PËRJETIME POETIKE

VLADIMIR MUÇA

 

Poezitë e Vladimir Muçës janë në fakt një udhëtim poetik i shpirtit të poetit, një udhëtim jo vetëm gjeografik apo kohor por një udhëtim drejt së panjohurës. Është ajo që kërkon poeti, të panjohurën që ndodhet që në dallgët e detit durrsak, te shpirti i një gruaje, te enigmat e ikjeve të ndryshme e deri te mistika që e çon drejt kozmosit.

 

 

Fëmijëria  ime

 

Meditoj fëmijërinë në krah ere mbetur,

Si fërgëllimë e një lindje agimi;

Si një zog mbetur pendëxhveshur,

Si rreze e dritës nga verbimi.

 

Gurgullima e ujit buzë shkëmbit

Si Sy i Kaltër më tundon,

Klithmë e tingullt e një sqepishe

Më vjen nga larg si një grifon.

 

Qielli i yjtë më zien në shpirt,

Në zgrip të jetës ç’më thotë një soltic?

Në Ostren, mbi shtëpinë e Gjyshërve,

Mbi muret e vjetër nuk ka më dritë!

 

Përshpirtshëm më vjen fëmijëria ime

Me dimëra enigmash, dhomave vetmitare;

Helmuar, vdekur nga viruse largimesh,

Si një dasëm e dehur, fiseve cigane.

 

Dridhet dritarja me menteshë të kalbur,

Lotët ndjell fëmijëria e largët;

Pamja e varreve dhimbshëm braktisur

Si ndodhi e zymtë, pas shtrëngatës.

 

Veç kujtimet në eshtra enigme

Zgjasin duart, si drapër i një hëne,

Syri zgjuar nga një ëndërr kozmike

Ringjall shpirtin në prag të një gjëme.

 

Në gjurmët e tim Eti

 

Eci në gjurmët e tim Eti,

Rrugës Ram Nagorës

Shtruar me asfalt.

Nën shtroje gjurmët e kahershme

Me baltën e kuqërremtë

Ziejnë si bukëvalë.

 

Ostreni tulatet nën kodrën e lartë,

Nën sqetull Qafë e Dragalicës

Si një gjuhë e prerë

Nga thirrjet e të ikurve

Mbetur jashtë.

 

Kërkoj mbërritjen,

Lotin e Kullës kërkoj

Mes gurëve mbetur vragë;

Një dritë pishe kërkoj,

Fshatin e tim Eti për ta parë.

 

Kërkoj ngulimet e kahershme,

Varrosur nën asfalt;

Ku thellë e më thellë

Rron shpresa

Në baltën e kuqe

Nën asfalt,

E ngrohtë si bukëvalë.

 

 

Jetoje jetën

 

Në këtë kohë rropulli,

Nën kumtet e ngurtë

Jetën s’po di

Ku ta jetoj më mirë.

 

Mos është ky tingull çekiçi

Tingulli i tim Eti?…

Ku ta gjej atë tingull kujtimi,

Ta gdhend në daltën e shpirtit,

Të formoj dëshirën e amanetit,

Dëshirave tona

mbytur nga mashtrimi.

 

I papunë,

Me pamje manekini

Pritjen e dëshirës e bëra mikun tim.

Ngadhnjimi shfryhej mbi vuajtjet spartane,

Të vërtetat mbi kurme jete falte.

E unë, mes udhëkryqesh

Zgjidhja ëndrrën

Mes tollovisë mjerane.

 

Tinguli i çekiçit në gurin e tim Eti

Më mban zgjuar

Mes botës reale dhe sureale,

Më rëndon mbi supe si Gur Pendimi

Më shumë se pesha e këtyre maleve.

 

Kokën ngre mbi banderolat

Eci rrugës, mes maktheve,

Mashtrimeve të një fushate;

Endërroj tingullin  çekiçit gurëgdhëndës,

Keqas arnuar viteve abstrakte.

Hapin e politikanit dhe hapin e punëtorit

E shtroj në rrugëtimin e një shprese të vonuar;

Duke ecur drejt një mëngjesi ngjyrë alle,

Me shpirtin e një dashurie

Pa dhimbje e skamje.

