PËRJETIME POETIKE
VIRON KONA

THASHË, TË BËHEM EDHE UNË POET
-satirë-

Kur shihja aq shumë libra,
radhë-radhë me aq shumë fletë,
të shkruara, të bukur shkruara,
thashë të bëhem dhe unë poet.

Leximin e gazetave e braktisa,
nga fjalëkryqet dhe skedat hoqa dorë,
mendjen nisa ta ushqej me ëndrra,
lavdia më thërriste në panteon.

Iu futa punës me besim e gaz,
24 orë “Non stop” punova,
për të mirën e njerëzimit,
qindra poezi “brilante” krijova.

U reklamua në panair libri i parë,
me stuhi artikujsh panegjirik,1
pas tij i dyti, i treti… i njëzeti,
veç mbetej të lexoheshin këta libra poetikë.

Por, pse blerësit vërtiteshin te vitrinat,
siç vërtiten fluturat te llamba e ndezur,
pastaj me nxitim largoheshin,
libraria mbetej shkretë, e heshtur?!

-Nuk shiten,- m’u ankua librari,-
blerësve s’di pse u zbehet vështrimi,
mërmërisin dhe largohen pa folur,
mbase, duhet parë çmimi?

Të nesërmen e uljes së çmimit,
një turmë grindeshin me zëra të lartë,
shtyheshin, shaheshin, thërrisnin,
me librat e mi mbushnin thasë.

Nxitova te turma e blerësve dhe pyeta,
një burrë, që thesin sapo kishte mbushur,
-Të lutem, mund të më thuash zotëri:
këta libra, vërtet qenkan kaq të bukur?

Blerësi, një cigan mustaqezi,
me cigare n’buzë dhe i djersitur,
më shigjetoi nxitimthi me vështrim,
me sytë nga thesi m’u përgjigj zëngjirur:

-Libra të tillë me ngjyra ylberi, o lali,
kurrkund dhe kaq lirë s’kemi për t’i gjetur,
me letrat e tyre bëjmë kaushë për bajame,
kokoshka, kikirika dhe misra të pjekur.

1 Panegjirik (gr. logos panegyrikos – fjalë solemne).
Në këtë poezi ka kuptimin: lavdërim i tepruar, lajkatar…

HYJNESHA POEZI

Më nuk do të shkruaj vjersha,
mendja sot kështu më thotë,
nesër s’di se ç’do të bëj,
fjalën s’jua jap dot.

Se kësaj mendjes nuk i dihet,
herë kështu e herë ashtu,
herë të bie me pambuk,
herë të rreh, të shtron në dru.

Më thotë: “Shkruaj, o i gjorë,
se do bësh famë me okë,
se do bësh katandi,
me ca vargje tokë e tokë”.

Çfarë të bëj unë i mjeri,
vjershat vijnë pa i ftuar,
bëj t’i shkulë e s’i shkulë dot,
nga kjo mendja e uruar.

Njëra thotë:“Jam më e bukura,
me figura dhe me rimë”,
tjetra thotë: “Jam metaforë,
epitet, krahasim…!”
“Jam përzgjedhur, -thërret e treta,
për konkurs e festival”,
“fitoj unë, – ia pret e katërta:
o vdes, o vend të parë!”

Derën e mendjes ua kam hapur,
jam me faj, o miqtë e mi,
bëj t’i nxjerrë jashtë lozonjaret,
por ato m’kanë bërë magji!

Jap fjalën s’shkruaj më vjersha,
po s’më erdhën si çdo stinë,
siç bleron gjethja në pemë,
siç dëborën dielli shkrinë.

Po nuk erdhën siç vjen era,
siç vijnë rrezet në agim,
po s’m’u drithërua zemra,
po s’krisi si vetëtimë.

Po s’u shfaqën si aurorat,
në Jug t’Globit e në Veri,
po s’trokiti n’zemrën time,
hyjnesha poezi.

