Herë pas here në këtë rubrikë do të përcjellim poetë qe kanë botuar te shtëpia botuese “ADA”
Një libër apo një histori mund të shihet në aq shumë versione, sa ka lexues…
Kushdo merr atë çka do prej saj… thotë Xh. Stejnbek.
Kështu ndodh edhe me një poezi a me një cikël poetik.
Këtë herë vjen me poezinë e saj, një mike e shtëpisë botuese “ADA”

PRANVERA DRITA GJONI

PËRJETIME POETIKE Nr.12

BIOGRAFIA IME

 

Emri?
Fluks drite e pagëzuar në muaj lulesh.

 

Mbiemri?
Shenjtëri…

 

Profesioni?
Lehtësim dhimbjesh.

 

Gjendja civile?
E martuar me lirinë.

 

*Hobby?
Të deshifroj errësirën tek njeriu.

 

Religjioni?
Rrënjë e virgjër, shqiptare.

 

Vendlind-rritja?
*Gaia.
(emri i natyrës, tokës)

 

Ushqimi i preferuar?
Leximi.

 

E politizuar?
Po, në partinë e tolerancës
dhe të fjalës së bukur.

 

Çdo ribëja më mirë?
Fundfillimin e fillimfundit të jetës.

 

E dashuruar?
Po, me buzëqeshjet diellore.

 

Kur ke dëshirë të vdesësh?
Kur logjika të më zhvesh dhëmbët,
dhe…
çdo organ vital të dekompozohet.

 

Ku?
Në dallgët e triumfit.

 

“REBELE…”

 

Që vesë-vezë
kundërshtove rreshtin!

 

S’i honepse uniformat,
betimin në kor,
leximin kolektiv,
veshjen standarte,
buzëqeshjet e shtirura
në shtrëngim nofullash…

 

S’pranove të qaje në sytë e askujt!
Fshehje dobësinë
skutave të natës
larg syve të bufave,
e ditën kokëfortësinë
si timon drejtues,
ndiqje në përballje me pëllumbsorrat.

 

S’e ndryshove asnjëherë,
specifikën ndryshore në kohëra…!

 

… as tani si për çudi
me peshë që s’deshifrohet mbi supe,
e njëjta histori shkruhet
për rebelen,
lindur për të jetuar
eposin e bio-ujqëve…!

 

 REFUZIM

 

Kundërshtoj kockërisht
verdiktet e pështirosura
vulosur në llavën kanalizuese
të shalëgjatave
( … edhe të xhuxheve),
mono-poleve hibride
të akrobacive çifute…

 

… i varin në qafë si trofe,
e gjoksi akoma me dihamat
dhe erën e mykët të çarçafëve të njomur,
fshehin rrënimet e identitetit
për një emër të abortuar
që në momentin
kur tregu hapi kanatet
e shitjes së vetes
në blerjen e një tjetri,
për të veshur kostumin e rremë
të një figure të ëndërruar,
a, të klonuar në mëndje
qëkur ka lindur…

 

Kundërshtoj pohimin e vlerës,
akorduar korrigjimeve biometrike
të tenorëve të shterrur,
që deshifrojnë errësirën
dhe derivatet e saj,
fluiditetit të dritës…
duke pështyrë mbi veten!

 

Mjerimi i qënies këtu fillon,
duke vrarë vetveten e parritur…
E unë s’mund të pajtohem,
edhe pse për këtë flliqësirë kohe
jo pak herë digjem…!

 

(S) JAM SËMURË

 

Epiketat ngulur
udhës së paqes,
u shëmbën
shtratit të vjeshtës harbuar
gjethesh të kalbura.

Qelbëzimi,
(s)prekë trarët e kafkës.
Melodinë e tkurrur të zemrës.
Fjalët e skalitura
në trung të shpirtit…

Eci e zhvirgjëruar nga vetja!
E shpërfytyruar nga vetja!
E çmendur, po nga vetja!