 

Oh, dëshirat e mija të gjora,

Gjakuar mes ngjyrash partiake!…

Ngopur me kënaqësi prostitutash

Mes shalëve të një fushate,

Rruposur në oreksin e një balene,

Në ekstremet e vjetra

Të një orgazme.

 

Kur celulari hesht

 

Alo!… Alo!… Alo!…

Shiriti i shpirtit u mek.

Doja të dëgjoja veç zënë,

Hjeshtjen boshe më solle,

Re plumbtë,

Ngarkuar me gjëmë.

 

Një shtambë boshe tani jam

Në fundon e detit të jetës,

Nga dallgët e shpirtit

Çika, çika do bëhet

Pa tingujt e zërit të shpresës.

 

Castelnuovo di Sotto

11.12.2018

 

Kujtime adoleshente

 

Ajo grua e moshuar

Si vajzë e shtirë,

Me oksigjene, flokët lyer

Ish “motra” adoleshente

Ishte mikja më e mirë.

 

Ia ruajta si gjënë më të shtrenjtë virgjërinë;

E ajo tani histerike

Heq sytjena dhe tanga,

Më zbulohet si e pështirë;

 

Ndoshta si hakmarrje

Ndaj djaloshit urtak

Të dëlirë.

 

Mikja më e mirë

E bukura ime në shpirt,

Në vitet e pleqërisë,

Në galerinë e Arteve,

Para nudove

Më shkel synë,

Si një Circe më lëvar dëshirën

Mohuar në vitet e vajzërisë.

 

Kjo grua,

Në kokë mbështjellë me oksigjene pleqërie

Si me gomë fshin kujtimet e vajzërisë

Në imazhin tim.

 

Kjo”motër”

Kjo “kushërirë”

Kjo grua e vyshkur

Para nudove

Me syrin e magjisë,

E pështirë

Larg, shumë larg shpirtit tim,

Në humbëtirë.

 

 

Gjerdani i artë

 

“Paraqitet Shqipëria, hapet perdja, përsëritet mrekullia. Këto janë orët e mëdha të festave. Kor i fuqishëm, orkestër virtuoze, valle madhështore të orkestruara me talent, të cilët përbëjnë një bukuri të mahnitshme, valltarë dhe kostume të mrekullueshme. Ne do të flasim prap për ta. Ja laureati i vitit 1970.”

                                                                                                   ( shtypi i huaj )

I çakërritën sytë

në binoklet

madamat franceze;

një ylber iu shfaq papritur

në xhame,

një ylber i madh,

shumëngjyrësh, i ndritshëm

mes brigjeve të jetës;

një ylber në të ngushtat binokle,

një ylber në dyert e hapura të botës.

Hipokrizia u tund nga themelet,

Shqipëria e ndritur mbarë globit

Hidhte valle

në festivalin

e Dizhonit.

 

Hidhte “Vallen e Shqipeve” majë maleve

Në gjerdanin e Kodrave të Radhimës

Me këngën e aksioneve

buzë Shkumbinit,

me krifën e hidroçentraleve.

 

Si tufat e deleve të bardha,

Me këmborë, zëra vëllazërie,

Me heroizmin përditor

Mëngjeseve në ara.

 

U derdhën këto valle

këto këngë

në sytë e dizhonasve.

Si ortekët mes grykave,

Si diej në rrugët e botës,

Si mijëra ylbere

Në mijëra katarakte.

 

Në dyert e hapura të botës,

Ne të pastrehët e botës

Perëndimin sfiduam,

Tek më i shtrenjti gjoks i botës,

Medalion krenarie

Gjerdanin e Artë

E vuan.

1970

 

Kur bën ftohtë

 

Kur bën ftohtë

Më shumë të dua.

Nën jorgan ngjeshemi tok,

Çdo gjë na pëlqen ty e mua,

Sa dhe fjalët s’i nxjerrim dot.

 

Oh! I ftohti i nxehtë,

Dënes lëkura nën gishtrinjtë e tu.

Ah!…

Kjo është dashuri e vërtetë

Apo zjarri i syve të tua blu?…

 

Te Vau i Keckës

 

Tani, këputur degët e shelgut të vjetër,

Puthje trandafili atje derdhëm tok;

Një ditë gushti sfiduam trillimin

E në lumë u zhytëm at’mot.

