Në rubrikën “PËRJETIME POETIKE” që tashmë ka hapur shtëpia botuese “ADA”, do të sjellim herë pas here poezi autorësh të ndryshëm.

Këtë here vjen me poezinë e saj të ndjeshme, një mike e shtëpisë botuese “ADA”

Dëshira për të vijuar me shembuj në libra të mirë, të bukur dhe të vërtetë, bëhet ndonjëherë e papërballueshme vetëm e vetëm se në këto kohëra të vëmendjeve tona të plagosura prej hutimit të superprodhimeve “poetike,” nuk di se si të ndash grurin nga egjëra. Nuk di si të bësh për të sjellë sa më shumë “prova” bindëse. Sepse siç thotë vetë Liljana: “Sa ftohtë bën mbi buzët e zhgënjimit!”

PETRIT RUKA

 

 

PËRJETIME POETIKE 2

LILJANA FURRXHIU

 

 

PËR SHUMË ARSYE

 

Mos më pyesni më: Për kë shkruan?

 

Shkruaj për natën, që qan fshehurazi ëndrrat,

për hënën, që gjysmën e kërkon, si zemra,

për ulërimat që lindin e vdesin në fund të shpirtit.

për yjet ,që u mbytën në pellgun e lotëve

për zërin e mekur prej frikës së turmës,

për tufën e vargjeve që kurrë lëmin s’e gjetën,

për buzëqeshjet e varuara si rraqe prej inatit,

për jetën, për vdekjen dhe për fatin… sakatin.

 

Mos më pyesni më: Për kë shkruan?

 

Do shkruaj edhe kur t’më mbyllen sytë nga mohimi

kur qerpikët të ngrijnë si stalaktitë nga bryma,

kur hijet t’guxojnë të maten me rrezet e shpirtit,

kur hapave të shpresës t’u merret keqas fryma,

kur dashuria të lëshojë thëngjinj amanetesh,

kur vatra, që pret hapat e puthjes, të shuhet,

kur lumenjtë të pushtojnë turfulluar detet,

për vesën, për shpresën, për mungesën.

 

Mos më pyesni më: Pse shkruaj?

 

Shkruaj se kam hambar të mbushur me drapërinj,

kam liqen, ku shkrijnë eshtrat e vargut jetim,

kam lëndinë, ku lulëkuqet mbajnë zi prej vitesh,

kam vitrinë, ku ndej flokët e shkulura me bindje,

kam ring, ku stërvis shpullat e lëshuara netëve,

kam mur, që fsheh rënkime me ngjyra mekjeje,

kam pus me kovën të mbushur me ofendime,

kam lak, një zog, hell dhe zemrën time!

 

 

GËNJEMË!

 

Të lutem, gënjemë!

 

Më thuaj,

që jeta është si një filxhan i bukur,

pasi kemi pirë kafenë.

 

Më thuaj,

që shpirti kur shkruan i ngjan oxhakut,

djeg mallin si rrufenë.

 

Më thuaj,

që puthjet si gështenjat e pjekura kërcasin,

para se t’i marrë gjumi.

 

Më thuaj,

që përroi rrëzë mureve të avllisë tënde,

zemra të fryhet si lumi.

 

Më thuaj,

që poshtë shegës ku fshehëm vargjet,

ëndrrat kanë folenë.

 

Më thuaj,

që zoti di të lexojë zemrat e dashuruara.

Të lutem, gënjemë!

 

BALONA E KUQE

 

Po të nis zemrën, si balonë të kuqe.

Shikoje! Të kam dërguar me të një mesazh.

Ndalja vrapin me dallëndyshet.

Shpejto! Sa era s’ta ka marrë!

 

Strehoji zemrës ato fjalë,

janë shkruar me lotë e merak:

 

Pranoj! Pa mua lumi le t’më marrë,

veç të më mbash në duar edhe pak!

 

 

MOLËZ DHE FLUTUR

 

Një mbrëmje,

do kthehem në molëz.

Do ia vë syrin portës tënde.

do e bluaj deri në palcë.

 

Ti bëj sikur s’më sheh.

bëj sikur s’dëgjon.

 

Derisa të hap një vrimëz,

derisa të çel një dritare.

 

Sa të të shoh…

 

pastaj do bëhem flutur,

Nëpër natën e madhe…

 

UNË DHE TI

 

Unë dhe ti jemi dy zjarre,

bubullojmë në një oxhak.

Hyjmë si re nga një dritare

dhe na shkrin e njëjta flakë.

 

Unë dhe ti – dy fije shkrepse,

mbetur veç, në një kuti,

mund të shkrijmë dy planete,

t’i bashkojmë, t’i bëjmë një.

 

Unë dhe ti nuk pimë cigare,

ama shkrepse mbajmë në xhep,

në u dashtë, të ndezim zjarre,

nëse nesër vjen një djep!

 

KU TË TË FSHEH?

 

I miri im!

 

Ku të të fsheh?

Kam frikë mos të të marr mësysh,

 

vetja ime.

Ti je si rrezja e parë,

që puth petalet e vesuara kur agon.

 

Ah, unë do plas nga inati

që sjam e vetmja lule,

që sheh, që prek, që bekon…

 

I shtrenjti im!

