Në rubrikën “PËRJETIME POETIKE” që tashmë ka hapur shtëpia botuese “ADA”, do të sjellim herë pas here poezi autorësh të ndryshëm.

Këtë herë vjen me poezinë e tij në këtë rubrikë, një mik i shtëpisë botuese “ADA”

 

KONSTANDIN DHAMO

 

 

PRITET PRANVERA

 

 

Bie shi fryn erë shkrifen retë,

Hapësirën drita befas ndez në skaj.

Xixëllon shiu, pellgjet xixëllojnë dhe drurët

me myshk,

Bretkosat kuasin përgjatë brigjeve lymore,

Në një kor prehistorik që të sjell ndër mend

imazhe të Zanafillës…

Ndihet era e lagështirës , era e lëngëzimit të

pyllit dhe e ujërave të thella,

Athtësia e ajrit elektrik ndihet , që të sëmbon

dhe të rrëqeth.

Ngjeshen rishtas retë , shtyhen me rrëmujë dhe

potere si hordhitë kur zhvendosen në luftë.

Dhe bubullin e gjëmon dhe shiu derdhet dhe

qielli nxin dhe erret,

Si nga një dalldi astronomike , që sjell natën

mu në mesditë ;

Vetëtimat mbillen fushës si zymbylat e parë,

Që çelin gjithë rrezik mes drithërimash.

Por ja , prapë shkrep dielli, gajaset

dhe gëzon natyrën,

Prapë fryn era .

Shqetësim i bukur;

Pritet pranvera…

 

1978

 

 

 

 

 

SKULPTORI I MONUMENTEVE

 

 

Skulptori i monumenteve  të diktaturës

Që u shembën me rropamë ,

Gjysmë i paralizuar tashmë

Me zor çapitet në bulevard

Për të shëtitur ca

Dhe për të thithur ajrin e kohës…

Një këmbë dhe një krah s’i ndien më;

I gjymtë është

Si monumentet e tij të thyer.

 

Si ndodhi kështu

Ky paralelizëm fatal ?

E ai pati besuar

Se kishte derdhur historinë në bronz,

Apo e kishte gdhëndur në mermerin

Me dritë klasike të kristalizuar…

 

E thykan historinë kur bëhet keq,

Siç e rithyejnë edhe një krah

Kur ngjitet shtrëmbër.

Çapitet me zor tashmë artisti

Për një shëtitje në bulevardin

Pa monumente…

 

 

Një piedestal

I ulët është sa një shkallë,

Kur e zbret ;

Kur e ngjit

Eshtë një Everest…

Ç’heronj të tjerë do të shpallë

Politika e Re ?

 

Skulptori i monumenteve ,

Njëherë për njëherë ,

Me dorën që ende lëviz

Gjela dhe lepuj allçie

Modelon në studion e tij,

Që të mos vdesë urie.

 

1992

 

 

 

MONIKA LEVINSKI

 

 

Kështu është Shën Mëri;

Mos mbaj mëri.

Veç gratë e prapa adhuron historia:

Helena Diana Monro Kleopatra…

Hiperbola dashurie secila.

Guxuan ato dhe , i mundën

Të devotshmet gra familjare.

 

Libri erotik i Levinskit

U bë bestseller menjëherë;

Seks oral seks anal me numrin një të botës!

Po ç’t’u bësh moralistëve dogmatikë,

Që harrojnë se, presidenti

Nevojë ka herë – herë

Të mëkatojë si gjithë të tjerët…

 

 

Përpiquni sfilituni sëmuruni ju,

Shkrimtarë të përkorë kudo në botë ;

Nxini e nxini letër tërë jetën.

Sa hap e mbyll sytë bestseller u bë

Libri erotik i Levinskit.

 

 

 

VITI 1991

 

Tek afishet e vdekjeve

Në rrugën ë tij të përditshme

Pa vetëdije një mëngjes afrohet,

Një mëngjes që afishe kishte shumë…

Emrin e tij kërkoi midis emrash

Fytyrën e tij mes fotografish,

Por nuk i gjeti

Dhe iku…

 

1991

 

 

VJESHTË

 

 

Zbrazet fundjavës tashmë Tirana;

Te semaforët makinat më nuk presin .

I ulët dielli i vjeshtës ,

Ndër sy të ndizet ,

Varg bien gjethet nga er’e mëngjesit.

 

 

Bien gjethet;

Ky lejtmotiv i verdhë

Embël të trishton , të mbyt me mall.

