Arti i fjalës është i pafundmë dhe secili artist e përthyen realitetin sipas këndvështrimit e botës së vet. Poeti poezinë e shkruan se e ka nevojë të brendshme për ta nxjerrë jashtë vetes, për të lehtësuar veten e për të ndier kënaqësi nga  lindja e krijesës së vet prej fjale.

 

 PËRJETIME POETIKE Nr. 10

SUZANA MALAJ

 

Linku i fjalës

 

Fjala prek fjalën me gishtërinj mëndafshi

e fjala tjetër zgjohet butë,

del nga ëndrrat e kristalta të shpirtit

e shpirtin e prekin si të jenë pambuk

E vetë fjala fjalë të tjera zgjon,

nga ato që shpirti i sertë s’është mësuar t’i thotë,

nga grykat e tij i derdh me ngadalë,

si ar i fshehur thellë në nëntokë.

Link pas linku e bëhet det fjalësh

të kripura tepër, si Deti i Vdekur,

të mbajnë në sipërfaqe, kur shfaqen tallaze,

të shkundin supesh me tingujt e gjetur.

Link pas linku e bëhen hoje mjalti

Nga ato që bleta i mbush me aq mund,

edhe pse befaz mbretëreshën e plakur,

rendin të gjitha ta vrasin me thumb…

E vritet fjala në thellësi të shpirtit

e të tjera fjalë ringjallim me mund,

t’i shpëtojmë nga shkretina e shpirtrave të vdekur,

që fjalën përdorin si vaska me shkumë…

E lodhet fjala e shpirti i lodhur

gulcon thekshëm si në një lëngatë,

ndaj linkun e fjalëve do ta prek njëherësh,

të zgjohen fjalët si nga gjumi i gjatë…

 

SATIRË

 

Në mëngjesin e fjetur dimëror

një thënie optimiste nga gjumi me zgjon

është thënia e gëzueshme e Leo Buscaglia-s

Jeta – udhëtim pa destinacion!

Si grafik-dizajn që identifikon

si nje gur shahu me lëvizje të shpejtë

si një logo për ura që mirëfunksionojnë

si recetë e gatshme për t’u mbajtur në xhep.

Shijoje pra jetën si magji udhëtimi

mjaft ta duash si i marrë çdo çast

shkunde krifën siç ka thënë Pushkini

që pesimizmi të tretet e në çast të humbasë.

Didaktikë optimiste që duhet ta pish

siç pi lëng frutash çdo ditë

filozofi jete që të sheh nga lart

për të të ngritur nga ferri yt

Alegori që të mëson të lexosh

nëntekste që dot s’i ke lexuar

ironi që të bën të besosh

se kur ke humbur ke qenë i fituar…

Esencë e ëmbël që të bën të mendosh

se gojën se ke të idhët

ndryshimin që se sheh duhet ta ndiesh

ta shqiptosh dhe me zërin e ngjirur

Veshje mondane

që e dallon me sytë e zemrës

ndërsa si mbreti lakuriq

nga një e lebetitur fëmije përmendesh…

E ndërkohë si elefanti kridhesh në baltë

që mizat mos të të hanë

 

e ashtu i baltosur ëndërron gjëra të bukura

e shikimin gjithkund e shpërndan.

Aty ku pa skaj shtrihet rruga

ndërkohë që mjetit të udhëtimit i është shpuar një gomë

ndërkohë që nga dritarja vëren të njëjtin imazh

të njëjtin terren monoton…

Por ti pikërisht i qepesh horizontit

step by step të vetëtin ndër mend

e ndërkohë që mbi lëkurë shkërrmoqet baltovina

ti ndjen pickimin e mizës që të dhemb.

Aty revoltohesh sa të shkulet zemra

e je gati të zhgërryhesh në baltë

po pikërisht ky çasti i rropatjes

qëllon të jetë kaq shumë qesharak

Se aty krejt nga pickimi i mizës

ti befas kupton se je gjallë

e po aty në mes të baltovinës

gdhend recetën tënde si një lapidar

Se hedonizmi është shpëtimi yt

që shpirti të ngrohet e të çohesh në këmbë

se çdo neuron është adrenalinë

të shijosh siç duhet udhëtimin tënd.

E ti ideologu i thënies legjendare

jeta s’është formulë apo një matricë

nëse unë e lëviza një gur shahu

jeta tri gurë njëherësh lëvizë…

Ndaj grise ashpër recetën e Leos

realitetin shtrydh dhe pije si melhem

ka shije të përzier por ti e shijon

si dikur Sokrati – kupën plot helm…

 

  

SYTË

 

Sytë që dinë të qeshin e të qajnë

e ta mbulojnë dritën me dritë

e natën me natë.

