Nga struktura e tekstit në fjalët që përdoren, kemi të bëjmë me një vepër tejet cilësore. Në të vërtetë, në një epokë në të cilën komunikimi është  shumë i shpejtë, por fjalët po humbasin gjithnjë e më shumë domethënie dhe forcë, poezia mbetet një nga armët e pakta që të mos dorëzohet me varfërimin dhe banalitetin e gjuhës dhe përtacisë mentale.

Vjollca Shurdha

 

PËRJETIME POETIKE Nr. 8

DAVA NIKOLLI

 

EKZEMË E KOHËS MODERNE

 

Në momentin kur trungu kombëtar,

kërkonte ilaç për shërim,

u shfaq një e mallkuar ekzemë.

Teksa populli veri-jug dëshironte demokracinë,

ekzema, e para përqafoi vendin, mori dhenë.

 

Shëtiti kudo nëpër trojet e mia.

Habitem; si s’u gjet ndonjë ilaç kundër teje!?

Vetëm një grusht popull është Shqipëria,

ndaj krejt gjakun ia infektove ndër deje!

 

Ekzema e kohës moderne!

Në copa-copa ua lëshoi mishin përtokë,

mbi një çerek shekulli në lëngatë.

Hapi sytë për shqipet, vetëm njëherë o Zot!

Ndoshta, vetëm ti mund të shërosh këtë plagë.

 

Ekzema moderne solli veç të këqia!

Dhe e pagëzuan me emrin politikë.

Ç’specie të pështira mblodhi rreth vetes!

Atyre…që ekzema i ka zaptuar në shpirt.

 

Shqyen prej njëzet e shtatë vitesh,

cilindo njeri që e kundërshton.

Në embrion abortoi demokracinë.

Së bashku me këlyshët Kombin rrethon,

duke eliminuar nga rrënjët Arbërinë!

 

Ekzema, infektoi çdo pore të Atdheut.

Politikanët, gazetarët dhe historianë.

Kafshoi dhe historinë e Skënderbeut,

me mendjekrisurit, antikombëtarët mjeranë.

 

Qershor 2017.

 

 

LISAT DARDANË

-Ukshin Hotit-

 

Thonë: Mbi lisat më të gjatë,

përherë shkrepëtin rrufe.

Sepse kokat e tyre ngjiten aq lart,

sa u mbërrijnë deri në re!

 

Nën kurorat e tyre çdo natë,

Zanat e Malit strehohen.

Për fisnikërinë e bujarinë e tyre,

këto lisa shekullorë sulmohen!

 

Flijohen lisat që zemra u xixëllon,

madje, sapo lindin piketohen.

I kanë rrënjët Bjeshkëve të Nemuna,

prandaj lisat Dardan flijohen!

 

Prishtinë: 19 gusht 2014

 

 

MEDIAT SHQIPTARE  

 

Janë kthyer në media aq cinike,

sa kanë njëzet e ca vite që udhëtojnë,

nëpër fytyrat e tyre hipokrite.

Ndërkohë me gënjeshtra njëra-tjetrën arnojnë!

 

Mediat shqiptare përditë prodhojnë,

njëfarësoj publiku si veten, të pa vlerë.

Cinikë, mercenarë, demagogë, grumbullojnë

si ato dhe publiku i tyre që i ndjek, janë e njëjta antivlerë!

 

Mediat shqiptare po shpërfillin kohën,

mbledhin në rrjetat e tyre plehra plot.

Lloj-lloj merimangash, që rrethojnë e helmojnë botën,

asnjë lloj kundër-helmi rrjetat s’ua shthur dot!

 

Janar 2014.

 

 

 

PADREJTËSIA ÇIRRET ! 

 

Padrejtësia: Hej dëgjoni; ia zura karriket drejtësisë!

Jam betuar që s’do t’ia le asnjë për be,

(çirret korridoreve të ministrisë).

He; po të guxojë të më bjerë në qafë drejtësia…

nuk do t’i le vend në tokë e as përmbi re!

