NJË STREHËZ  PËR NJERËZIT E PASHËRUESHËM

 

Për të qenë i sinqertë dhe në rregull me vetveten dhe këdo që nuk do jetë dakord me propozimin tim duhet t’ju them se kjo  nuk është një vepër e mirëfilltë e imja, por e një mikut tim, që e kam takuar qysh në rininë time të hershme, një farë Xhonatan Suift por që nga një kqyrje e kujdesshme më rezulton se mund të përshtatet lehtësisht me kushtet tona dhe t’i shërbejë shumë  mirë pastrimit të shoqërisë sonë.

Jam i sigurtë që do të arrij t’ua mbush mendjen të gjithëve se propozimi im është i arsyeshëm, dhe kushdo që ka vërtet për zemër interesat e mbarë vendit, duhet ta mirëpresë.

Unë mendoj se një lloj filantropie që ka filluar të duket në shoqërinë tonë të shfrytëzohet që të mund të ndihmojë më mirë se çdo gjë tjetër për: rehatinë, qetësinë dhe lumturinë e vendit tonë.

Me këtë kuptoj:

NJË STREHËZ  PËR NJERËZIT E PASHËRUESHËM

Besoj se të gjithë do të pranojnë se një strehë për ta është shumë e nevojshme.

Kontigjenti më i pranueshëm që mendohet të mbushë këtë stehëz do të jenë ish-studentët e universiseteve tona, këtyre fidanishteve të dijes, që gjatë këtyre viteve të fundit janë shtuar shumë, e nëse këta do të detyrohen të sigurojnë jetesën me arritjet e tyre vetjake, secili në profesionin e vet, ka rrezik që ata të mbeten pa punë ose e keqja më e vogël të kenë paga të ulta.

Mua s’do të më pëlqenta aspak, sikur ndokush të dyshonte tani se dua të njollos ndonjë shtesë shoqërore, sikur mendoj se pagat e vogla të njerëzve që merren me shkencë ose art provojnë në mënyrë të pamohueshme shkallën e ulët të zhvillimit të tyre mendor.

Po të hapej një strehë për mbajtjen e të pashërueshmëve, ne do të kishim kurdoherë mundësinë ta shpëtonim shoqërinë nga tërë  ato shoqata jofitimprurëse e nga tërë ato grupime politike që kanë mbirë e vazhdojnë të mbijnë  si këpurdhat pas shiut.

Sa e sa xhentelmenë të nderuar mund të përmenden të cilët bëjnë haptas tregti me veprimet e tyre të paligjëshme! Ata pa një pa dy e lenë ligjin mënjanë kur ua do interesi, e sajojnë gjithfarë mënyrash për t’u pasuruar, duke shfrytëzuar veset, grindjet ose marrëzinë e njerëzve. Dhe prapëseprapë ata nuk demaskohen me nofka të rënda si “batakçinj”, “hajdutë”, “gënjeshtarë “ a “të paaftë”, po marrin gjithfarë tituj e grada, si brenda e jashtë vendit.

Ç’mori e larmishme  autorësh , përkthyesish, poetësh, biografësh, studiuesish, analistësh e gazetarësh do të grumbullohen tek porta e strehës! Ata do t’i ngjasonin turmës së kafshëve që shkonin me të katra te barka e Noes pak para përmbytjes së përgjithshme.

Nuk e di mbase ka për të qenë disi e vështirë të zgjidhet një vend i përshtatshëm për një ndërtesë të tillë, pasi pak vend ka mbetur pa u zënë nga ndërtime të paligjshme, në këtë vendit tonë të vogël, por ju siguroj se projekti im është i dobishëm e i nevojshëm.

Mendoj se kryeministri duhet ta mbështesë fuqimisht një institucion të këtij lloji, të paktën për arsye se pozita e tij e lartë dhe merita e tij nuk mund të mos molepsin shumë njerëz me sëmundjen e zilisë, të urrejtjes, të gënjeshtrës dhe të tjera sëmundje si këto dhe rrjedhimisht do të rritin së tepërmi numrin e përvitshëm të të pashërueshmëve.

Më mban shpresa se përpjekja që kam bërë për hartimin e këtij projekti do më japi edhe mua një vend në këtë strehëz por do të kërkoja një mirësi, që të mos më vinin në një dhomë me ndonjë shkrimtaruc, qoftë ky edhe president i ndonjë shoqate.

Shkaqet kryesore , për të cilat kërkoj të hyj në strehëz janë se prej kohesh të gjithë hartuesit e planeve dhe projekteve katandisen zakonisht në gjendjen e lypësit.

Dua t’i jap një shembull për vëllezërit e mi të karrierës letrare  se shoqëria nuk ka për t’ua harruar dhe do t’ua shpërblejë  mundin për veprat e shumta që ata kanë shkruar.

Kam shpresën se ligjvënësit tanë të urtë do ta shqyrtojnë me seriozitetin më të madh këtë projekt për t’I bërë një shërbim të paçmuar morisë së pafund të nënshtetasve të padobishëm.