 

Ishim të dalldisur, moshë adoleshente,

Shelgjishteve bridhnim me sy fantazie;

Te ne nuk kishte gjurmë hipnoze

Apo shikime dhe puthje vampire.

 

Tani e moshuar më kërkove cigarin,

Flutur paketën ta hodha unë Ty;

Shtratit me fiere i vumë zjarrin.

Dyzet vite ndarë, u zhdukën me magji.

 

 

Proskë e dashurisë

 

Ç’dashuri rrjedh nga kjo proskë e shterrur?

Ç’galaktikë fshihet pas këtij qielli?

Ekuilibri i ndjenjës si tornado shtjellet

Ndër apokalipset e ndezur të një “ferri”.

 

Sot, si vegim, mbi lëfyt të pashë

Tek mbushje ujë, fytyrë zjarrë;

Mbi thëngjinjtë e syve eci pa zhurmë

Fytyrndritur, me trup akullnajë.

 

Dhe shelg i vjetër mbi lëfyt i tharë

Nga dhimbja dhe ndarjet atë natë,

Rrënjët në tokë, dhe një grua plakë

Më kujtojnë ditën kur ne u ndamë.

 

Uji gurgullon thellë, nën këmbët e marrë

Në shpirtin tim, nën lëfytin e tharë.

 

Grekët

 

Ruaju nga grekët

Kur të mbulojnë me lëvdata,

Në çdo fjalë

Kali i Trojës fshehur rri.

Mos u besoni zyrave sociale

Dhjetëfish do paguash për një dhrahmi.

Ruaju nga grekët

Kur të ofrojnë shtetësinë, se kockat e tua

Me ADN greke

i ndërrojnë si në Kosinë.

 

Jo! Mos u besoni grekëve,

Ata pabesinë e kanë flamur,

Në sofër të vinë me dredhi dhelpre

Apo me kalë të drunjtë.

 

2005

 

 

Braktisja e vendlindjeve

 

Ikëm mes dhimbjesh,

Vendlindjet po i harrojmë

Që në të gjallë.

Kur shëmben shtëpitë.

I qajmë me oii, oii, oii!

E çfarë vlere ka ai lot

Që derdhet faqeve zvarrë?!

Kur bien plloçat,

Shtëpitë vdesin.

Si çdo njeri.

 

Shtegtoi një yll

 

( Mësuese Durrijes)

Në at’mbrëmje shtatori,

Më shumë dritësirë pati në qiell,

Nga shpirti jonë shtegtoi

Në pavdekësinë e tij një yll.

 

At’ditë dhe varreza u kthye në lulishte

Me gonxhe shpirti në lulëzim,

Në sytë tanë, si gonxhe e brishtë

Do jetë mësuesja e ime sigurisht.

 

Disqe dëshirash flakërojnë horizontin

Në syrin tonë, tej imagjinatës,

Borëbardha hyjni do lerë zakonin

Do na flasë si mësuese për të ardhmen.

 

Me penel shpirti, apoteozë klithme,

E urtakut Agim në pastel meteor;

Do ngjizë te ne çdo mëngjes shpresën

Në shpirt e zemër, në dritë qiellorë.

 

Do mbështjellë Shijakun në dritë kulpër

Ekuinoks i ditëve në përkujtim,

Kujtesa e brezave si superkompjuter,

Do klikojë vitet për një amëshim.

 

Duke ëndërruar

 

Për grurin e rrahur më merr malli,

Dhe vajin e tulit si oaz mbi qeshqek;

Mbase do mbytemi në kupa Grali,

Me ushqim të bollshëm O.M.GJ.

 

Por, mund të merremi vesh

Të takohemi në lëmin e ullishtes time,

Në arën grurëkapel do u buzëqesh

I shtrirë gjërë e gjatë në mendime.

 

Mbase do më gjeni me kopan në duar

Në thesin e linjtë grurin duke rrahur,

Kur syri i mëngjesit të brofë i zgjuar

Mbi pyllin e Doçeve duke klithur.

 

Në kopshtin tim do hamë fiq të rreshkët,

Lëng i rrushit do ngjisë i mushtuar;

Dhe rrezja e diellit mbi arë do meket

Mbi kallëzat kokëulur, të turpëruar.