E dalldisur dëshpërimit
kapilarëve të prerë
me gërshërë thumbash e xhungash,
dhunuar e përçudnuar
kohërave mbushur me zymtësi
që në fetusin
nisur në bark të jetës,
lëshoj psherëtimat e fundit
harpës që luan mimikës time,
homazhin e zvenitjes…

 

Oh…
Nuk eci dot…!
Jo! Joo! Jooo!
Zhagazi shtrijë shikimin e mpirë
drejt dritës së brymur,
që shëmbëllen verdhësinë
e mermerëve të nyjosur
si barriera kurtizanësh…

 

(S)Jam e sëmurë!
Gjatësia,
pesha,
vizioni,
lëngojnë botës së kryqëzuar
nga gozhdët e pashpirt,
ngulur në dinjitet të stinës.

 

TRIUMF…

 

Më ndoqën gur’…
shtratit të qiellit
në përqafim të diellit.

 

U mbusha terr…!
Siguresat ranë
e s’pashë më rrezet!

 

I mblodha gurët
dhimbjesh lidhur në lotë,
e bëra urë…

 

… të kalonin dhe të vobektët,
që mirësinë
s’e njohën kurrë!

 

S’KA HËNË…!

 

E uritur pritjes,
për dhjetë netë
mbarova hënën së ngrëni…

 

I lashë
vetëm skoliozën…

 

… që miniaturat yje
dehur shëmbëllimit,
të shihnin udhën e kthimit
pa syze…!

 

 

E ngopur pritjes,
pas dhjetë netë-shekujsh
hëna u tret,
u zhduk,
nën sqetullat e qiellit!

 

RETIÇENCË RRYME

 

Gjej një frekuencë kohë
të ndal ritmin,
të marr frymë thellë
për të kuptuar a, ndjerë
çfarë ndjen njeriu
kur e qara e parë
e plazmës së tij të tejpritur,
bëhet njësh me horizontet…

 

Ndalem për të ndjerë dramën
që njeriu ndjen për gjakun e vet,
kur sytë përgjithnjë i mbyll
duke lënë pas llavën e lotit
që djeg e përvëlon,
dhimbjen që të çnderon…

 

Ndalem e takohem me sytë e përhumbur
që kërkojnë lëmoshë a, meritë,
për të mbijetuar
poli-talentit të unit
që shpërblehet
verbimit të nxituar
me një trokitje centi a euroje
rreckës puthur me tokën,
cepit ku orët dihatin
për një buzëqeshje,
salutim,
ofrim të një dore…

 

Ndalem e i bashkohem gëzimit,
atje ku shkëlqimi
vallëzon ëndrrat e tjerrura në vite
për një qiell lumturie “de fakto”,
për t’u dhënë një bekim shtesë
udhës të sapo prerë shiritin…

 

Më shumë se gjysmën e jetës
ngjitur në frymë,
eci duke ndalur, kthyer kokën…
Për të shkruar të ardhmen
e ndalesave të sotme në të shkuar.
Për t’ia kujtuar vetes sa herë rebelohem,
sa madhështi ka njeriu
në këtë planet grotesko-mistik…

 

TËRMET…!

 

Shkrepëtimave të mallit,
puthjet e diellta
digjen prehrit të natës.

 

Konstelacionit,
gdhendi buzëqeshjen
me fytyrëskuqurën e ndrojtur,
që ti mes trishtimit
të prekësh shpirtprehjen
e mos të përhumbësh
labirintheve të frikshme,
vetëm…

 

Qesh me shkëlqim meteorësh
epikrizës së ëndrrës…!
Përkundem kolovitses së hënës
me drithërimën e të jashtëzakonshmes,
përftuar cepit të qiellndezurit
qarkuar në sytë e zemrës.

 

Kaçurrelat e reve
fshijnë djersët e dhimbjes,
tërmeteve pranverore të fillimdimrit!

 

 REKRUTIM

 

Përzierjes thirrorësh
gjurmoj frakturat,
hematomat,
komat e mono-dialogjeve…

 

… që të rekrutoj njeriun
mbetur në kohë
me nallane të ngrira,
horizonteve
që belbëzojnë përçartë,
mosmirënjohjen ndaj dijes.