Sy të zinj që depëtojnë mbi objektin

dhe e fshehin brenda perceptimit shqisor

duke u bërë sy konspirativë…

Sy kafë që mbi një copë të kadifenjtë

e lanë imazhin qëndisur

duke u bërë sy të lodhur…

Sy të tjerë që ndërtojnë pamje

e krijojnë delirin turbullonjës

duke u bërë sy të rremë…

Sy blu që shkarkojnë qiellin

e qiellit i veshin frikë

duke u bërë sy hiperbolikë…

Gjithçka fundoset brenda syve

e mbushen sytë sa fillojnë e derdhen

si enë e mbushur që kërkon kapakun…

Nën qepallat e mbyllura

receptorët në ëndrra përflaken

si mbi qindra dosje që kërkojnë të hapen.

E sytë bëhen të ndjeshëm a të thatë

të ftohtë a dinakë

të lagur, të palexueshëm

të lëvizshëm,të padepërtueshëm

misteriozë, të etur

të ngulët, të fjetur

të hapur, vetmitarë

të nënshtruar, krenarë…

Se sytë dinë të qeshin e të qajnë…

 

 

KRONIKA E ERËS

 

Era fryn e merr me vete histori gjethesh

gjurmë këmbësh merr e i çon peshë

në ballo këpucësh me sandale elegante

në mjegull kronike të zezë…

E hapet mjegulla në kronikë rozë

në valsin e erës së mbretit Eol

në bashkime spontane, pa kriter

mbi gjurmët mister…

që nisin të trashin faqet e kronikës

të shkruara nga era në erë…

Aty ku fryn Era e Jugut

e larë në ujë

me fustanin e nderur tek retë

e lot sysh që s’mundet t’i terë

e humbasin lotët në currile

e thahen sytë si pus shkretëtire…

Por Eoli nga shakulli lëshon

erën e Ngrirë të Veriut

Borean e rreptë e të fortë

që ngriu një lot

në pikun e ndjeshmërisë së madhe

me rrëkezat kristale

E çmenden kronikat

e mbushen arkivat

e shpërthejnë erërat me erë…

Por era e stuhishme ish’ lodhur

në paktin e fshehtë antimbret

kur Eoli në prag të tërbimit

pushtetin e vesh me pushtet…

E ia beh era e paqtë e Zefirit

që s’ju bind mbretit të frikës

me flladin e ngrohtë e të lehtë

nis faqen e bardhë të kronikës

me fjalë ere në erë…

 

DILEMË

 

Maksima morale që komandon vullnetin

më ledhaton shpresën

e liria ime ekzistenciale

torturohet nga ndjeshmëria

në botën- ide të pafundme

ku kërkoj lirinë time.

Por bota si qënie unike

unit njerëzor i përvidhet

e unë si vullnet i harruar

tretem në kufizime…

Bëhem konfuze kur syri i Zotit

më sheh nga Empireu i Dantes

nuk  kam asgjë për të fshehur

e fshihem në kaos…

Mes rrëmujës hedh sendet pa vlerë

që bota m’i dha si trofe

e çmendem në dilemën  e gjallë

mes shpresës që merr fuqi prej vullnetit

e vullnetit të mbytur në moral.

  

BOTË SHQISASH

 

Botë shqisash

ku zhvishen shqisat

me ngjyra, pa ngjyra

me aromë, pa aromë

me tinguj, të heshtur

të ftohtë, të nxehtë

të ashpër, të butë

të ëmbël, të idhët

në pranverë e në verë

në vjeshtë e në dimër

Botë shqisash

ku notojnë shqisat

në ditë me diell, pa diell

me shi, pa shi

në erë, pa erë

në borë, në akull

në qetësi, stuhi

në pranverë e verë

në vjeshtë e në dimër

Botë shqisash

ku mbyten shqisat

në dritë, në terr

në ngrirje, në shkrirje

në dashuri, apati

në dasmë, në vdekje

në gaz e në zi…

në pranverë e në verë

në vjeshtë e ne dimër.

Botë shqisash…

 

BIPOLARITET

 

Ti po qesh

e gjithë shqisat e trupi yt qeshin bashkë me ty

e dikush të quan të mangët

ty të ngrin e qeshura

e ndërsa gjymtyrët ngadalë të qetësohen

fytyra të bëhet e flakësht

e nis qan, por habiten me sentimentalizimin tënd

si nga botë e harruar

ndërsa ti derdh të fundmin lot të dobishëm

pa u qetësuar…

E zë e shfaq ndjenjat por dikush tjetër të quan naiv

e ti kupton sa rrezik është të të njohin

sa mallkim…

E mallkon veten

pastaj me guxim prej të marri fillon të shfaqësh idetë

E ndërkaq ndjen tërbimin e turmës

armiqësinë që dhemb

Por ty të duhen shokë

e që të jesh i këndshëm në shoqërinë e tyre

je miqësor dhe i ngrohtë …

Por je kaq vetem

sa të dridhen telat e zemrës nga dëshpërimi

por nuk derdh lot

Ti po shpreson, por dikush ta mbyt shpresën pa u përkëmbur

e pritja jote e ëmbël mbytet nga dëshpërimi

ndërkohë që të quajnë të çmendur

Por ti po tenton të mbrohesh

e rend të harmonizohesh me botën

ndërkohë që bota krejt e çalë lodhet

e të quan dështak…

 