 

Dridhet drejtësia si shelgu në ujë!

Atje poshtë…nëpër bodrume rri e fshehur.

Sa herë ulërin padrejtësia,

veten rreh me kamzhik si e dehur!

I kruhej kurrizi të gjorës nga vet-gjyqësia!

 

Eh, moj drejtësi e mjera drejtësi!

Të bënë viktimë-fajtore e fajtore-viktimë.

Ditën fuqizon ligje, natën i shfuqizon po ti,

ligj mbi ligjin duke të sajuar, të nxinë në çdo stinë.

Me çekiç të shtrembër, të veshën me zi!

 

Në fund e vulos padrejtësia të vërtetën.

I thotë: Mbylle moj gojën ti!

Po mos të isha unë, ti s’do njihje as veten.

Ndaj mos fol kot për çështjet që s’i di…

vetëm egzistenca ime, të dha emrin drejtësi!

 

Janar 2014.

 

 

PARLAMENTI SHQIPTAR ! 

 

Parlamenti shqiptar,

ka më tepër se një shekull që vuan.

Ka mbledhur rreth vetes mercenarë,

shndërruar është në mulli, ku asnjë kokërr më s’bluan!

 

Parlamenti ka një armatë me luanë plot,

por në krye një gomar gjithmonë!

Nuk u prin, as nuk i le që të ecin dot,

nuk e merr vesh më, as qeni të zonë!

 

Sikur të ishte një armatë gomerësh,

dhe në krye të kishte një të vetëm luan.

Shqipëria me kohë do kishte gjetur udhën,

për në bashkimin europian!

 

Parlamenti shqiptar…

i mbushur dhe në ditët e sotme me njëthundrakë.

Një armatë e madhe plot me të marrë,

nuk janë më askund, as brënda as jashtë!

 

Përsëris gjithmonë e menduar:

Sikur ta udhëhiqte Shqipërinë një luan?

Sot sigurisht do të ishte në bashkimin europian!

 

Janar 2014.

 

 

 

HIENAT

 

Në zjarrin e Prometeut,

dua t’i djeg hienat e Karpateve,

që sillen e pështillen kudo Atdheut!

 

S’dua t’i shoh trojeve të mia,

duke lëvizur si kaqurrelat e Meduzës.

Dua të jetojnë të lirë shqiptaria!

 

Dua t’ua shtyp kokat gurë për gurë.

T’i mbyll përgjithmonë në kutinë e Pandorës,

që dritë dielli të mos shohin kurrë!

 

Nëntor 2012.

 

EH, ATDHE !  

 

Kjo vapë që m’i përvëlon vargjet e mia,

kaq thellë ka hyrë sot nëpër fjalë.

Nga Kosova e deri në Ksamil,

m’i përplas shkëmbit e njëjta valë.

 

Endem udhëve të mjerimit,

ku lypsarë këmbëzbathur zgjasin dorën.

Veshur ua shoh rrobat e trishtimit,

dhe as kjo vapë gushti s’ua shkrinë borën.

 

Shtëpitë e tyre prej kartoni,

krejt parlamentin e paskan rrethuar.

Jetën nëpër thasë ua ka mbyllur Fullani,

larg botës njerëzore për t’i strehuar!

 

Ku mbeti betimi juaj o president?!

Po betimi yt o kryeministër!

Veç mjerimi veri-jug kudo sot flet,

ju në vend të syzeve, keni venë kapistër!

 

Dilni nga shpirti i djallit o të pa fe!

Po u pret Kombi i shqipeve o të mjerë.

Ju që kurrë nuk kishit Atdhe.

Përse Atdheun po e shisni ndër të tjerë?!

 

 

Eh, Atdheu im i dashur!

Ku të kanë zhytur maskarenjtë e kohës.

Barkmëdhenjtë që janë pak pa plasur,

të vodhën ç’pate, në sy të gjithë botës!

 

Sa vuajte prej tradhëtisë o Atdhe!

Ti që linde prej perëndisë.