FATI

S’do të dëshiroja fat ndryshe,
veç fatin e zogjve,
në stuhi.

MOS U DORËZO!

Mos u dorëzo!
Më përsëriste babai,
këshillën e vyer,
të jetës.

Kështu,
gjyshi atij,
unë birit, bijës,
nipit dhe mbesës…

ZOGJTË E PYLLIT ME MUA UJI PININ

Kur mbërrita në parkun Qafështamë,
roja i parkut me nj’shishe uji m’u afrua,
“-Pi nga ky uji, – më tha buzagaz,
është nga punishtja jonë, e sapo ndërtuar”.

Ende pa e vënë shishen në buzë,
dëgjova një rrjedhë, q’pranë gurgullonte,
atëherë pashë kroin e “Nënës Mbretëreshë”,1
te rrjedha e ujit t’kristaltë po më ftonte.

Iu afrova kroit gurgullues,
vura buzët drejt e te burimi,
rreth e qark duke cicëruar,
zogjtë e pyllit me mua uji pinin.

1 Kroi i “Nënës Mbretëreshë”, ndodhet në parkun kombëtar të Qafështamës, Krujë. Pranë ka pyje të dendur pishe, pjesë e parkut kombëtar të Qafështamës. Emrin e ka marrë qysh në vitet ’20 të shek. XX-të, pasi prej këtu merrej uji që pinte familja mbretërore në Tiranë. Ka ujë gjithë vitin. Peizazhi përreth është me pyll të dendur dhe ajër të pastër, disa përroska që zbresin nga mali me plot gurgullimë, i mbushur me cicërima të shpendëve të pyllit…

LAJKAXHIU

I bën qejfin njërit,
e lan dhe e lyen,
i bën qejfin tjetrit,
me bojëra e ngjyen.

Duke shpëlarë duart,
nënqesh me ëndje,
viktima e radhës,
i vjen në mendje…

Me shkopin magjik,
punët i mbaron,
është i preferuar,
tip bashkëkohor.

I lakojnë emrin,
zyrtarë, pushtetarë,
betohen për të,
vënë dorën në zjarr.

Përherë i fituar,
në punë dhe në jetë,
herë si kloun cirku,
herë si trim me fletë.

Ngado që ta hedhësh,
ngado që ta kapësh,
në këmbë do të bjerë.
ky maçok i shkathët.

RUAJU!

Shkathtësitë i ka të rralla,
çdo prestigjator i dëshiron,
ai dorën po ta dha,
shiko, cili gisht të mungon!
Mos i beso pa e vënë në provë,
hapi mirë sytë, or vëlla,
përndryshe veç gishtit,
humbe dorën me gjithë krah.

Fjalë të urta dhe të vyera,
me spec dhe me kripë,
i kam porosi nga Nani,1
miku q’është vërtet mik.

1 Nani: Miku im Adnan Laha

NJERIU ZEMËRUAR

Njeriu i zemëruar:
makinë pa frena, pa timon,
kalon çdo shpejtësi të lejuar,
rregulla, sinjale nuk zbaton…
Kur nervat i bien, është tepër vonë…!

PËR NJË FJALË E PËR NJË THUMB

Një fjalë unë e një fjalë ti,
gërvishtemi nga pak të dy,
një thumb unë e një thumb ti,
e tronditim këtë miqësi!

Më tej vijnë fyerjet lumë,
ulërima, grindje, sharje,
kush je ti e kush jam unë,
ngrihen “armët” për hakmarrje!

Kjo miqësia mori fund,
për një fjalë e për një thumb!

DELIKATE

Miqësia është si zjarri,
hidhi dru, mbaje ndezur,
një çast po e le pas dore,
vetëm hiri ka për t’mbetur!

Marrë nga libri “Thashë të bëhem edhe unë poet” i Viron Kona
Botim i shtëpisë botuese “ADA