E  ti e ndal atë hap

e ndal paksa të sigurosh botën se s’do të rrezikosh

e bota të quan një hiç

e ti kupton se ka rrezik vërtet të mbetesh

pa gjë

e vendos ta marrësh rrezikun në sy

por habiten me  ty

Ti ende jeton?!

e ti bën zhurmë të tregosh se je gjallë

por kanë frikë mos vdesësh e të vdesin pa të vrarë… Bipolaritet

Që shtyn dhe tërheq por ti je gjallë

askush s’të ka vrarë…

 

 

INJORANCA

 

Injoranca përkufizohet si padituri

si njohje e cekët e një fushe të caktuar

si kuptim i gabuar i diçkaje

që mendon se e njeh

por shpesh

vjen dhe në trajtë të kamufluar

e veshur mirë madje e kollarisur

plot dekoracione

në një shpirt të grisur

Ndoshta e shihni

me stilimin e modës së fundit

apo me modë të pretenduar

gjithë vulgaritet

të trukuar rëndë

në një fytyrë pa jetë

ka pompozitet, indiferencë

Të lë pa fjalë, të befason,

të menjanon, të zhvendos, të pështjellon

po po-injoranca të revolton…

Mund ta shihni në skena të trishta

ku s’ka dialog

ku diagrama e mendimit

është veç një vizë

Përtyp çamcakiz

me gojë të aromatizuar, e urbanizuar,

ka vetëbesim, pseudocivilizim

me gjykim të pluhurosur

imitim i përsosur në botë të mavijosur

të sosur… të marrosur…

Eshtë e ashpër-nuk njeh tolerancë

injoranca  mbetet thjesht injorancë.

 

MOS  I  GËLLTIT  LOTËT

 

Nuk është dobësi të qash

sa mirë do të ishte të qaje

kur lotin e ndal e friguar

se mos loti të ulet në faqe.

 

Sa shumë e mundon ti veten

duke dashur të tregohesh e fortë

dhe retë dendësohen në ty

e janë gati të kthehen në lot.

 

Por retë i mban brenda teje

fshehur nga sytë kureshtarë

ditën sytë që të qeshen

natën gjumin kanë vrarë.

 

Qoftë dhe aty mbi jastëk

ti derdhe furtunën e lotit

që ngarkesa e shpirtit të derdhet

të tretet me pikën e lotit.

 

Se shija e kripur e lotit

etjen dyfish po ta shton

në mirazhe ku syri të endet

e në zërin që të vjen si jehonë.

 

Në tabu ku bëhesh komplekse

me lotin e zbuar nga sytë

ndaj do ishte mirë që të qaje

si shiu i vjeshtës së dytë

 

Se natyra lotët krijoi

të lajnë sytë e bukur të tyre

ndaj lotët e tu mos gëlltit

në vijën poshtë rrethit të syve…

  

GJUMI  HIPNOTIK  I  NJË  POPULLI

 

Shpirti kolektiv i një populli

në pavetëdijen e vet

ka zhytur cilësitë e dëshirat që iu shtypën,

kujtimet e zbrapsura

të kohës kur shkëlqente si diamant…

Në gjumin e rëndë hipnotik

merr sinjalin e fshehtë

ku i përkundet ndjenja e turbullt e inferioritetit

që s’është autentike.

Hipnotizuesi nuk është një i vetëm

Por aradhë historikë

që vitalitetin ia shkundën në pavetëdije.

Krenaria e të parëve

në errësirën e pavetëdijes endet

duke kërkuar rrugën për të dalë

aty ku fle vetëdija e një kombi të madh

që në koshiencën e vet shfaqet i vogël

nga hipnotizues të kujdesshëm

me trillet e historisë së ndotur…

Aty në pavetëdije

fle fuqia e një populli

të pavetëdijshëm për fuqinë e vet

me gjakun e ri që s’po i plaket.

Çdo të bënte Frojdi me teknikat e tij

për shpirtin e lirë të një populli

që e deshi lirinë…

e që nga pavetëdija ka ngacmuar vetëdijen e tij

të lirisë që po gjallon në këtë shekull?

Shpirti kolektiv i një populli

endet në sallonet e pavetëdijes

 

me portat që pret t’i hapen

në portën që ka filluar të lëvizë

e fijet e dritave të para po duken…

Kur të hapen ato porta

ky popull do ndiçojë natën e vet

me cilësitë e dëshirat që iu shtypën

Një ditë ky popull

do të zgjohet nga gjumi i rëndë hipnotik…

 

Marrë nga libri “Kronika e erës” e Suzana Malaj

Botimi shtëpisë botuese “ADA”