Sot të shesin sipas qefit këta politikanë të pafe.

Ty, që shpëtove nga kthetrat e rastësisë!

 

Ksamil: 28 gusht 2014.

 

 

GRERËZAT PARLAMENTARE

 

Brenda gumëzhijnë grerëzat,

thumbojnë për vdekje njëra-tjetrën.

Jashtë në majë të pemëve vajtojnë qyqet,

kohën e sotme fije për fije tjerrin.

 

Seancë për seancë grerëzat drejtojnë,

mbushin thasë e fshehin thasë.

Stinëve të thinjura drejtim u ndërrojnë,

duartrokitet dallaverja si brenda, jashtë!

 

Koha grindet më grerzëat parlamentare,

specie të mjera që pe s’lëshojnë.

Koha ikën si uji nën urë, pa zë fare,

popullit lakun në fyt, po ia shtërngojnë.

 

Seancë pas seance vijnë e shkojnë,

vendos e rrëzo ministra përditë.

Grerëzat, brenda njëra-tjetrën thumbojnë,

jashtë lëpijnë esencën që kanë pregatit’!

 

Hesht o popull i dashur, hesht!

Eh! Sa këlyshë si Fullani rrite tëndes  kohë.

Sot pa mëshirë t’i grisin leckat veshur,

sa i pa fat,; qëkur nxorre në dritë këtë soj.

 

 

 

 

Grerëzat parlamentare s’pushojnë,

më tepër bërtasin ata që ia ngarkuan thesin.

Në vend që ta pickojnë, e ledhatojnë,

kurse bijtë e tu o popull, mbi thes heshtin!

 

Shqipëri: Gusht 2014.

 

 

 

POLITIKA   

-Zgjedhje-

 

Politika, nuk ka moral,

e moral shet përditë, në çdo stacion.

Nuk ka as fe,

por në çdo shesh, fe predikon.

Mjerisht nuk ka as ide,

e për ide pafajësi flijon…

 

Politika mbledh rreth vetës,

njerëz që s’kanë aspak dinjitet.

Ata që s’janë të besës,

e çdo fjalë e kanë fallsitet.

Persona që mohojnë të vërtetën,

e në emër të saj çirren një jetë…

 

Në politikë,

ka vetëm oportunizëm.

Burokratë, mercenarë, mosmirënjohës,

që zgjerojnë rrethin egocentrizëm.

Rreth vetes ka më batakçinjtë e kohës,

ku mëngjes-mbrëmje vjellin servilizëm…

 

Në politikë,

drejton llumi që ka çdo shoqëri.

Udhëheq mafia, me kriminelë e tradhëtarë,

për vet faktin se janë batakçi…

kudo në qeveri janë në vend të parë!

 

Politika…

kazani i ushqimit të helmuar.

Ku çmimi i njeriut është një lek,

pa tatimin e vlerës shtuar!

 

Qershor 2013.

 

S’KA TË REJA !

 

Asgjë e re; dhe e sotmja vazhdoi si dje.

U mblodhën flamujt e djeshëm.

Që valëviteshin në erë gjoja për NE…

bashkë me fjalët që i thanë aq prekshëm!

 

Të pathënat s’u thanë, siç u premtuan.

U hodhën disa fjalë ashtu kot më kot në erë.

As kohën e karrikeve bosh s’e vlerësuan,

e nxinë qiellin me mjegulla, si çdo herë!

 

I mblodhën fytyrat, fasadave ngjitur,

lista e kanditaturave si dje dhe sot.

Pas zgjedhjeve prapë janë duke bërtitur,

prej sheshit të mitingut nuk shkëputen dot!

 

NE, vritemi vëlla me vëlla për një votë,

në mes të Ballkanit zhurmë e tym.

Koshin e letrave po e përpush plaka Europë,

shko ti, shko në votime o popull trim!

 

Në mes të Ballkanit shqiptarët pa viza,

“baballarët” e Kombit zyrave i rrëzojnë sytë.

