Një libër apo një histori mund të shihet në aq shumë versione, sa ka lexues… Kushdo merr atë çka do prej saj… thotë Xh. Stejnbek. Kështu ndodh edhe me një poezi a me një cikël poetik. Ndaj në rubrikën e re “PËRJETIME POETIKE”që tashmë ka hapur shtëpia botuese “ADA”, do të sjellim herë pas here poezi nga  autorë të ndryshëm.

Roland Musta - Perjetime Poetike

Të ritakosh një mik pas gjysmë shekulli është padyshim një emocion më vete. Aq më tepër kur është një krijues i afirmuar. Një poet që ka ditur të të dhurojë emocione në rrjedhën e viteve. Këtë ndjesi provova kur mora në duar përmbledhjen më të re poetike të Roland Mustës, “West”.

NDUE LAZRI, Gazetar Bolonjë, Itali

 

Poezia e Roland Mustës është cilësi,është tharm,

bukuri mendimi që të rrëmben.

Iskra Thoma, studiuese,shkrimtare. Itali

 

Autori është vetvetja në rrugëtimin e tij poetik

Elegant. I freskët si pika e vesës në agun mëngjesor.

Roland Gjoza, shkrimtar. USA

 

Poezi e punuar në filigram. Poezi e sinqertë.

Sinqeriteti i autorit dëshmon talent dhe kurajo qytetare.

Talenti nuk ka nevojë për ndërlikime dhe sajesa.

Albana Lifschin, shkrimtare. USA

 

Vargje me bukuri trallisëse. Pikture. Kompozim. Mall. Duf.

Petros Tserkezis, poet. Greqi

 

Dashuria dhe dhimbja janë erërat që fryjnë në poezinë e R.Mustës.

Nuk është pak. Është vetë jeta.

Sefedin Cela, publicist. Shqipëri

 

Ti ke poetin në ind, brenda vetes, mik. Zoti nuk ka se si mos ta shihte këtë.

Ai të ka rreshtuar me kohë tek ata, të pafatët, të fismit, Poetët.

Vetë e kërkove.

Grigor Jovani, poet. Greqi

 

 

 

PËRJETIME  POETIKE  1

ROLAND  MUSTA

 

PROFIL

 

Kokën time mbaj mbi duar

Pse të ma mbajnë të tjerë,

Si eci pa kokë, do thuash,

Si bëj me kokë të prerë!?

 

Me kokën mbi duar çapitem

S’di nga ta çoj, ku ta vë,

Rrëshqas mbi ca pragje e vritem

Mbi supe veç qiej pa zë.

 

Me kokën mbi duar bëj tutje

Me kokën time të ndjerë,

Nuk gjej një strehë për lutje

Dhe hapur nuk gjej asnjë derë!

 

Koka mbi duart e mija.

Me duart mbi gjoks mbaj kokën.

Mbi të, përndrijnë ca thinja

Si mundet t’i hap vetë gropën…

 

…Zbret pak diell, po ngre erë,

Dhe bora rëndon mbi mal,

E ç’duhet një trup i mjerë,

As pasha, as admiral!

 

 

 

KISS AND BYE

 

Në aeroportin Kenedy në New York
Më kapi syri një reklamë:
Kiss and bye, kiss and bye!
Në tru m’u shpleks me rropamë
Një Ditë,
Ish maj.
Ishte maj.

 

NJË ZOT

 

Unë jam i fotos bardhezi,
I penës ngjyer në mellan.
I librit që mbahej në gji
Dhe nënës që, mënjanë qan.

 

Jam kur bëhej dashuria
Jo në vetura e motel.
Kur vajzën që larg e njihja
Nga pak hënë e pak rimel…

 

Dhe putheshim poshtë një rrapi
Ku prehej një qytet me zogj,
Dhe yjet, me dorë i kapnim
Dhe kishim pranë veç një Zot!..