 

Mekanizmat delirantë
shformojnë alfabetin
recitimeve homogjene,
personalizuar
vdekjes së gjallë,
e mbulojnë portretet e çliruara
me hirin e hibridëve…

Kaosit, tymrat ndezin zjarre.
E zjarret digjen në vetvete
ekstremiteteve ku ushqehen
dinozaurët dhe hijet…

 

Ehot interferojnë
këmbanat e zgjimit
kornizave të heshtjes,
adaptuar hipërbolave
të vet-pagëzuar,
njëthundrakësh pa emër.

 

S’ më tremb asnjë doganë
misionit të kërkimit
e të legjitimimit
të thesarit-njeri,
sa të ketë Pranvera
Dritë-zë…!

 

NUK JAM PERËNDI!

 

Sikur të isha Perëndi
të vija dorën
plagëve të tokës për shërim!

 

Të çmontoja çdo mur urrejtjeje
që njeriu thur për njerinë,
netëve qorre
ku djalli ka supërfuqinë!

 

T’i jepja diell
qiellit të mjerimit,
që ngrysur në gjoks të shpuar
mban varur shpirtërat
çengelave të errësirës!

 

T’i ktheja moshës së tretë
sytë e gjallë,
si dikur kur përkundnin djepet
deteve plot çmënduri dallgësh!

 

T’i jepja embrioneve
qumshtin e buzëqeshjes,
për të shmangur traumat
e trenave të çakorduar,
shinave të ndryshkzemrave…!

 

T’i jepja botës dashurinë,
si atë…
që s’e deshifron me fjalë
maji për ty,
është një e s’bëhen dy
në këtë oligarki
seksmaniakësh e sanksioninteresash,
ku shpirti ka zerofuqi!

 

 

Sikur të isha Perëndi?!
Do sillja vetëm pranverë
në çdo gastër frymë-frymorësh
që flijohen në emrin tënd,
dashuri…, dashuri…!

 

 REHABILITIM…?!

 

Më arrestuan ambicjet e mija
në moshë ere…
kur edhe dhëmbët bluanin hekur
prej zemrës granit
e shpirtit të rebeluar…
fluturimit në qiejt e pazbuluar.

 

Më tërhoqën nga duart e atit e të mëmës…
e më degdisën dhérave
që trumpetonin liri,
barazi e jetë pa nënkëmbëza…
(sot, katedralet-njeri
syrin s’ma ngopin,
as s’ma ngrohin…
edhe pse çuditërisht
më kanë pranuar lehtësisht brenda…)

 

Më arrestuan ëndërrat
për një qiell të dlirë,
ku fara ime të frymonte
për mua,
për veten,
e brezat e humbur…

 

… pas dy dekadash
në burgun e demokracisë,
qorroj mendimeprangat
rënë grackës së dualizmit,
bëra keq, a mirë…?!

Me moshën në ikje,
mungesa e tokëplazmës time
kthehet në aritmi…
E damarëve ku lumojnë vitet
zgjohen retorika ndërgjegjje,
pagjumësi gabimesh,
lotbuzëqeshje dhimbjetriumfesh…
lakut të arratisjes që në të hershmen rini.

 

 (S)E DI HESHTJA…!

 

(S)E di,
dashuria nuk ka sy,
as objektivitet,
as tru!

 

(S)E di,
verbërisht ecën,
noton,
vallëzon,
qan dhe qesh,
derisa…
përfundi të shkel,
të mund!

 

(S)E di,
dashuria,
dashuron me dy!
Me të njëllojtën masë
humbëshmërie…
Me të njëllojtën dimension-njësi,
lumturie…

 

Në të kundërt,
ujitet zhgënjimi
i një dashurie me një korsi,
që udhëton vetëm
me trishtimin përbri…!

 

(S)E di,
dashuria ndjek
llavën,
pa menduar djegien!
Paragjykuar dhimbjen!
Gjykuar hijet!

 

(S)E di,
atë që unë ndjejë për ty!
Edhe ti (s)e di…
ajo që ndjen ti për mua
të përket ta rrëfesh,
jo vetëm kur të kesh ftohtë,
stinë, a dreq…!