Nga kokat e njëri-tjetrit thuprojnë miza,

e plot kokërra e dokërra për ligjesitë.

 

Sa ligje kuvendi i rrëzojnë për ty Atdhe!

Djemtë e tu “azgana” s’të lanë gjë pa shit’.

Ti qëndron ende në këmbë sot, si dje…

nga trupi yt, copa toke po shesin përditë.

 

Qershor 2013.

Dy ditë pas zgjedhjeve, duke i ndjekur me vëmendje çdo orë.

 

EKZEMË E KËTIJ SHEKULLI

-Poemth-

I

Mbrëmjeve të vona, nëpër errësirë,

e nisi gjuetinë kuçedra e kohës mizore.

Ditë të zeza, njëra pas tjetrës vinin,

kur dhimbjet e plagëve i merrnim përdore!

 

Shpirtra që mjekojnë ekzemën e patharë,

plagë që kurrë më nuk kanë mbarim.

Bijtë e Arbërisë nëpër pellgje gjaku larë,

sot nëpër botë duke kërkuar ilaç për shërim!

 

Euforia e marrëzisë shtazarake, kudo

nën tingujt e buzuqeve greke jehonte.

Lavdi i thurnin gjithçkaje që ishte pseudo,

rebelizëm, veç rebelizëm vendi shijonte!

 

Rebelizmi i kohës maniake ishte në sundim,

ajo kohë sedërkalbur, model s’kishte.

Lojtarë dyfytyrësh, prapë si në komunizëm,

shoqëri e veshur me kostum arbitrash, ishte…

 

Ah, për kod moral as që bëhej fjalë,

falimentim, i vetmi që nuk ekzistonte.

Ishte veshur këmbë e kokë nga servilizmi,

ndjenjë njerëzore s’kishte, s’frymonte!

 

 

 

Udhëve, shpirtligësia e xhelozia sundonte,

e kishte ngërthyer vendin jug-veri.

Mosmirënjohja, mirësinë zëvendësonte…

ku brenda vetvetes po vdiste një shoqëri!

 

Ç’ishte kjo kohë e pa kohë? Ç’ishte?

Ç’ishte vallë gjithë kjo çmenduri?

Hakmarrjen në tru, çdo njeri e kishte!

Me armë në brez e në dorë, ishte çdo njeri.

 

Ndoshta e bënin, për të kompensuar kohën,

kohën e humbur të pesëdhjetë vite, izolim.

Ndryshe shqiptarët, përse e çuditën botën?

Duke rrënuar e shkatërruar çdo ndërtim!

 

Papritur u shfaq kjo ekzemë kanceroze,

dogjën njerëz të gjallë me rripa lidhur.

Zgjoi etjen e minjve helmues, të mizorëve,

pa menduar se si problemet duheshin zgjidhur!

 

Ata minj kapërdiseshin me “Auto-lux”.

Eh, si klithnin në mes të natës së zezë sterr!

Ishin ata,  bijtë e pasanikëve të kuq…

ata të modës së fundit, që shpejt ikën në ferr!

 

Disa prej tyre kishin marrë hov’ të pa parë,

edhe s’e flokët i kishin pronë të morrave.

Këta ishin ata mendjeshkurtërit, trutharë,

njerëz të pashpirt, që ua kalonin edhe horave!

 

Këta epshorë xhungle, vemje mafioze,

përnatë, minifunde të njoma kërkonin.

U duheshin për të freskuar qytetet luksoze,

të rinonin diskotekat e Europës plakë, donin…

 

Asnjëri s’i shikonte vitet e tyre të brishta.

Minorene, pafajsi që ende s’kishin rritur shtat.

Rrëmbeheshin nën terrin e netëve të zeza.

Shqyheshin barbarisht nga matrapazët shtazarakë!

 

Muzgu, me vete i kërciste dhëmbët fort,

sepse i njihte mirë hienat, edhe natëzezën.

E njihte melodinë funebër, por s’e ndalonte dot!

