sherri tek pragu. E dua me”senet”, se ashtu vdes rehat.

 

*    *    *

… dhe unë ia dhashë me”senet” xhixhait. Më përqafoi dhe,kur pa CUCËN që edhe ajo firmosi,i tha:- Ma bëj hallall!! Tek  po largohej, mbështetur mbi atë dorakun  e tij, dukej sikur ish çliruar nga një gërç.Ai gërçi i amullisë të”bullarit” që siç duket ende nuk i ka hapur sytë si duhet.

 

Tiranë, 11 janar 2018