Normëshkelësit duhet të jenë të vetëdijshëm për dëmin që i shkaktojnë gjuhës shqipe

PËR  MË  SHUMË  PËRGJEGJËSI  E  KUJDES  PËR  GJUHËN SHQIPE

nga Gjovalin SHKURTAJ

 

 

Shqipja vijon të jetë nën trysninë e shkruesve dhe folësve të pakujdesshëm. Shteti dhe institucionet publike, që varen ose lejohen prej tij, duhet të kenë më shumë përgjegjësi e kujdes për gjuhën që përdorin. Ka ardhur koha që normëshkelësit të jenë të vetëdijshëm për dëmin që i shkaktojnë gjuhës shqipe. Fjalët e huaja të panevojshme e përfryrjet bombastike,  që  po ia zënë frymën shqipes, janë bërë si  sëmundje ngjitëse,  që po merr përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse.

Pse ky kthim prapa?

Një dukuri e shëmtuar dhe e dëmshme e kohëve të fundit është edhe rikthimi i fjalëve të huaja, që ishin zëvendësuar me sukses me fjalët shqipe përkatëse. Kjo dukuri përbën një dëm të jashtëzakonshëm dhe është tregues i qëndrimit të papërgjegjshëm të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare ndaj gjuhës.

Ka politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, që mendojnë se pa fjalë të huaja  të pakuptueshme e të panevojshme nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Në shfaqje televizive, fituesve u jepet edhe çmimi i “lukut”, ndërsa mund të quhej shumë bukur shqip: i pamjes apo i veshjes.Gati të gjitha rubrikat e televizioneve shqiptare në Shqipëri emërtohen me fjalë ose sigla të huaja, kryesisht nga anglishtja: BIG BROTHER, ALBANIANS GOT TALENT, DANCING WITH THE STARS, TONIGHT dhe, tashti së fundi, DANCE WITH ME, a thua se shqipja nuk ka asnjë gurrë pasuruese. Pse të mos veprojmë si fqinjët tanë, italianët, që emisione të tilla i huazojnë, por emërtimet i vënë në italisht, si p.sh. ata kanë Grande fratello  dhe jo “BIG-BROTHER”, Ballando con le stelle dhe jo “DANCING WITH THE STARS”. Italia përdor fjalën kanal televiziv, kurse ne gati të gjitha televizionet e reja i kemi pagëzuar me formën e anglishtes: Top-Channel,  Channel-1, Agon Channel etj.

Shumë ruajtës e të kujdesshëm për pastërtinë e gjuhës së vet janë francezët.Në revistën e njohur “Defence organisée de la langue française”(Mbrojtja e organizuar e gjuhës frënge), ka gjithnjë edhe rubrikën “Contre franglais” (kundër franglishtes), d.m.th. kundër huazimeve dhe ndikimeve angleze të papranueshme në frëngjishten.

Po ne, pse të mos i ndjekim shembuj të tillë?

Çdo shqiptar i ndershëm, që e do gjuhën e vet dhe ka dëshirë që shqipja e shqiptaria të rrojnë në jetë të jetëve, krahas e në harmoni me gjuhët e kulturat e tjera, lakmon dhe kënaqet nëse në faqet e gazetave e revistave që blen çdo ditë do të ketë lajme dhe shkrime të atilla, që shpien në hullinë e komunikimit pa shtrembërime, pa mllefe të tepërta dhe, mbi të gjitha, sa më pranë shpirtit dhe problemeve të njerëzve e të thëna shqiptarisht. Kur them shqiptarisht kam parasysh jo vetëm të shkruarit shqip e bukur, por edhe të shprehurit duke zbatuar traditën e moçme e gjithmonë të pavjetërueshme të etnografisë së të folurit të shqiptarëve: me fakte, por pa sharje, me prova, por pa mllefe e teprime, pa fjalë të huaja të panevojshme, po edhe pa fjalor rruge, pa zhargone e mënyra të thëni të pakrehura që e tëhuajësojnë lexuesin. Natyrisht, në gazetë do të flitet edhe për problemet e rrugës, për ndodhitë e lajmet që u përkasin shqetësimeve e bëmave të njerëzve të thjeshtë, kur është rasti edhe për ata që kryejnë krime, por jo me gjuhë rruge. Do të jetë në të mirën e kulturës sonë kombëtare që të gjithë ata që drejtojnë dhe punojnë në organet e shtypit shqiptar, bashkë me politikën, institucionet shtetërore dhe private të mendojnë më shumë para se të shkruajnë e të flasin, të kenë kujdes dhe përgjegjësi për drejtshkrimin e kulturën e gjuhës.Të mendojmë se çfarë do të thonë, por edhe se si do ta thonë. Naim Frashëri, bilbili i shqipes, na porosiste: “Shqip të flisni përherë, fjesht e të papërzjerë”, ndërsa sovrani i gazetarisë dhe i stilit të bukur, Faik Konica, i lutej Zotit me këto fjalë që nuk vyshken kurrë:

“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!”

Le ta mbyllim këtë libër, duke  iu bashkuar lutjes së bukur të Konicës, po edhe duke  kujtuar gjithmonë sa na mësojnë dy burrat e mëdhenj të gjuhësisë shqiptare, që  theksojnë:

“Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është tregues i nivelit të kësaj kulture. /…/ Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht edhe kombëtare.”

(Eqrem Çabej)

 

“Pa gjuhë të pasur e të pastër, s’ka as ide e mendime të larta.”

(Idriz Ajeti)

 

Marrë nga Libri “Urgjenca gjuhësore”

Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe

Akad. as. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj

 

Botimi i shtëpisë botuese “ADA”