Kuçedra nëpër terr ua kontrollonte strehëzën…

 

Trotuaresh e kishte gjuetinë e saj ditën,

fillonte më ato gjilpërat e mprehta kërcënuese.

Eh! Si ia qëndiste vajzërisë shëmbëlltyrën,

me plot gënjeshtra e lajka mashtruese…

 

Kuçedra i hidhte në rrjetën e jetës fatkeqe,

emrat e tyre mbetur në listën e fatit të zi.

Plot engjëj të mbërthyer nën lajkat-leqe,

udhëve të botës, si zogjtë e korbit e jona rini!

 

II

 

Nënat zemërthyera,

arnonin ditët e netët me lot dhimbjesh!

Mëngjes-darkë sytë i mbanin nga dera,

me shpresë që hija e njomëzakëve ndonjëherë troket.

Mjegullnajat e syve u janë bërë si ferra

duke u mbuluar rrezet e diellit të mjerave mes pritjesh.

Ndoshta, çdo zemër e mjerë e këtyre nënave,

dyerve të botës “bukë” thërret!

 

Humnerës së fatit ka trupa të shtrirë,

mbërthyer fort kanë ndoshta akull mes petkave.

Trupin, dhe shpirtin tërheqin zvarrë,

për të ndjekur udhën që s’e dinë.

Të kujt? Për ku?!

Lanë peng trup e shpirt,

për këta njerëz tekanjozë, në ujqër shndërruar.

Për të shijuar gjoja luksin e florinjtë…

a parajsën e premtuar…

 

Kohë moderne quhet!

Dalldis këdo, edhe pemët

që degët i varin anës udhëve,

nga vijnë kuje qyqesh.

Me zërin e çjerrë thurin vajin e kurbetit.

Vajtimi i tyre shkon larg, përtej varresh,

deri përtej moralit fatal e shfarosës.

Shkon lartësisë qiellore, horizontesh tretet,

ndërsa trupi poshtë pllakës së mermertë prehet!

 

Në sendile makinash luksoze,

flakej tutje virgjëria.

Ndoshta, për pak para të pista të asaj kohe…

ndoshta, dhuratë e ngërdheshjeve të njerëzve tinzarë.

Nëpër flakët e ferrit,

nën tinguj funebër përcillej fati i saj i mjerë.

Po, po, tamam si vetë vajzëria,

shitej asaj kohe mishi e shpirti i bardhë!

Si të ishte një plaçkë tregu, a send i pavlerë,

 

Në terrin e natës ulërinin zërat e bishave.

Prisnin skena makaber, që të trazonin detin.

Pjella e rracës së kuqe kërkonte të shqyente,

të grabiste njomëzake, vetëm mish të ri.

Gjëmonin vajtime sirenash, fishkëllenin klithje, lutje…

natë pas nate kishte nga një tragjedi.

 

E nesërmja zbardhte lojrat kapitaliste,

numëronte bregut, sendet e tyre.

Zbardhte tragjikomedinë që fundosej detit,

ku shpirti i pafajsisë, fort ulërinte…

aq, fort sa toka tronditej si prej tërmetit!

 

 

Bregdeti, ishte i vetmi dëshmitar!

Numëronte në heshtje viktimat e natës së mallkuar.

Sypërlotur ua puthte këpucët fëmijëve,

ua përqafonte fort kukullat e tyre fatkeqe.

Vetëm ai, i ka parë masakrat shtruar!

 

Pjella mizore diskotekave priste fitimet,

si të ishin të ardhura nga shitja e bagëtive në treg.

Këta minj vrisnin këdo për pasuri!

Ndërsa pronarët e tyre të lodhur,

deti i kishte marrë peng për banorët e tij.

 

III

Dinozaurët politikanë,

ndërtonin piramida me eshtra njerëzish.

Me eshtra të rinjsh e të rejash,

me eshtra grash shtatëzëna,

minorenësh e të fëmijëve qumështorë.

Nga mëngjesi e deri në mbrëmje,

vetëm për këtë, luftonin këta të sëmurë mendorë!