Më trego një skutë, një pus a një grataçelë,

të të marr, të të fsheh,

derisa të ngopet syri im i verbër,

të bindet mendja e sëmurë, që më do,

që je një Odise pa sy, pa buzë

 

dhe Circen se kam shemër.

 

Ngjaj e marrë? E di!

Por ti më duaj edhe si të tillë. Më duaj,

si të jem një ninfë fluturake, që vjel retë,

Si të jëm Safoja me lirën e lashtë, që mbiell vargje,

vetëm për ty

planet më planet,…

 

Thesari im!

Mos u tremb, që të dua kaq shumë.

I ngjaj malit, që e njeh flladin në pranverë.

I ngjaj bjeshkës, që ia di hapin drerit të dashuruar.

I ngjaj përroit, që pret zërin e sorkadhes në erë.

 

Ku të të fsheh?

Në tërë këtë botë të zbuluar barbarisht,

Kam vetëm zemrën,

Të mjafton kjo zemër si strehë,

Me hipotekë jete, natyrisht?!

 

 

DËSHIRA NATE

 

Pse nuk jam sot një kometë,

të tërheq shikimin tënd?

 

Pse nuk jam një xixëllonjë,

të më ndjekësh i pa mend?

 

Pse nuk jam në rërë një pus,

të të shuajë loti etjen.

 

Pse nuk bëhem pirateshë,

të të vjedh sonte për veten?

 

Pse nuk jam një lugë me pjalm,

të më duash si një bletë?

 

Pse nuk jam në një përrallë,

të më shndërrosh në të vërtetë?

 

Pse nuk jam një pikëz vese,

të shikosh në xham vegime?

 

Pse nuk bëhem si kërrmilli,

të të mbart si guackën time?

 

Sot jam një kryq bekimi,

Ti je Krishti, unë amshimi…

 

KËTEJ E TUTJE

 

Këtej e tutje,

do të të dua, si një milingonë.

Do të të fsheh në skutat e një mezhde me guriçka.

Do të dal çdo mëngjes, që pa gdhirë,

të mbledh kokrra gruri nëpër ara,

të mbush prehërin tënd me bukë besimi.

 

Këtej e tutje,

do të të dua, si një shqiponjë.

Në majën më të lartë të kësaj bote,

do bëj fole.

do të gjuaj gërxheve lepuj për ty,

të të ushqej, si të ishe mbreti,

që mbretëri nuk ke…

 

Këtej e tutje,

do të të dua, si një kunadhe,

që dhe hijen e vet s’e ka mike në jetë.

Do të ngre thërqe, do pushtoj lëndinat në pyje,

të jem tmerri i bjeshkëve,

do të tremb edhe retë.

 

Këtej e tutje,

do të të dua, si një zarigogë në buzë të lumit.

Aty në paqe ujrash të flesh.

Do të gjuaj miza, bletë mbi luledele,

ti do jesh muza,

dhe unë gjithmonë bregu që ti do të kesh…

 

Këtej e tutje,

do të të dua pak më ndryshe!

Po mësoj si dashuron një… dallëndyshe!

 

PRITJA

 

Në aeroportin e ndjenjave isha strukur

prisja të ulej avioni. Do të të sillte

diku aty në agim.

Pyesja tufat e zogjve: – E patë gjëkundi?

Po vjen shpirti im?

 

Orët kalonin hundëpërpjeta,

me xhepat e mbushur gjithë ankth,

me zor.

Vetëpyetesha: e tërë jeta,

si u barazoka kështu,

në ca orë?

 

Avioni arriti me dritën. Errësira qe fshehur

në kopshtijet e Romës, në pyje…

Tek vije drejt meje ngjasoje me qiellin.

Kishe veshur gravatën me yje.

 

PORTI I LUTJES

 

Nëse mungoj, jam atje..

 

… ku mundem nga erërat,

copëtohem nga nata,

mbytem nga dehjet,

çirrem nga gjembat,

kafshohem nga puthjet,

 

Ku rrihem me veten,

pickohem nga ëndrrat,

fshikullohem nga vetmia,

pështyhem nga uni,

shit-blihem nga koha,

plaçkitem nga fati,

dergjem nga ethet,

mekem nga harresa,

arratisem nga frika,

prashitem nga durimi,

krasitem nga shpresa,

zhgarravitem nga shikimet,

humbas ekzistencën.

 

Nëse fikem, jam vetëm atje…

Në portin e lutjes!

 

VETËM ËNDRRAT MBETËN

 

Telefon s’kam, mos më bëni zile.

Adresë s’kam, mos më lini takime.

Makinë s’kam, mos kërkoni shëtitje.

Kartë banke s’kam, mos flisni për kredite.

Oborr me lule s’kam, mos prisni buqeta.

Pus në avlli s’kam, mos t’ju marrë etja.

Pëllumba në çati s’kam, mos u trishtoni.

Vargje magjike s’kam, mos m’i kërkoni.

 

Det afër s’kam, ku dreqin të çlodhem?

Varkë që pret s’kam, ku dreqin t’harrohem,

Pulëbardhë mike s’kam, ku dreqin të qahem,

Poseidoni s’më njeh, ku dreqin të mbahem,

Dashuria s’ma njeh hapin, kujt t’i besoj jetën,

Uffff … u mërzita. Vetëm ëndrrat mbetën!

 

 

Marrë nga libri “Shën Vetmia” I Liljana Furrxhiu

Botim i shtëpisë botuese “ADA”