Bregdetit miqt’e mi shëtisin,

Ndërmendin verën;

Tryezash  jasht’ pastaj me qejf një drekë hanë…

 

Dhe unë udhëtoj,

Fundjavat veç,

S’më joshin , s’më pëlqen të jenë një rregull.

Në këtë rrugë ku kam kaluar s’di sa herë.

Me emocion kujtoj se, vjen një tjetër shekull !

 

 

Sa larg do t’ikim vallë,

Vallë sa larg do t’shohim

Nga peshë e së shkuarës tërhequr fort përherë ?

Të denjë më shumë do t’jemi,

Apo më shumë të liq

Dhe ,gjetheve që bien , do t’u këndojmë

Sërish ?

 

1993

 

 

MIJËVJECARI I RI

 

 

 

Bronzi i diktatorëve tashmë

S’ është fytyra e ditës;

Dolën diktatorët nga historia

Si aktorët tragjikë nga skena ,

Kur mbarojnë rolet…

Mijëvjeçari i ri

Plot majmunë dhe robotë antropoidë

Patjetër do të na gjejë në këtë planet;

Më pas do të ikim ngutshëm.

Jo si ata që ndërrojnë banesë ,

Si ata që i tremben shpërthimit të një bombe,

Por zotërinj, kushdo që jeni,

Mundeni të më thoni mençurisht ,

Të kujt do të jenë monumentet

E s’ardhmes ?

 

 

1997

 

 

EKSPOZITË

 

 

 

Furra të shuara dhe të shembura

Si kratere vullkanesh të vdekur;

Xhama të thyer mprehtësisht gjer lart,

Që të shqetësojnë

Si të ishin thyer vetë qiejt…

Kjo uzinë e braktisur hesht, por sot

Aty një ekspozitë arti është hapur…

 

 

Çapiten vizitorët mbi zhurin e truallit;

Vëmendshëm si nxënësit në shkollë vështrojnë

Pikturat me ngjyrat e ngjeshura nervozisht,

Varuar mbi muret me suva të prishur…

Pastaj portretet me asimetri tragjike ,

Modeluar në baltë me mollëzat e dridhshme

Të gishtave ;

Më pas diademat pa diamante

Flamurin e një supershteti më tutje

Krekosur në bishtin e një fshese të madhe ,

Pemët e shkulura , hedhur mbi shkrumb.

Dhe oturakët e azilit të pleqve

Mbushur me lule…

 

Por shih!

Shkëputet një vizitor

Për të pshurrur te rrënojat , në fund të repartit.

Të tjerët e ndjekin me interes,

Që të shijojnë performancën e tij të beftë.

Ah, ç’zgjidhje e hollë

E kuratorit ….

 

1995

 

 

 

FOLEJA E DALLËNDYSHES

 

 

Ca qypa balte të thellë si pus,

Tepsitë dhe kusitë e stërmëdha prej bakri

Si t’ishin enët e ciklopit Polifem,

I lamë n’oborrin e shtëpisë së vjetër…

Tani presim të ngjisim mobiljet e reja

Në katin e tretë ,

Te ky pallat i sapolyer me diell !

 

 

Por u trishtova, kur pashë

Fqinjët e mi t’ardhshëm

Që zbrisnin nga makina

Divanë dhe bufe të njëllojta me tonat;

Atëherë,

Ç’të veçantë do të kish shtëpia jonë e re ?

 

 

Me vazot e luleve në dorë

U ngjita në ballkon;

Aty një dallëndyshe e hareshme

Po thurte folenë.

Ah, thirra i gëzuar,

Ja , e veçanta e shtëpisë sonë të re !

 

1969

 

 

KOPSHT ZOOLOGJIK

 

Si s’e harroj dot,

Si s’e harroj dot

Se, ngjitur me Kuvendin Shqiptar

Ka qënë një kopsht zoologjik

Me majmunë

Dhe papagaj….

 

1998

 

 

NJË PEMË

 

Çdo herë në Gjirokastër shoh

Rrapin monumental,

Ku hitlerianët Bulen varën dhe Persefonin .

Eshtë rritur rrapi tashmë dhe majën

Retë dhe rrufetë ia përshkojnë.

 

 

Një trekëmbësh mund të kishin gjetur,

Që do të ishte zhdukur gjithsesi….

Por gabuan të vdekshmit , përdorën këtë pemë,

Që çel pranverave.

Siç do të çelnin heroinat e reja .

Prek degët e njoma dhe tronditem;

Më duket sikur prek Bulen,

Sikur prek Persefonin !

 

1973

 

Marrë nga libri “MODA E VARFËRISË” Tiranë 2018

Botim i shtëpisë botuese “ADA”