Libër që tingëllon si jeta e autorit

Nga ROLAND LUSHI

 

 

Pirro Loli, shkrimtar i njohur, trokiti në portën e ADA-s me vëllimin e nëntë poetik “Aorta e dimrit”. Më parë ka spikatur origjinal ky autor edhe  në fushën e Eseistikës dhe në Prozën e Gjatë. M’u duk i çuditshëm titulli dhe, pas një bisede të këndëshme me autorin, nisa t’i  lexoj poezitë me kureshtje. Nuk jam kritik, por libri i këtij poeti më futi në mendime dhe emocione që rrallë i kam ndjerë. Libri ka një strukturë, sa unike në vetvete që tingëllon e gjitha si një poemë, po aq  dhe tematike, e ndarë në pesë cikle. Nuk gaboj të them se ky libër më tingëllon si jeta e vetë autorit; më saktë, është metafora e vetvetes; një biografi poetike me një forcë përgjithësuese krejt origjinale. Po perifrazoj:  “Aorta e dimrit”  është autoportret, është pema e tij me inde të buta e të egër, të gjallë e të vdekur. Ose ai vetë. Portreti ndryshe. “Një trung me degë e gjethe në gjelbërim të dendur. Që e rreh era. Jo si pikturë e stisur, aspak e përsosur, por e natyrshme. Në çdo ind është ADN-ja e tij  dhe e kombit, që nga qimet thithëse në tokë, deri te gjethja e majës në syth….

Në të gjithë ciklet shfaqet njeriu shqiptar me vetveten, familjen; është qytetari  në rrafshin jetik,  në të përpjetat e pjerrta të qenies; është poeti me stuhitë e jetës mbi supe, me një ndjeshmëri rrëqethëse në trojet e krijimtarisë së vet; është poeti  që preferon bukurinë e plagëve, dhimbjen e njeriut e të kombit të vet.

Te “Studio dimërore”(17 poezi), mendoj se poeti ka gjetur çelësin e krijimtarisë së vet jo vetëm në poezi. Në qendër është një thëllëzë, simbol gjithëpërfshirës poetik. Gjetja është krejtësisht origjinale. Është një thëllëzë, sa reale aq misterioze; është vetë bukuria në kërkim të përhershëm;  ashtu, me pupla të  mëndafshta, me të tëra nuancat e ylberit, gjithnjë veshur nuse, gushë e gji stolisur, me gjerdan në grykë; është ai shpendi i trojeve të tij malore Dhëmbel -Nemërçkë; ajo e pakapshmja  edhe në gjumë “ E kam parë edhe natën duke qarë me qerpikë të lagur, rrethuar me yje që lotonin dhe prisnin mëngjesin, kokulur, të iknin… E kam parë derdhur lot, gjakosur, të vrarë, kokëposhtë; ngjeshur në rripin e brezit, ose varur në tytën e çiftes kobzezë.”

Gjetja nuk mbaron këtu; sa vjen të formëzohet; ajo prishet duke u bërë më poetike.  Dimri i ka mbushur pemët me borë dhe përplot me figura të ndryshme kafshësh e shpendësh… Një degë qënka zgjatur te dritarja e poetit e ka ofruar si dhuratë një thëllëzë bore.  Ajo kthehet në burim frymëzimi, në muzë;  e pse jo, në objekt arti,  në busull, në piksynim, dashnore, grua…?!

Sidoqoftë, si tablo pikture ngjyrash kulluar,  ajo ishte e paimitueshme… Dhe lexuesi nuk e ndan  dot këtë çast; a është ai shpendi fantastik  si trup, apo si imazh.

Ja, këtë  thëllëzën e borës, të nesërmen ia  fshiu pa mëshirë era dhe shiu. Është dimri i bardhë i krijimtarisë: “Shkruaj e fshi”.