 

(S)E di,
Dy gjysma të njëllojta
planetit rozë,
bëjnë mua-ty, ty-mua!
Petalesh shkëmbejmë
oksigjen dhe klorofilë,
gjunjëzimit të heshtjes
së (pa)deshifruar…!

 

REMINISHENCË NË PËRSËRITJE

 

Artikulova emrin tënd
frymës së parë ripërtëritëse,
pas presjes së rrahjeve
që ndante Arktikun me Saharan!

 

Mbylla sytë,
duke të marrë me vete
si të vetmin thesar të gjallë
në ishullin e bulëzuar
ngjyrash të magjishme,
kopshteve ku mbollëm
dhe ujitëm ëndrrat
me vesë shpirti të papërmasë.

 

U zgjova lemzës
së dhomës përvëluese
mbushur me deshmitarë lulesh-fjalë,
që jepte dhe merrte atak-e
mëngjesit krejt të rrallë.

 

Përshëndetjeve
në oqeanin e syve të tyre pashë ty…
Fiksuar retinës
me buzët e mbledhura
deshifroje kodin profetik në seri,
“të dua… të dua…
yll i të vetmes stinë
që lind e shuhesh
me mijëra herë njëlloj!”

 

Buzët u ngjitën bashkë
linjës së afërt dhe të largët,
përsiatjeve të së njëjtës magji
ngarkuar me më shumë mall dhe dallgë…
versionit “slow motion”…”deja vu”.

 

SHFLETIM…

 

Një pagëzim mistiko-biblik,
një kaçurrel orbitë,
një gjethe e tharë hurme,
një oqean kripësie,
një ëndërr e vrarë,
e shumë buzëqeshjeputhje…

 

… i gjeta ditarit të motçëm,
harruar fshehjes
poshtë plafit të lëkurës.

 

Autografë dritëndezur
në këtë botë
shformuar kyçesh…
shfletohen erës së pakthyeshme,
krejt pa frymë, rrëmbyeshëm!

 

Malet përbinë dhimbjet,
heshtjes…
që në heshtje rritet
e i afrohet vdekjes!

 

SHIRIT I ARTË

 

Këputa shiritë
diskut të jetës,
përgjatë dasmës
së martesës së shirave…

 

Preka rrënjët
ku mbolla farërat
e buzëputhjeve të stinëve.

 

Gjethet,
kërcisnin dhëmbët e dhimbjeve.
Sythat,
ndiznin shpresën e rilindjes.
Trungu,
qante e qeshte,
trofet dhe… flijimet!

 

Shpirtit,
mbeti e inçizuar
drama e inicialeve
të dashurisë
në kohën e kollës së thatë!

 

Shiriti i artë rrotullohej
gramafonit të heshtjes
me flladin e tingujve romantesk
të Çajkovskit…
jashtë vullnetit…

 

SKULPTURË ZEMRE

 

Mbrëmja,
afron krahët e gjithësisë me përtesë
mbi buzëqeshjen
që imazhi yt ka skalitur
skulpturës së ditës…

 

Bie të fle
shtratit të ëndrrave,
përqafuar me siluetën e dashurisë
dhuruar në ditë-lindjen e rrallë,
pagëzimit të Universit…

 

Një skenë përrallore,
çudindjenjë
e paimagjinueshme,
shpërfaqet
përkundjeve të trupit
në gjirin e ndezur
të interpretimeve ricitale,
kompozuar me nota fryme…

 

Mëngjesi troket
me fluksin e papërmbajtur të dritës
kthinave të përgjumura…
Mbetur asfiksuar puthjeve të natës
nga imazhi skulpturë,
gdhendur me çekiçin e rrahjeve
të zemrës
në alternimin e zemrës stinë.

 

Në udhëtimin ditë-natë
me anijen trans-shpirtërore
imazhi yt flenë,
zgjohet,
frymon në rutinën metafizike,duke shëmbur dallgët e Golfstrimit
dëshpërimit të thinjur…!

 

Marrë nga libri “Lady” i Pranvera Drita Gjoni

Botim i shtëpisë botuese “ADA”