 

 

 

IMAZH

 

Tek dremisja një pasdite
Ashtu mbledhur në kuzhinë,
Ndjeva hapa në avitje
Dhe një dorë mbi kaptinë.

 

Ndrita sytë mrekulluar,
Si gjahtar brofa në këmbë,
Rreth e rrotull mjegulluar,
Udhët bora i kish zënë.

 

Era si fëmijë mekej,
Zbathur bridhte në të ftohtë.
O njeri, thashë me vete
Veç imazhi rron në botë…

 

Flagstaff, dhjetor 2013

 

 

 

TRILL MITURAK

 

Nuk e di përse të fshihja
Ndoshta, nga marrni e botës,
Se mos plaste nga zilia
Dhe me gur i turrej portës.

 

Të fshihja, si një të fshehtë,
Si diçka që s’mund ta kisha.
Ti nga pas vije si shqerkë,
Me hënë ngjyer këmisha.

 

…Larg botës gërmuqe, larg.
Larg muresh në një qytet,
Larg teje, aq varfanjak.
Me ty fshehur, isha mbret!

 

Arizona, tetor 2013

 

 

 

 

PASFESTË

 

Fëmijët ikën.

Ikën dhe nipat.

Gruaja e paqtoi

shtëpinë.

Gjen prehje

të vish.

I kemi të gjitha.

Mungojnë veç zërat

dhe hapësira

e rrëmujshme.

Bredhi mërdhin

si njeri.

Shihemi në sy

me Luizën

dhe macen.

Si të pagojë!

 

Janar, 2017

 

 

 

 

FQINJA

 

Fqinjë e vogël si floriri,

Si flutur mbi shkëmb

të shihja;

S’mbaje varse

gjer te gjiri,

Kaq foshnjore

ishte fqinja!

 

Mjelmë me fustan të bardhë.

I larguar,

veja – vija,

Me ca kukulla

mbi shkallë,

Pas tyre, harrohej

fqinja.

 

Dhe ashtu,

e merrja hopa.

Dhe ashtu,

si zog e ngrija.

Purpur faqkëzat

me gropa,

Në kube

qiellit

ia shpija!

 

 

 

 

Që nga kukullat

s’u pamë.

Dhe kur në qytet i mbrrija,

Si një frut, nga dega ramë,

Mbi ca hone,

mbi ca brinja…

 

Si velëz shkau një ditë.

Larg atdheut,

m’u shfaq fqinja!

Pakur pak,

por njoha sytë,

Pikën mall,

m’u shtuan thinja!..

 

Arizona, janar 2017

 

 

 

 

SHKËNDIZË

 

Si s’u puthëm kur u pamë,

Kur u ndamë, si s’të putha

Një fjalë, si nuk e thamë,

Si e mbajti fjalën buza?!..

 

Si në mjegulla u tretëm.

Aq afër dhe të larguar,

Ajo heshtje, gjithë jetën

Dhe kur flija, mbeti zgjuar.

 

Si s’të putha kur u ndamë,

Veç me dorë, si në ëndërr,

Ca yje mbi sup të ranë

Dhe më dogjën gjer në zemër…

 

 

 

 

 

FALËNDERIM

 

Falemnderit, natë

që më lëvize hënën mbi krye.

Ndryshe, do më çanin

egërsirat.

Falemnderit, natë

që më lëshove një grusht yje

mbi ballë.

Ndryshe, do humbja

humbëtirës.

Falemnderit, natë

që trembe rrebeshin.

Ndryshe, me natë do më ngjyej

Mëngjesi.

 

 

 

 

NJË FJONGO

 

Nuk dija

si të të doja.

Të hodha një mollë vishnje,

Ti, nuk ndaheshe

nga loja.

Të vështroja

kur s’më shihje.

 

Mbaje një fustan

të kaltër,

Me ca petale

pikuar.

Dhe si valë

i hapje

palët,

Dallga,

thërmohej

mbi mua!