 

Këta dinozaur të politikës,

sëbashku me pjellën e tyre, të djallëzuar…

kërkonin kudo, vetëm gjah mjegullnajash.

Vetëm ikja, ishte i vetmi version për të shpëtuar,

kur njerëzia vdiste nën këpucë fantazmash.

 

Asaj kohe nuk kishte punë,

nuk kishte strehë, as bukë…s’kishte jetë.

Kuçedra e kuqe gjuante vendit kryq e tërthor,

nga veriu në jug, Shqipëria ishte ngërthyer në rrjetë.

Nga ankthi e frika largoheshin natën pa hënë,

dhe prej masakrave që bënin këta ç’njerëzorë!

 

O Zot!

Sa varre u hapën e u mbyllën, në të njëjtën kohë!

Sa u dogjën nëpër flakët e gojës kuçedër,

sa njerëz përvëloi kjo llavë tërbimi!

Sa e sa të tjerë rendnin nëpër botë,

duke u përplasur nëpër dyer skllavërimi!

 

Kështu e nisi udhën e jona demokraci!

Më shumë plagë, më shumë dhimbje e vajtim.

Ka vite, që populli pret ilaçin për shërimin e tij,

për të shëruar këtë ekzemë të mallkuar.

Që u përhap kështu, e mjerisht që s’ka shërim!

 

Ato krime të bëra për luks, s’harrohen.

Si mund të shërohet ai popull,

kur para syve i del natë e ditë ai tmerr?!

A mund të harrohen ata fëmijë të pafajshëm?

Ato ulërima grash e vajzash në terr?

 

Vitet ikin duke sulmuar njëri-tjetrin.

Pushtetarët, plane kohore përditë projektojnë.

Vitet e masakrave 1991-1997/të, vetëm i tjerrin…

për at’ kohë askënd s’dënuan, as do të dënojnë.

Përkundrazi, vetëm për tragjedi të tjera synojnë!

Asnjë s’është marrë në pyetje, për ato viktima!

Kë të dënojnë? Ata që botës luks shijojnë?!

S’dënohet asnjëri, vrasësit ikën nëpër bubullima,

S’bëhet me faj askush, për at’ kohë të nxirë.

Askënd, kurrë s’do ta fajsojnë,

sepse qeverisin gjithmonë babë e bir!

 

Mjerisht kjo do të vazhdojë në çdo kohë.

Në vend që të zbatohen ligjet e drejtësisë,

pamëshirshëm, viktimat nëpër varre i sulmojnë.

Dora e zezë udhëheq tokën e Arbërisë,

ku njëzet e katër orë veç për veten mendojnë!

 

Ndaj tërbim i pjellës së keqe, dhe mafioze,

e tërheq popullin zvarrë drejt humnerës.

Kohë moderne e ekzemës kanceroze,

çuditërisht s’ka fajtorë të dënuar për asnjë faj.

Janë në pushtet fantazmat mizore,

që e shkelin barbarisht at’ vend skaj më skaj!

 

Gusht 1999.

Shënim: Këtë poemth të shkurtër ia kushtoj kohës më të ashpër 91-97 që përjetoi   Shqipëria. Gjoja në sistem demokratik, viktimat e asaj kohe të pa kohë dhe shkatërrimi i vendit jug-veri, ishte një çmenduri e madhe dhe e pafalshme për udhëheqësit e asaj kohe! Humbën jetën mijëra e mijëra njerëz, pa qenë në luftë me sllavin a grekun. Gjithashtu u larguan në mënyrën më misterioze shumë të tjerë nga vendi, ndër ta gra dhe fëmijë ku vazhdojnë të kërkohen dita ditës edhe sot, nga emisioni “NJERËZ TË HUMBUR”!

 

THIRRJE

 

O popull shqiptar!

Hapi sytë dhe veshët,

shihe dhe dëgjoje mirë politikën.

Mos luaj rolin e shurdhit e të memecit,

mos e mbyll gojën!

Po nuk fole, për ty do të jetë shumë keq.