Pirro Loli është gjahtar i gjetjeve artistike: “Shiu pa pushim i gllabëron skulpturat prej bore; gjumi im përgjon thëllëzën që fshehtas zbulon gjinjtë”...Është rruga plot vështirësi, mbushur me të papritura të pakalueshme. Është fjala tjetër, figuracioni poetik që krijon realitete të tjera. Edhe procesi krijues është “Shkruaj e fshi”. Këtu shfaqet dhe individualiteti i çdo krijuesi. Është ai çasti frymëzues që duhet të shndërrohet në fjalë për të ndriçuar të padukurën, që  i jep artit ritmet, shqetësimet, guximin, dhimbjen. Është aorta e muzës që ndriçon  me gjak të kulluar honet e Botës, kujtesën, lindjen dhe vdekjen. Bota kuptohet kur del përtej asaj që duket….

…Dua të mbaj pak rregull në kryqëzimin e tërndafilave, /le të më mbytin ankthet/të më rrethojnë sirenat/klithma e thëllëzës të çajë qiellin me shpatë…

Lexuesi vëren se  nëpër  poezinë e Lolit fryn një mjegull trishtimi, që merr dhe emrin “dështim” …”Furtunë /tërsëllimë kosë e mprehtë /vetëtimthi bie përmbi jonxha /e brenda natës i përpin trojet e borës/ dhe fletët e mia me vjersha/…“Po, po thotë ai, dështimi (dhe dyshimi) më mësoi të vërtetën. Dhe kur m’i zhbënte dimri, (thëllëzën prej bore, fjalën , pikturën “m’i shkrinte” shiu e ngrica, unë e ribëja thëllëzën, ose  ndërtoja statujën time prej rëre dhe ere. Ose mungesën e saj.

Një lexues i vëmendshëm do shohë nëpër poezitë e tij një trishtim permanent. Po jo të zi. Kurrësesi. Duhet thekësuar se esteti Pirro Loli është i bindur në penën e vet. Arti është dyshim, pllenim, vdekje dhe rilindje. Trishtimi, pse jo, është gjenerator i poezisë. Në rrugën e përsosjes arti gjithmonë ka mohuar vetveten. Kështu është lartësuar më tepër në dramën e zhdukjes së vet, duke u lartësuar shkallë-shkallë.

…Fjala poetike nuk është pasqyrim i sendeve, por emërtim i imazhit të tyre. Simboli i zgjedhur si çelës, në dorë të çdo poeti, është  etaloni i Së Bukurës që të krijon lidhje të reja në dukuritë natyrore e shpirtërore. Kështu rritet numri i shqisave në mendje… Alkimia vepron duke e ngritur sendin në nivelin e shpirtit. “Me këtë dritë në gjoks -thotë autori-  desha ta mbjell një yll nëpër kryqëzime varresh. Si diell. Të më digjej në heshtje: I Përhershëm, i pikëlluar. Tejpërtej honeve të vdekjes”. Çdo krijues baret nëpër fatet e ekzistencës së vet, pafundësisht të ndryshme, të lodhshme  e, shpesh, fatale. Poezia është jetë, brenda jetës e përtej saj; mendim dhe dhimbje, me gëzim dhe trishtim e duket një ndjesi që mund të prekë lumturinë e përkohshme…

Muza e këtij poeti ndoshta është një eros që plagos. Ai është mik me detin. Vini re simbolikën, sa personale, aq edhe tipizuese në portretin që i bën vetvetes , nisur nga një plagë fizike, natyrore(humbjen e zërit) …“Nuk e di kush më shpoi me shigjetë/kush më la një vrimë në gjoks dhe gjuhën ma preu./Më fal o det, nuk të përqafoj dot si dikur/kur më merrje në gjoks thellësive/ Nuk të flas dot/si dikur që të lutesha për një sirenë të bukur. ( Ndoshta ajo më vrau mua). E mban mend atë ditë/kur më the,  mjaft, vëlla: deri këtu pa gojë jam edhe unë/ndalohet puthja. Deri te vrasja/ Deri te rrudhat./Pimë gjak nga njeri-tjetri./ Dhe ndjehem përqafuar/E lag trupin deri te brinja/Zemrën e hedh tutje të mbytet në dallgën kreshpëruar./Te ty dashnor i përhershëm që puth bregun e egër/Unë pika e lotit në qerpik të syrit/dhe lulja e kripës mbi shkumë…