Dhe vraponim

ngriva – shkriva,

Si zogj,

zhurmshëm

me poterë,

Befas

u derdhën

ca shira,

Një  fjongo,

u shpleks

ylber…

 

Toronto, korrik 2017

 

 

 

 

LOTI I SAJ

 

Mos loto kur rri me mua,
Mos i derdh kaq lot.
Se më mbyt një majë thua,
Lotët, s’i mund dot.

 

…Pikë-pikë,

pak nga pak
Vesë mbi petale!
Lot’i vakët,

kaq farmak
As helmi s’do mbante.

 

 

 

 

 

 

 

 

KREDO

 

Sa çel dita
mbjell një lule.
Kur s’kam ç’mbjell
dal e ujis.
Të çmpij gjunjët
paksa ulem,
Ndjej si lind
tej një filiz.
Mbreteror,
larg mbretërisë!

 

Kur bën dimër,
kur s’ka lule,
Dal dhe trungjet
prek me dorë.
Mbledh ca fjalë
në përgjumje.
Ndjek ca zëra
nëpër borë.

 

Arizona, 2014

 

 

 

 

PËRÇART

 

Kur të kisha ty në krah,

Humbja hapat mbi asfalt.

Sikur shkoja nëpër vah,

Flisja kot, si i përçart.

 

Dhe kur merrnim shtegun lart,

Edhe përmes njerëzisë,

Falmë, zot, në ish mëkat

Kur e cikja pak në sisë.

 

Natën ngjante më e bukur.

Natës, bëhej xhind.

Yll, nga qielli këputur,

ëngjëll, që më s’lind.

 

Kur barisnim përmbi bar,

S’kish si unë, me famë e fat.

Vetë Homer, vetë Omar

S’qeshë hamalli, në Walmart!..

 

 

RREZE NË MUZG

 

Më puthe gjatë në mes të ditës,
Në mes te Sheshit Skënderbe,
Ku dergjeshin më nge ca lypës
Dhe ca pëllumba vinin rreth.

 

Më puthe fort pas kaq vitesh
Dhe unë me mall të putha paq
Të putheshim, kur më mahnisje
Nuk do të isha plakur kaq…

 

Tiranë, qershor 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PRITJE

 

Të gjitha më ngjajnë me ty

Nga flokët dhe nga supet,

Kur afrojnë, larguar ngrij,

Dhe pritja shekull duket.

 

Të gjitha më ngjajnë me ty,

Kur ndalen dhe kur rendin,

Pse nuk shfaqe, pse nuk mbërrin

Mos kam gabuar vendin?!..

 

Askush s’më njeh sot te ky vis

As guri ku jam lindur,

Të ish New York, të ish Paris

Kaq gjatë, s’do kisha pritur…

 

Tiranë, qershor 2013

 

  

DIL

 

Të këndoj me vite
Ti s’bëhe e gjallë.
Nuk di nga vërtite,
S’di si e ke hallë.

Te kjo botë e madhe
Shumë u shpërndamë,
Ca, të vetëm fare,
Ca, me kalamanë.

Kë nuk kam takuar,
Në gjithë këto vite,
Dhe njerëz të harruar,
Dhe maska që s’shqiten.

Ty, s’ta gjej adresën,
S’të gjej një imel,
Si ta largoj shpresën
Kur nga shpirti s’del!..

…Të kërkoj një jetë,
Të kërkoj në ëndërr.
Dil, folmë, të shkretën
Se m’u lidh një gjendër…

 

 

ETYD

 

Hën’e hollë brigazeli
Zbrit dhe shpomë këmb’ e duar
Sa hollake ishte Eli,
S’ndesha bisk në asnjë krua.

Hën’ e hollë brigazeli
Zbrit dhe shpomë ku të duash,
Sa e freskët ishte Eli,
S’më freskoi asnjë krua.

 

 

Marre nga libri « WEST! » i Roland Musta, 

Botim i shtëpisë botuese « ADA »