Me ulërima duan të të kallin frikën,

kjo politikë, do njerëz të verbër e shurdhmemecë!

 

O popull shqiptar!

Mos e trego veten kaq naiv!

Të lutem mos e ha sapunin për djathë!

Ka ardh’ koha të ndryshosh altërnativë.

Janë i njëjti model,

si të majtët ashtu janë dhe të djathtët!

Verbëria jote sot, nesër pjellë varfërinë.

Ndryshimi yt nuk varet nga kahjet,

jo, jo, mos e përqafo hipokrizinë!

 

O popull shqiptar!

Hapi fort, sytë edhe veshët.

Për të ardhmen tënde fillo e puno.

Tregoi vendin e saj politikës, pa frikë.

Ngrihu! Mos hezito!

 

Mjaft vuajte! Mos hesht!

Pas barrikadave të ngritura mos u fsheh!

Ngrije zërin tënd, deri në kupë të qiellit!

Prapë sot në demokraci po të shtypin si dje…

mos i lejo të t’i vjedhin rrezet e diellit!

 

Lezhë: Shtator 1996.

 

GRAMATIKA JONË

 

Në gramatikën e shpirtit tim.

Gjuha shqipe, desha të ishte kryefjala.

Përse, nuk shërben më kallëzuesi?

As nëpër tregime, as nëpër përralla!

 

Përse i humbi vlera këtij treguesi?

Përse është thërmuar gramatika e shpirtit?

E coptuan në grimca, në thela e thala.

E bënë lesh e li si flokët e harapit…

shkronjat kanë filluar të grinden, si gra të përdala!

 

Përse e zhveshin, në çdo varg e fjalë?

Fjalët e huaja e mbytën, e hodhën ferrit të zi.

E lanë pa kallëzues, pa kryefjalë,

pamëshirë, ia nxorën edhe të bukurit sy…

 

Sot, gjuha shqipe botës rrashqelohet,

me fjalë të huaja përçudnohet.

Gramatikën tonë, atë gjuhë hyjnore,

të gjithë e shohin se si po coptohet.

E shohin se si po e përdhosin,

në vend që t’i ngrejnë përmendore…

 

Kujdes o shqipfolës!

Gjuha shqipe kjo gjuhë perëndie.

S’është, as nuk bëhet e juaja pasuri…

çdo shkronjë e saj është prej diamanti,

sado pluhur t’u hidhni sipër, më tepër xixëllojnë!

Ndaj mos i hidhni udhëve të botës,

gjuha, mban emrin e moshen e nënës Shqipëri!

 

Janë shkronja të lara të gjitha më gjak.

Janë i bekuari ynë, Hymn.

E përmbushën flamurin, shekujve e mbajtën gjallë.

Janë themeli i Kombit me derë e prag.

Ndaj bëni kujdes, mbrojeni çdo fjalë…

 

Gramatika s’duhet veshur në zi.

Është e Kombit shpiptar kjo pasuri.

Është e nënës tonë Shqipëri!

 

Shëngjin: Korrik 2011.

 

 

SHQIPËRIA NDRYSHE 

 

U derdh shumë gjak!

Vazhdon të derdhet po prap.

 

Digjet Shqipëria flakë jug-veri.

Koka njerëzish përpin tymi i zi.

 

Thonë: Shqipëria tjetër ishte!

Luftë bëhet për ta kthyer ndryshe.

 

E duam ndryshe thërrasin disa!

Vrisni pleq e të ri, vrisni dhe gra.

 

As pëllumbat mos i lini të ikin!

Rrëzoini përdhe, hiquani shpirtin!

 

S’ka pranverë më tokës së djegur!

Sythë as lule s’kanë për të çelur.

 

Veri-jug asnjë hije lisi s’mbet’!

Shqipëria ndryshe dhe rrënjët i pret!

 

Qershor 2012.

 

Marrë nga libri “Ekzemë e kohës moderne” i Dava Nikolli

Botim i shtëpisë botuese”ADA